Është nënshkruar marrëveshja për grant në vlerë prej 30,8 milionë eurosh ndërmjet Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila do të financojë ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë. Granti është siguruar përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe do të mbështesë realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, përcjell Nistori.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, tha se autostrada Shkup–Bllacë është pjesë e Rrugës Trans-Evropiane 6, e cila lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën dhe më tej me portet në Shqipëri dhe Mal të Zi, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e tregtisë, biznesit dhe turizmit.
“Është vërtet kënaqësi kur nisin projekte të reja dhe sot jemi në fillimin e një projekti të ri – ndërtimin e një autostrade që do të jetë pjesë e Rrugës Trans-Evropiane 6, e cila do të lidhë Shkupin me Prishtinën, e më pas do të vazhdojë drejt Tiranës dhe Durrësit, si edhe drejt Barit. Me këtë, Shkupit i hapet edhe një port dhe një mundësi shtesë për tregti, biznes dhe zhvillimin e turizmit”, deklaroi Nikolloski.
Ai theksoi se projekti është një realizim konkret i vizionit, që Maqedonia të shfrytëzojë pozitën e saj strategjike në Ballkan, ku kryqëzohen korridoret panevropiane 8 dhe 10, si dhe drejtimet e tjera rajonale të transportit.
“Pavarësisht se nuk kemi dalje në det, në këtë mënyrë shteti mund të bëhet pika strategjike më e rëndësishme në Ballkan, përmes së cilës do të kryqëzohen biznesi, tregtia, turizmi dhe shkëmbimi ekonomik. Pikërisht realizimi i këtij projekti është një mbështetje konkrete për këtë vizion”, theksoi Nikolloski.
Ai bëri të ditur se afati për ndërtimin e autostradës është katër vjet, por shprehu pritjen që punimet të përfundojnë edhe përpara afatit të paraparë.
“Më gëzon veçanërisht fakti që, pas shumë vitesh, madje dekadash, të anashkalimit të kompanive vendore të ndërtimit, kontraktuesi i përzgjedhur është kompania vendase GRANIT. Me këtë tregojmë se kompanitë maqedonase kanë kapacitet të realizojnë me sukses projekte të mëdha infrastrukturore”, tha Nikolloski.
Zëvendëskryeministri falënderoi kryeministrin Mickoski, punonjësit e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe të Ministrisë së Transportit, si dhe Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për përkushtimin e përbashkët në realizimin e projektit.
Autostrada Shkup–Bllacë, me gjatësi prej 10,5 kilometrash, paraqet një sfidë të rëndësishme inxhinierike, pasi përgjatë trases së saj do të ndërtohen rreth 40 objekte infrastrukturore.






