Ngërçi për Kodin Zgjedhor, çfarë mesazhi i dërgon Maqedonia BE-së?

    Dokumenti me detyrimet e përmbushura nga Agjenda e Reformave po dërgohet në Bruksel, me mesazhin se Maqedonia po vazhdon procesin e integrimit evropian. Megjithatë, në planin e brendshëm, situata mbetet e bllokuar për shkak të përplasjeve partiake, shkruan Telma, përcjell Nistori.

    Ndërsa qeveria pretendon se procesi i reformave po ecën me ritëm të mirë, opozita e akuzon atë për ngecje dhe përpjekje për të gjetur alibi. Kodi Zgjedhor mbeti i pamiratuar për shkak të mungesës së konsensusit politik, ndërsa partitë vazhduan të shkëmbejnë akuza për atë se kush po e pengon rrugën evropiane dhe kush mban përgjegjësi për bllokimin e procesit.

    “Jam i bindur se, sa i përket ritmit të zbatimit, do të jemi shumë përpara shumë vendeve të tjera, pavarësisht përpjekjeve për ta ngadalësuar procesin duke bllokuar Kodin Zgjedhor. Vendosmëria jonë mbetet e pandryshuar. Reformat do të vazhdojnë, sepse janë në interes të shtetit, institucioneve dhe qytetarëve”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

    Periudha shtesë për miratimin e Kodit Zgjedhor përfundoi dy ditë më parë. Afati fillestar për miratimin e ligjit ishte 30 qershori i vitit të kaluar. Megjithatë, LSDM-ja vlerëson se qeveria as vitin e kaluar dhe as tani nuk kishte synim ta përmbushte këtë detyrim, prandaj, sipas saj, po kërkon fajtorë jashtë radhëve të veta.

    VMRO-DPMNE-ja iu përgjigj këtyre akuzave me kundërakuza ndaj opozitës.

    “Ata po krijojnë artificialisht konflikt rreth Kodit Zgjedhor. Shohim se po shtyjnë me qëllim dispozita kontroverse që mundësojnë manipulime zgjedhore, vetëm për të mbuluar dështimin e tyre në zbatimin e Axhendës së Reformave dhe për ta bllokuar plotësisht rrugën evropiane. Pretendojnë se Maqedonia është lider në rajon në përmbushjen e Axhendës së Reformave, ndërkohë që rruga evropiane është bllokuar plotësisht”, deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

    “Opozita mori një fletë të bardhë për t’i përfshirë të gjitha kërkesat e saj në lidhje me Kodin Zgjedhor, por e refuzoi atë për të luajtur rolin e viktimës. Koalicioni i LSDM-së, Levicës dhe BDI-së beson se viktimizimi do t’u sjellë më shumë përfitime politike. VMRO-DPMNE-ja, si parti në pushtet, pranoi të gjitha kërkesat e opozitës, vetëm që diaspora të mund të votojë më lehtë”, tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski.

    Në fillim të javës, Levica propozoi mbajtjen e një takimi të partive opozitare për të harmonizuar qëndrimet lidhur me modelin e një njësie të vetme zgjedhore, si dhe për të gjetur një kompromis për mënyrën e votimit të diasporës. LSDM-ja e refuzoi një takim të tillë, ndërsa kryetari i saj, Venko Filipçe, deklaroi se me propozimet e fundit për Kodin Zgjedhor, Levica po sillet si një opozitë e kontrolluar.

    Lajmi Paraprak

    Ekonomia po bashkon Dibrën në të dy anët e kufirit

    Lajmi i rradhës

    Më shumë energji diellore, më pak burokraci për qytetarët në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë