Pasi Gjykata Themelore Penale njoftoi sot se prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale në rastin “Total”, në të cilin i akuzuar ishte Dragan Pavlloviq Latas, Prokuroria Publike doli me një sqarim lidhur me këtë veprim, me të cilin gazetari u lirua nga akuzat, përcjell Nistori.
“Në rastin konkret, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, u krye një superekspertizë e re në fushën e operacioneve ekonomike, financiare, materiale dhe kontabël. Në seancën e mbajtur më 27 maj 2026, ekspertët dhanë dëshminë e tyre para gjykatës dhe, pavarësisht pyetjeve të prokurores, konfirmuan se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë kishte ndryshuar. Sipas mendimit të ekspertëve, shuma e shmangies tatimore ishte ulur nga ‘shumë e madhe’ në ‘e madhe’ dhe, rrjedhimisht, nuk i plotësonte më elementët e veprës penale sipas paragrafit 2, por duhej të rikualifikohej sipas paragrafit 1 të nenit 279 – ‘Shmangia e Tatimit’. Edhe pse prokurorja publike Marija Xhabirova-Velkov në fjalën e saj përfundimtare theksoi se do t’u përmbahej qëndrimeve të paraqitura në fjalën hyrëse gjatë zhvillimit të procedurës, ajo u detyrua ta rikualifikonte aktakuzën pikërisht për shkak të konstatimeve të superekspertizës. Me këtë rikualifikim, vepra penale rezultoi të ishte parashkruar, pasi afati absolut i parashkrimit kishte skaduar më 15 mars 2024”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, Gjykata Penale e Shkupit liroi nga akuzat të pandehurit Dragan Pavlloviq-Llatas dhe YouTuber-in Stefan Llazarov, në podkastin e të cilit mysafiri foli për abuzimin dhe përdhunimin e një vajze. /Nistori/






