Nëntë persona kapen të dehur duke drejtuar mjete lundruese në Liqenin e Ohrit

    Nëntë persona që drejtonin mjete lundruese në Liqenin e Ohrit rezultuan të ishin nën ndikimin e alkoolit, sipas kontrolleve aksionale të kryera nga policia në ujërat e liqenit. Gjatë kontrolleve u konstatuan gjithsej 52 shkelje, ndërsa nëntë drejtues të mjeteve lundruese rezultuan të dehur, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, përcjell Nistori.

    Sipas MPB-së, të dielën (05.07.2026), zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen Kufitare “Liqeni i Ohrit”, në bashkëpunim me zyrtarët e Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Perëndim dhe inspektorët e Autoritetit Portual të Ohrit, zhvilluan kontrolle të koordinuara ndaj mjeteve lundruese në ujërat e Liqenit të Ohrit.

    Kontrollet u kryen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Lundrimin e Brendshëm. Gjatë aksionit u kontrolluan gjithsej 63 mjete lundruese, ndërsa u konstatuan 52 shkelje në 31 mjete lundruese dhe ndaj 31 personave.

    Shkeljet e evidentuara përfshijnë mungesën e pajisjeve të detyrueshme të sigurisë, drejtimin e mjeteve lundruese pa shenja identifikuese, drejtimin e mjeteve të paregjistruara, drejtimin e mjeteve gjatë periudhës së ndalimit të lundrimit, drejtimin pa leje lundrimi, transportimin e një numri më të madh pasagjerësh sesa lejohet, si dhe mosmbajtjen e lejes së lundrimit. Gjithashtu, pas testimit me alkotest, nëntë persona rezultuan nën ndikimin e alkoolit.

    Po ashtu, u konstatua se pesë persona, të cilët kishin marrë me qira varka me pedale, nuk i kishin zbatuar plotësisht rregullat e sigurisë gjatë përdorimit të tyre.

    Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se kontrolle të tilla do të zhvillohen rregullisht gjatë sezonit veror, me qëllim zbatimin e plotë të dispozitave të Ligjit për Lundrimin e Brendshëm dhe rritjen e sigurisë në ujërat e vendit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    NDËRGJEGJA KOLEKTIVE E FYER DHE E REVOLTUAR

    Lajmi i rradhës

    Kush është Sasho Klekovski, mjeku pa përvojë që pritet të drejtojë Shëndetësinë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë