Muzikë dhe biseda me zë të lartë janë dëgjuar të shtunën në mbrëmje nga njëra prej dhomave të Arkivit Shtetëror në Shtip. Ngjarja është regjistruar në një video që një dëgjues ia ka dërguar redaksisë së Kanal 77, përcjell Nistori.
Videoja është incizuar një natë para koncertit të Bajagës, i mbajtur në kuadër të D Festival, i cili u zhvillua në Stadiumin e Qytetit, përballë ndërtesës së Arkivit.
Në video dëgjohen disa persona duke biseduar me zë të lartë, ndërsa sipas personit që e ka dërguar videon, ata janë parë edhe duke pirë duhan në tarracën e objektit.
Sipas të njëjtit burim, nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Ai pretendon se grumbullime të ngjashme janë organizuar edhe më parë në ambientet e Arkivit, përfshirë edhe gjatë manifestimit Pastrmalijada, i cili zhvillohet gjithashtu në afërsi të ndërtesës.
Sipas informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të institucionit, Arkivi nuk punon gjatë fundjavës dhe as pas orarit të rregullt të punës. Orari zyrtar është nga e hëna deri të premten, prej orës 08:30 deri në 16:30.
Mbetet e paqartë se çfarë aktiviteti është zhvilluar në objekt gjatë kohës kur është regjistruar videoja dhe kush mban përgjegjësi për praninë e personave në ndërtesë, përfshirë edhe pretendimet për pirjen e duhanit.
Ndërtesa e Arkivit ruan dokumente dhe materiale me vlerë të veçantë arkivore, të cilat mund të rrezikohen, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta të verës. /Nistori/






