Gjatë muajit gusht, policia regjistroi 606 shkelje të kryera nga drejtuesit e skuterëve elektrikë, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara në të gjithë vendin. Gjatë aksioneve u konfiskuan gjithashtu 18 skuterë elektrikë për një periudhë prej 30 ditësh, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.
Shkelja më e shpeshtë ishte drejtimi i skuterit pa jelek reflektues gjatë natës, për çka u sanksionuan 162 drejtues. Ndërkaq, 134 persona të tjerë u gjobitën për mosshfrytëzimin e shtegut për biçikleta ose këmbësorë, ndërsa 59 drejtues u kapën duke drejtuar skuterin pa helmetë mbrojtëse.
Policia regjistroi gjithashtu 45 raste në të cilat në një skuter udhëtonin dy persona, si dhe 20 shkelje të kryera nga të mitur që drejtonin skuterë elektrikë.
Numri më i madh i shkeljeve u regjistrua në zonën e Manastirit, gjithsej 236, pasuar nga Shkupi me 97 dhe Strumica me 82. Në Ohër u regjistruan 57 shkelje, në Tetovë 27, në Veles 18, në Shtip 13 dhe në Kumanovë shtatë. Edhe 69 shkelje të tjera u konstatuan nga Njësia Mobile për Siguri në Trafikun Rrugor.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe respektimin e rregullave të trafikut.




