Dr. Behixhudin Shehapi
Historian i artit
Para një viti e gjysmë, në profilin tim, përmes një shkrimi, shpreha kënaqësinë time për riaktualizimin e ndërtimit të Sahat Kullës në Tetovë nga ana e Komunës së Tetovës, në bashkëpunim me qytetin e Konjës, duke dhënë një përshkrim të shkurtër historik dhe arkitektonik të këtij objekti të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të Tetovës.
Pas fillimit zyrtar të punimeve, ku ishin të pranishëm ministri përkatës, kryetari i komunës dhe drejtori i Qendrës Nacionale për Konservim, institucion i autorizuar për mbrojtjen e monumenteve historike, shumë dashamirës të artit më kontaktuan për disa sqarime shtesë rreth këtij monumenti historik. Edhe gazetarët, të cilët atë ditë kishin disa dilema rreth objektit, mbetën pa disa informata themelore, për të cilat gjykoj se opinioni i gjerë duhet të informohet.
Do të përpiqem që, në pika të shkurtra dhe duke u bazuar në dokumente, fakte dhe hulumtime empirike, ashtu siç e kërkon metodologjia e hulumtimit shkencor, të jap disa sqarime shtesë për këtë monument, i cili është një prej simboleve të Tetovës dhe rindërtimi i të cilit përbën një hap tejet të rëndësishëm për të gjithë tetovarët.
-Ndërtimi i sahat kullave në territorin e Ballkanit, i cili ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, filloi në mesin e shekullit XVI. Sipas një udhëpërshkruesi francez të kësaj periudhe, kulla e parë e sahatit u ngrit në Shkup ndërmjet viteve 1566 dhe 1572, ndërsa ora u soll nga Sigeti i pushtuar. Konsiderohet se nga kjo periudhë rrjedh edhe Sahat Kulla e Tetovës (A. Urošević, Enciklopedija Jugoslavije, Zagreb, VIII, f. 330).
-Sahat Kulla e Tetovës është ndërtuar nga Mehmed Pashë Kaçaniku, me shumë gjasë para vitit 1608, kur u hartua vakëfnameja e këtij pashai, legator i shumë objekteve dhe sundimtar për një periudhë në Tetovë (H. Kaleshi, M. Mehmedovski, Tri vakufnami na Kačanikli Mehmet-paša, Shkup, 1958, f. 57).
– Kulla e Sahatit ishte rreth 27 metra e lartë, me një orë të vendosur në pjesën e sipërme, e cila shihej nga të katër anët. Ajo paraqiste një godinë monumentale me bazë katrore, që kalonte në një formë poligonale dhe përfundonte me një çati interesante. Ishte ndërtuar me materiale të forta, kryesisht gur gëlqeror dhe mermer, ndërsa pjesa e sipërme përfundonte me një strukturë prej druri, të hapur nga të gjitha anët, e cila shërbente për vëzhgimin e qytetit (Dimovska-Çolović M., Saat kulite vo R. Makedonija, Shkup, 2008, f. 57).
– Sahat kullat kishin një funksion utilitar: tregonin kohën e faljeve (namazeve) dhe kohën e saktë për popullatën. Kjo dëshmon se ato ishin në shërbim të qytetarëve, por përdoreshin edhe për vëzhgimin e situatës në qytet, veçanërisht për identifikimin e rreziqeve nga zjarret, vjedhjet dhe ngjarje të tjera të ngjashme (Oto-Dorn K., Islamska umetnost, Novi Sad, 1971).
– Ajo është ndërtuar në afërsi të xhamisë ekzistuese, e cila ishte ndërtuar më herët, por më vonë mori emrin Xhamia e Sahatit. Po ashtu, edhe lagjja njihet si Mahalla e Sahatit, pasi sahat kullat ndërtoheshin kryesisht në zonat qendrore të qytetit, pranë xhamive ose pjesëve më të mëdha të komplekseve urbane.
– Sahat Kulla e Tetovës i mbijetoi Luftërave Ballkanike pa dëmtime të mëdha. Rrënimi i saj ndodhi si rezultat i një vendimi me arsye mjaft banale. Konkretisht, në vitin 1933, me insistimin e një mjeku, i cili pretendonte se e pengonte tingëllimi i vazhdueshëm i sahatit pasi banonte aty pranë, kryetari i atëhershëm i Komunës së Tetovës, Orestije Krstiq, së bashku me drejtues të tjerë komunalë, mori vendim që kulla të rrënohej deri në themel (H. Kaleshi, M. Mehmedovski, vepra e cituar; Gazeta “Glas Pologa” , 24.04.1937, “Porušena Sahat kula u Tetovu”, f. 2).
– Në vitin 2005, Qendra Nacionale për Konservim, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, nisi një iniciativë për rindërtimin e saj. U kryen kërkime arkeologjike, u zbuluan themelet dhe, në vitin 2006, mbi bazën e parametrave të gjetur dhe në krahasim me sahat kullat e Gostivarit dhe Shkupit, u hartua një projekt konceptual për rekonstruimin e saj.
Uroj Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Tetovës, si dhe qytetin e Konjës për interesimin dhe gatishmërinë për rifillimin e realizimit të kësaj iniciative.
*(Fotografia e marrë nga libri i Ismail Arrsllanit”Tetova ne dosjen e kohës” ,Tetovë, 2018, e më pastaj perpunuar me IA)






