Në kuadër të manifestimit tradicional Vera Kulturore, më 21 korrik 2026 u mbajt aktiviteti kulturor dhe artistik “Tetova në Fokus”, i cili e shndërroi hapësirën publike të qytetit në një galeri të hapur me fotografi dhe art digjital, përcjell Nistori.
Ekspozita urbane dhe digjitale prezantoi fotografi të realizuara nga fotografë tetovarë, të cilët përmes objektivit të tyre sollën pamje që pasqyrojnë bukuritë, jetën e përditshme, arkitekturën dhe diversitetin e Tetovës. Punimet tërhoqën interesimin e qytetarëve, nxënësve dhe dashamirësve të artit, të cilët vizituan ekspozitën gjatë zhvillimit të aktivitetit.
Organizatori, Kujtim Ameti theksoi se “Tetova në Fokus” ishte pjesë e kalendarit të aktiviteteve të manifestimit “Tetova n’festë!”, me synim promovimin e krijuesve lokalë dhe vlerave artistike të qytetit.
Përmes kësaj ekspozite, fotografët tetovarë patën mundësinë të prezantojnë punën e tyre para publikut, ndërsa vizitorët të njihen me Tetovën nga një këndvështrim artistik dhe bashkëkohor. /Nistori/






