Punonjësi i Teatrit të Gostivarit sulmoi një gazetar, ShGM kërkon reagim urgjent të policisë

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) ka njoftuar për një sulm verbal, kërcënime dhe tentativë për t’ia marrë kamerën gazetarit Blerim Mustafi nga TV Globi – Gostivar, i cili, sipas tyre, ishte duke kryer detyrat e tij profesionale gjatë raportimit për një ngjarje me interes publik. ShGM e dënoi incidentin dhe kërkoi reagim nga institucionet kompetente, përcjell Nistori.

    “Sipas informacioneve të dorëzuara në ShGM, incidenti ka ndodhur më 19 korrik në Gostivar, kur personi me inicialet A.L., i punësuar në Institucionin Publik Teatri i Gostivarit, e ka sulmuar verbalisht gazetarin, e ka kërcënuar dhe është përpjekur t’ia marrë kamerën. Rasti është denoncuar në NjPB Gostivar, ndërsa si provë materiale organeve kompetente u është dorëzuar edhe një incizim video nga ngjarja”, thuhet në reagimin e ShGM-së.

    ShGM rikujton se çdo sulm, kërcënim apo presion ndaj gazetarëve përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave dhe të drejtës së publikut për t’u informuar në kohë dhe në mënyrë objektive.

    “Gazetarët duhet të jenë në gjendje ta ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm dhe në mënyrë të sigurt, pa frikë nga kërcënimet apo dhuna. I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që menjëherë të veprojë sipas kallëzimit, t’i sqarojë plotësisht të gjitha rrethanat e rastit dhe të ndërmarrë masat përkatëse ligjore ndaj personit përgjegjës”, theksojnë nga ShGM.

    ShGM shton se do të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje zhvillimin e këtij rasti dhe do të jetë në komunikim të rregullt me Prokurorinë Themelore Publike dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim që të sigurohet një hetim efektiv dhe një epilog i duhur penal, në përputhje me dispozitat ligjore për mbrojtjen e gazetarëve.

    Lajmi Paraprak

    Nga Amerika Latine në Kosovë / Si trafikohen gra për shërbime seksuale?

    Lajmi i rradhës

    Qeveria shpalli gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore në Gostivar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë