Jahiji: pse vihet në pikëpyetje vota e shqiptarëve, kur edhe maqedonasit votuan për kandidatin e VMRO DPMNE-së?

    Arkin Jahiji, kryetari i komunës së Bërvenicës / Fotografia: Nistori

    Jahiji: Pse askush nuk pyet se si votuan maqedonasit? Edhe shqiptarët, edhe maqedonasit do t’i përfaqësoj njësoj

    Një ditë pas fitores në zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunën e Bërvenicës, kryetari i sapozgjedhur, Arkin Jahiji, ishte i ftuar në emisionin „Koha Cast“, ku foli për rezultatin zgjedhor, votimin mbi baza etnike dhe përgjegjësinë që merr përsipër për drejtimin e komunës. Jahiji theksoi se, ndonëse realiteti politik dhe demografik në Bërvenicë ka ndikuar në mënyrën e votimit, ai synon të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, përcjell Nistori.

    Duke komentuar mënyrën se si votuan shqiptarët dhe maqedonasit, Jahiji ngriti çështjen e standardeve të ndryshme me të cilat, sipas tij, trajtohet votimi mbi baza etnike.

    „Maqedonasit si votuan? Në pjesën me nëntëdhjetë e diçka për qind, si votuan? Mos votuan shqiptarë? Pse nuk i pyesin ata pse votuan kandidatin e VMRO-së me nëntëdhjetë e diçka për qind?“, deklaroi Jahiji.

    Ai vlerësoi se në debatin publik shpesh vihet në diskutim mbështetja e shqiptarëve për kandidatët shqiptarë, ndërsa nuk trajtohet me të njëjtën vëmendje mënyra se si votojnë maqedonasit.

    „Ne sa herë duhet të jemi temë se shqiptari duhet ta përkrahë shqiptarin, ndërsa askush nuk e parashtron temën se maqedonasi e mbështet kryesisht, ose në pjesën më të madhe, maqedonasin? Kjo është një realitet natyral, i cili duhet pranuar“, u shpreh ai.

    Sipas Jahijit, edhe organizimi politik në Maqedoninë e Veriut pasqyron këtë realitet, pasi shqiptarët dhe maqedonasit kanë subjektet dhe strukturat e tyre politike.

    Megjithatë, kryetari i sapozgjedhur theksoi se përkatësia etnike e kryetarit nuk duhet të përcaktojë mënyrën se si trajtohen qytetarët nga institucionet komunale.

    Ai kujtoi se që nga shpallja e kandidaturës ka komunikuar publikisht në dy gjuhë, pikërisht për të dëshmuar se synon të përfaqësojë të dyja komunitetet.

    „Unë, nga dita e parë e shpalljes së kandidaturës, çdo postim e kam pasur në dy gjuhë, për shkak se e kam ditur që do të jem kryetar i komunës dhe do të jem përfaqësues edhe i shqiptarëve, edhe i maqedonasve“, tha Jahiji.

    Duke iu drejtuar veçanërisht qytetarëve maqedonas, ai përcolli mesazhin se nuk kanë arsye të ndihen të shqetësuar nga ndryshimi i drejtimit të komunës.

    „Ata duhet të ndihen rehat, se asnjë të keqe nuk do ta kenë“, deklaroi ai.

    Jahiji përmendi edhe përvojën e tij profesionale, duke theksuar se prej dy dekadash punon në Shkup me kolegë maqedonas, me të cilët ka ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi dhe miqësie.

    Megjithatë, ai mbrojti qëndrimin se, në rrethanat aktuale politike dhe shoqërore, drejtimi i Bërvenicës nga një shqiptar përputhet me realitetin e komunës.

    „Realiteti në Komunën e Bërvenicës është ky: që duhet të udhëhiqet, në këto rrethana, në këto kontekste që jetojmë, për të pasur një harmoni të vazhdueshme, duhet të udhëhiqet nga një shqiptar“, u shpreh Jahiji.

    Ai sqaroi se përkatësia etnike, në vetvete, nuk është e mjaftueshme për të drejtuar një institucion publik.

    „Nënkuptohet, jo vetëm si shqiptar, por edhe me përgatitje, me profesionalizëm dhe me kompetencë“, përfundoi Jahiji.

    Deklaratat e Jahijit vijnë pas zgjedhjeve të 1 nëntorit, në të cilat ai fitoi përballë kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski. Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Jahiji siguroi 4.442 vota (50,36%), ndërsa Radiçevski 4.177 vota (47,36%). Diferenca ishte 265 vota, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 54,29 për qind. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Në RMV, mbi 2.400 persona vuajnë nga Alzheimeri, ndërsa rreth 5.000 të tjerë nga Parkinsoni

    Lajmi i rradhës

    “Piktori do ta ndalojë me ligj atdhedashurinë, por do të legalizojë hajdutërinë dhe tradhtinë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë