Në ciklet e fundit zgjedhore, fushata më e ashpër nuk u zhvillua në tubime apo debate televizive, por në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook, TikTok, Instagram dhe YouTube. Aty u krijua një zonë gri, e dominuar nga reklama politike të paguara nga palë të treta, postime të botëve dhe faqe, pronarët ose financuesit e të cilave mbetën të panjohur. Këto aktivitete zhvilloheshin jashtë rregullave zgjedhore dhe pa një kuadër të qartë ligjor, shkruan Prizma, përcjell Nistori.
Me ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor, të cilat ndodhen në procedurë parlamentare, shteti synon për herë të parë të vendosë rregulla për këtë fushë.
Megjithëse ndryshimet në Kodin Zgjedhor vazhdojnë të mbeten të bllokuara në Kuvend për shkak të çështjeve të tjera të debatueshme, si modeli zgjedhor, votimi i diasporës dhe shpërndarja e hapësirës reklamuese, ato parashohin rregulla të posaçme për zhvillimin e fushatës zgjedhore në rrjetet sociale.
Kapitulli i ri, i titulluar “Fushata në platformat e ndarjes së videove dhe në rrjetet sociale”, kërkon që pjesëmarrësit në fushatë të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe nxitja e dhunës, si dhe të mos krijojnë, publikojnë apo shpërndajnë qëllimisht dezinformata dhe spin politik me qëllim manipulues.
Partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur do të jenë të detyruar të respektojnë rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të dënojnë përdorimin e botëve dhe trollëve për shpërndarjen e koordinuar të dezinformatave, manipulimin e opinionit publik dhe të qëndrimeve të qytetarëve për përfitime politike ose për ngacmim kibernetik, veçanërisht ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
Për herë të parë propozohen edhe rregulla për reklamat politike të paguara në rrjetet sociale. Çdo reklamë duhet të etiketohet qartë me të dhënat e porositësit, ndërsa në rastet kur reklamat financohen nga palë të treta, pjesëmarrësit në fushatë duhet të deklarojnë publikisht lidhjen e tyre me këto subjekte.
Rregullat e propozuara kërkojnë gjithashtu moderimin e komenteve në profilet, faqet dhe kanalet zyrtare të pjesëmarrësve në fushatë, si dhe heqjen e përmbajtjeve që bien ndesh me ligjin. Po ashtu, ata janë të detyruar ta respektojnë heshtjen zgjedhore.
Për mosrespektimin e këtyre rregullave parashikohen gjoba deri në 8.000 euro. Megjithatë, edhe pse sanksionet janë të përcaktuara, projektligji nuk e specifikon qartë se cili institucion do të jetë përgjegjës për monitorimin e rrjeteve sociale, nëse kjo detyrë do t’i takojë Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale apo Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarët, kryetarët e komunave dhe të gjithë personat që ushtrojnë funksione publike nuk do të mund të përdorin profilet institucionale apo profilet e tyre zyrtare në rrjetet sociale për të mbështetur, promovuar ose diskredituar pjesëmarrësit në zgjedhje.
Kriteret bëhen më të rrepta për portalet
Për vite me radhë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Enti Shtetëror i Revizionit dhe mediat kanë paralajmëruar se reklamat e fushatës zgjedhore në portalet informative janë zhvilluar në një fushë pothuajse të parregulluar. Para zgjedhjeve krijoheshin portale të reja me qëllimin e vetëm për të përfituar reklama politike të financuara me mjete publike, ndërsa pas zgjedhjeve ato pushonin së funksionuari. Për eliminimin e kësaj praktike kanë rekomanduar masa edhe OSBE-ja dhe ODIHR-i.
Ndryshimet e propozuara synojnë ta adresojnë këtë problem. Portalet që dëshirojnë të publikojnë reklama politike të paguara do të duhet të regjistrohen në Regjistrin e Mediave për Zgjedhjet.
Për t’u regjistruar, ato duhet të kenë qenë aktive të paktën një vit e gjysmë para shpalljes së zgjedhjeve, të kenë domen “.mk”, si dhe të kenë publikuar emrin e mediumit, strukturën e pronësisë dhe mënyrën e financimit.
Një kompani mediatike do të mund të regjistrojë vetëm një portal me një domen dhe në një platformë në Regjistër. Kjo ndryshon praktikën e deritanishme, kur e njëjta kompani mund të regjistronte disa portale dhe të përfitonte mjete buxhetore për secilin prej tyre.
Nuk propozohet ndryshim i kufirit maksimal të mjeteve që një portal mund të marrë nga një pjesëmarrës në fushatë zgjedhore. Shuma maksimale mbetet 15.000 euro.
Për regjistrim në Regjistër, të gjitha mediat duhet t’i paraqesin Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve një kërkesë për regjistrim dhe dokumentacionin përkatës. Përveç kësaj, portalet duhet të dorëzojnë një deklaratë se emri, struktura e pronësisë dhe mënyra e financimit janë publikuar publikisht, pasqyrën financiare për vitin para zgjedhjeve, si dhe një deklaratë të noterizuar që dëshmon se kanë publikuar përmbajtje për të paktën një vit para shpalljes së zgjedhjeve.
Nëse kërkohet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, portalet e regjistruara në Regjistrin e Reklamave Politike të Paguara do të jenë të detyruara të publikojnë pa pagesë fushatat informuese të Komisionit, të cilat duhet të shënohen qartë si transmetim pa kompensim.
Për herë të parë, me ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale do të jetë përgjegjëse për monitorimin e portaleve në lidhje me reklamat politike të paguara dhe respektimin e heshtjes zgjedhore.
Gjobat për shkeljen e këtyre rregullave nga transmetuesit variojnë nga 2.250 deri në 4.000 euro, varësisht nga lloji i shkeljes.
Megjithatë, ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor vazhdojnë të mbeten në ngërç parlamentar për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe numrit të madh të amendamenteve të paraqitura nga deputetët e opozitës.






