Qeveria: do të ndëshkohet cilido që është përgjegjës për ujin në Gostivar

    Reagimi i Qeverisë së RMV:

    Dua ta informoj opinionin se, që nga momenti i parë kur u mor informacioni për situatën e furnizimit me ujë në Gostivar, Qeveria reagoi shpejt, në mënyrë të koordinuar dhe institucionale, me prioritet të vetëm mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimin e furnizimit të sigurt me ujë.

    Të gjitha institucionet kompetente u angazhuan menjëherë dhe u vendos një koordinim i vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës për Shëndet Publik, Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, si dhe institucioneve të tjera që kanë kompetencë në këtë proces.

    Paralelisht me ndërmarrjen e masave për mbrojtjen e popullsisë, Qeveria vendosi të sigurojë 50.000 litra ujë për qytetarët e Gostivarit, në mënyrë që furnizimi dhe plotësimi i nevojave të tyre të mos vihej në asnjë moment në pikëpyetje. Me këtë ndihmë do të vazhdohet edhe në ditët në vijim, ashtu siç u veprua edhe dje.

    Në situata të tilla, më e rëndësishmja është që institucionet të veprojnë shpejt, me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Pikërisht këtë po bëjmë, edhe pse një pjesë e kompetencave i takojnë vetëqeverisjes lokale. Po aq e rëndësishme është edhe përcaktimi i shkaqeve që çuan në këtë situatë.

    Për këtë arsye, institucionet kompetente ndodhen në terren, ku po kryejnë inspektime, po marrin mostra, po realizojnë analiza laboratorike dhe po mbledhin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

    Presim zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që çuan në këtë situatë. Çdo përgjegjësi që do të konstatohet, qoftë institucionale, zyrtare apo individuale, do të sanksionohet në përputhje me ligjin.

    Nuk do të ketë as selektivitet dhe as kompromis kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve.

    Në këtë fazë, më e rëndësishmja është që publiku të marrë informacion të saktë, të verifikuar dhe në kohë, pa spekulime.

    Për këtë arsye, sot me ne janë ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, dhe drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski, të cilët do të japin informacione më të detajuara mbi zhvillimin e ngjarjeve, nga momenti i parë deri më sot, si dhe mbi të gjitha të dhënat që aktualisht janë në dispozicion të institucioneve qeveritare.

    Lajmi Paraprak

    Frazat prindërore që dëmtojnë vetëbesimin e fëmijëve

    Lajmi i rradhës

    Mesatarja e lartë, pagat e ulëta!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë