Krahasim mes epokash

    LEKË TASI

    Njeriu në çdo kohë është i pakënaqur me gjendjen dhe kjo është mjaft pozitive. Por po t’i shohim shoqëritë nga aftësia për të pastruar ndotjen që i bën të pakënaqura, kjo difekton për mungesë sensi autokritik të qëndrueshëm në to. Vetëm dekadat e fundit ai është shfaqur thuajse papritmas dhe po përdoret prej autorëve me një kënaqësi prej opozitari, që ka heshtur gjatë. Ata po shpallin me furi njolla të personazheve që deri dje gëzonin lavdi. Dhe ky demaskim përmbysës i historisë prek edhe brezin e porsa kaluar si një trokitje që të dëgjojë dhe i sotmi! Ngjan me një vetëdijësim rekord të shoqërisë, por nuk është i tillë, ai i kumtohet asaj, por vjen nga një pakicë historianësh të pavarur dhe po i kalon tangent trupit të saj që vazhdon të merret me të tjera gjëra.

    Megjithatë, pritet të sjellë pasoja kritike edhe në gjerësi, sepse përhapja e përshpejtuar, siç e ka zakon epoka digjitale, do të sjellë ndikime të llojit së paku polemik siç i pëlqen një pjesë e saj. Mesazhi i tyre mund të krahasohet për nga radikaliteti, me atë të vitit 1848, por sigurisht në drejtim diametralisht të kundërt. “Manifesti Komunist” pat vepruar jo si reformë, por si skandal, ai u bënte thirrje masave për të shembur jo vetëm establishmentin po edhe vetë ligjin dhe si provë që nuk kishte bazë shkencore, kemi sugjerimin e kolegut F.Engels për përpunim e verifikim statistikor të pakënaqësisë, të refuzuar nga K. Marks, që i duhej vetëm ndezja e detonatorit emocional, që do të sillte stuhinë në qiellin e Evropës. Një qasje mjeshtërore e tija veç për konflikt, që barazon fitën për grindjet familjare me ato politiket, por njëherazi tërësisht e pa bazë në terren në daç për frymë militante tek punëtoria, ashtu dhe për antipati mes popullsive kufitare që në fakt zhvillojnë miqësira mes tyre.

    Lufta klasore pra tërësisht e panatyrshme. Populli është natyrë, prandaj është temë studimi për ç’del prej tij, siç ia gjeti ligjësitë ekonomia bashkëkohore njërën mbas tjetrës. Por kur ai lloj apeli direkt masave, siç e jepte “Internacionalja” në një sfond muzgu, kishte kaq shumë natyrë në impaktin me besnikët e saj, sa që për kompensim simetrik, e mbajti lart amanetin e dhunës klasore duke e idealizuar. Hyri një fazë historike e urrejtjes, që përfundoi mbas revolucionesh e luftërash me kthim miliona të raskapiturish mbrapsht tek pika e nisjes, të vuajtur por jo të penduar. Kjo kuptohet nëse vendosim pranë tyre për krahasim, psikologjinë perëndimore tërësisht të dorëzuar Progresit që i falet fitimit dhe mendësisë moderne. Pendesa ose reflektimi i pjekur vjen jo si fitore por si qasje me vuajtjen e përgjithshme dhe është ende e paarrirë në kontinent. Edhe sot që vërejmë daljen në skenë të historisë integrale nga këta historianë dhe kërkues në portale me ton të qetë dhe pa i rënduar fajtorët përtej reales, pra jo fushatë por secilit ad hoc, shohim pak entuziazëm ndaj saj.

    Kjo ndodh për shkak të indiferencës së përhapur nga mirëqenia që shmang përgjithësimet, kusht ideal për të dhënë masa amorfe. Rastet janë të panumërta dhe kuptojmë në to pse gjenerojnë pak pendesë dhe më shumë mllef. Ato ecje të kolonave të vuajtura në 1945 përmes kontinentit, patën frymë pendese jo përtej atij brezi dhe u pasua me kthim tek pretendimet e vjetra në brezin pasues. Vihet theksi te mirëqenia që ta mbyll shikimin rrotull për ta mprehur tek vogëlsirat. Kështu që edhe shanset e rishikimit të thellë të historisë i vijnë shumicës në shkallë të reduktuar. Hapja vet ndodh si pasojë e një procesi objektiv, prej inflacionit pa krahasim të lajmeve dhe me dëshirën për polemikë, jo si pasojë e ndonjë pendimi. Mos na e përmend pendimin, arrijnë britma nga të katër anët, ne jemi të pakënaqur që nuk kemi shkuar aq larg sa donim në mospendim, ti po na e kujton se ekziston! Megjithatë, nuk janë të gjithë dakord… Ka persona siç thamë që vihen në punë me vendosmëri sepse mjetet janë të lira tanimë, dhe uria për lajme ka marrë dhenë.

    Kryesorja vjen e përzier me mllefe, dmth., me frymë rivaliteti në vend të asaj që përbashkon, pra jo për një rishikim të thellë që sjell frymën e përtëritjes. Por s’ka gjë, mjaft që të vërtetat e varrosura të dalin në dritë, dhe kjo fitore e vuajtjes së kaluar mbi mashtrimin e atij momenti dhe atij aktual gëzon dhe u jep zemër disave dhe shkund disa të tjerë. Po pse them se rishikimi po vjen i thellë historiografia e vjetër ndihet e diskredituar definitivisht për rrumbullosjet dhe pasinqeritetin e saj dhe prapë masa e madhe mbetet jashtë vetëdijësimit? Sepse akte të një rëndësie kapitale si ai i Papës Leon XIV në drejtim të pastrimit financiar që mban qysh me Gjon Palin I, por me diskrecionin që i takon një procesi të kësaj natyre, të bën të mendosh se sa të zhytura janë masat në paganizimin që nuk shqitet, sa të mos i lejojë që lajmi t’i arrijë. Parashihet që aktualiteti evropian të lëvizë, edhe pse në fuqi janë parti jo të favorshme ndaj transparencës së nisur që përmendëm.

    Ato i përkasin nostalgjisë të revanshit. Por përtëritja mund të vijë prej rrafshit banal të thjesht mrekullimit, për të kaluar tek ai i ndier, siç ka ndodhur gjithmonë, deri tek ajo e kaluar dymijëvjeçare që nisi qytetërimin sot të katandisur hije në Evropë, një përzierje heroizmi me shumë inercie formaliste. Nën atë sinjal që falë diskrecionit përhapet vetëm ndër ma të afërtit, kanë dalë prej vitesh grupet e vogla të ripërtritjes që e kultivojnë në dobi të përhapjes, dy këtu, një atje, të tjerë më tutje, nëpër aula universitetesh dhe po e përçajnë frontin progresist, ngaqë në vazhdën e tyre, e tërë sfera e informacionit po e zgjeron rrethin e të interesuarve. Pse kundër progresit? Pyesin plot nga opinioni i çoroditur, që prej kohësh nuk i dallojnë dot se si dobia, e mira, lumturia maten edhe jashtë rritjes ekonomike, madje kundër saj. Është detyra e këtij kontingjenti të ri gazetarësh e profesorësh t’i informojnë për disa hollësi të progresit në akumulimin e tij pasuror që ka kaluar dy-tre shekujt e fundit duke furnizuar Evropën me të mira materiale, dhe duke i sjellë mirëqenie të gjithëve deri tek më i fundit puntorë, pjesë e mekanizmit, kanë ngritur lart në kulm egoizmin vrasës në çdo objekt luksi që veshim.

    Është e tëra mall i progresit, i asaj historie luftarake pronarë-proletarë, që korruptoi me mëditje të majme të dytët në metropol, sepse kishte gjetur të tjerë në thellësitë e Afrikës me 1/20 të mëditjes dhe me lirinë plus për t’i sakatuar barbarisht gratë e vajzat e mitura, por larg çdo publiciteti. Kjo zbulesë tronditëse është bizhuja që mban në kapele gazetaria e re dhe s’ka si mos t’ia njohim si meritë edhe kontinentit tonë erë-kërmë, që e gjeti diku në arkiva dhe po e përdor. Në fakt, nuk ka pushuar kurrë ajo egërsi e të bardhëve që kur e armatosur me tagrin për të vrarë të pafajshmit e vet në piacat e Parisit, e përhapi kudo ku e çonte nevoja për espace vital, me helmim pusesh për të shuar fiset e Namibis mu në shtëpinë e tyre, e të tjera dinamite të lidhura pas trupit që të plasnin. Ishte ekzakt zbatimi i Krishterimit me shenjë algjebrike negative ! Mbaheshin të fshehura sepse duhej që edhe fasada kristiane të përdorej me brezat e rinj si rezervë në kohërat që arka të ishte plot dhe mund të dilnin fuqi të tjera t’i rivalizonin për moral…

    Procesi i sotëm i transparencës në thellësi të gjërave, ka prurë një njohje të plotë mbi ngjarje të padurueshme kur i kujton, saqë jo vetëm i krishteri sado i zbehur, por edhe thjesht qytetari i rritur sekularisht, të ndjejë nevojë për pendesë. Del çështja e rivaliteteve mes dy brigjeve të Atlantikut dhe dy-tri qendrave të tjera të fuqisë në planet. Vihet re një veçori interesante mes SHBA dhe Anglisë. Kanë qenë aniet angleze që çonin të rinj afrikanë në tregjet e Karaibeve gjatë dy shekujve, me mbushjen e fushave të 13 kolonive në veri dhe sot të kthyera në SHBA. Nevojat konkrete në atë territor të gjerë sollën një lloj krishterim më fort të orientuar te Testamenti i Vjetër dhe qenia e skllevërve një komunitet në fund të shkallës sociale, solli deri vonë egërsira deri linçime të tyre. Kjo mbajti edhe mbas Luftës së Secessionit, kur ata fituan statusin e qytetarit; dhe për çudi edhe në L2B, dmth 80 vjet më pas, kur ushtarët amerikanë lëkurëbardhë me qëndrim në Britani, pretendonin veçim prej shokëve të tyre zezakë në lokalet e Londrës, gjë që u refuzua me indinjatë nga pronarja. E pra, sot ai dallim është zhdukur atje më fort se kudo gjetkë, dhe në drejtim krahasues flet një film ku disiplinës së tepruar britanike (A.Hopkins kamarier) një personazh amerikan liron një zog nga kafazi si sinjal që liria sociale duhet t’i hedhë tej ato pranga koti. Shkurt, mos janë sindroma lirie që ajo tokë i zbulon institucionalisht dhe i takon t’ua kalojë botës, madje paralel me rritjen e saj të shpërpjesëtuar si potencë, dhe pezmit të ish kushërinjve për të mos iu bindur?

    Në Afrikë e gjetkë, pronari evropian kontrollonte punëtoret gra, nëna e bija të mitura, me prerje duarsh për mos realizim normash. Impakti qe maksimal dhe erdhi në rritje neveria e papritur kur u mor vesh se kishte pasur edhe helmime pusesh po në Afrikë, me qëllim skllavërimi të popullatave. Këto hollësi na mbaheshin të fshehura deri dje, pse? Sepse qysh atëherë të gjitha fuqitë në botë, të çdo tendence o emërtese paçin qenë më herët, do të identifikoheshin që prej një caku e këtej me dëshirën për fuqi e diktat dhe të fitimet e metodës së mësipërme (nën zë: të prerjes duarve dhe helmim pusesh, një gjenocid që sot ia lëshojnë si akuzë mbasi kishin praktikuar…) rekomandoheshin si maja e përfitimit! S’mund të neglizhohej një metodë e tillë dhe në fakt pati zbatime të njiqindfishta, në të gjitha meridianët. Për t’u shënuar: variantet që mund të arriheshin rendimente me të kundërtën si psh., me pushime ndërmjetësuese rekreacioni dhe muzike, patën zbatime vetëm lokale, a thua se tahmaja historike mbijetonte si një kënaqësi e pazëvendësueshme zotërimi të indigjenit e jo thjesht si detyrim prej lakmisë. Po dilnin kështu anë të nëndheshme të shpirtit njerëzor, që e bënin çështjen koloniale më të vështirë për t’u zgjidhur dhe shumëfish të tillë për t’u rrëfyer, mbasi ndërkohë i shtoheshin në territorin evropian tani dhe për inat të sukseseve të shkencës, forma të reja të ambicies antishoqërore, e llojit Zgjidhje Totale (që do të realizohej me dorën e specialistëve të vdekjes në kampe, dhe me sjellje mirësjellje njerëzore të elitës naziste mes tyre ). Por duhet theksuar si një shtrydhje e statusit europian të ardhur në këtë shkallë konceptesh politike ku ndahet urdhëruesi me zbatuesin se përfund tij ka mbijetuar elementi i dhunshëm psikologjik në politikë ndërkombëtare, sepse drita e hedhur së fundi e denoncon edhe krahun e demokracisë tipa të veçantë liderësh që dublonin diktatorët haptazi shnjerëzorë me një sjellje po aq të njëjtë kur dënonin me uri të detyrueshme shtete që luftonin me ushtri për ta! E tërë kjo për mbizotërim pa afat mbi ta si koloni, një justifikim që turpëron shumë fort të kulturuarin dhe gati shpërfill të merret me primitivin. Pendesa si kategori shpirtërore nuk mund të përfytyrohet në një Evropë që ka bartur duke i përsosur teknikat e mbizotërimit, por vetëm tek ata që me masa tërheqjeje i jep nisje edhe ndihmës vendeve dje të zotëruara. Të mos i përmendim milionat që i dedikuan këtij pasurimi që i falet progresit, e cila niset e tëra nga kontinenti djep i qytetërimit perëndimor, dhanë shembullin dhe asistencë logjistike në mbarë botën. Nuk është për t’u habitur që me këto tri raste Lager Gulag, Revolucion Kulturor, mund të mblidhen të gjitha llojet e koncepteve politike që hyjnë nën parullën e pasurimit me çdo kusht dhe kundër tyre vendoset ajo e harruara dhe e pagjendura më: e pendesa. S’gjendet më se urgjenca që sjellin portalet e detyrojnë të rrëfehet, në mos të fshihet përgjithmonë. Pak gjasa të ndodhë dhe kjo prandaj pritet një periudhë acarimi të gënjeshtrës të paparë ndonjëherë. Në kujtesë vjen filmi “The remains of the day”, (Mbetjet e ditës)!/Gazeta Panorama

    Lajmi Paraprak

    2 Gushti – Dita përkujtimore e gjenocidit ndaj romëve

    Lajmi i rradhës

    Ndryshime klimatike ekstreme, muajt e ardhshëm do të jenë të pazakontë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë