SHKËLZEN HASANAJ
Shqipëria po përballet me një nga sfidat më të mëdha të historisë së saj moderne. Ndërsa vendi po zbrazet nga shqiptarët, me mijëra të rinj që largohen çdo vit, lindjet bien në mënyrë të vazhdueshme dhe popullsia po plaket, qeveria po intensifikon marrëveshjet me vende si Filipinet, Vietnami, Indonezia dhe shtete të tjera për të sjellë mijëra punëtorë të huaj në sektorët e turizmit, ndërtimit, prodhimit dhe shërbimeve.
Ky realitet nuk mund të shihet vetëm si një zgjidhje ekonomike për mungesën e fuqisë punëtore. Ai ngre një pyetje shumë më të thellë: a po ndërton Shqipëria një strategji për të ndalur shpopullimin, apo po mësohet ta zëvendësojë atë?
Shpopullimi nuk është vetëm një problem demografik. Ai është një sfidë ekonomike, sociale, kulturore dhe politike. Një shtet që humbet vazhdimisht qytetarët e tij humbet kapitalin njerëzor, dobëson kohezionin shoqëror dhe vë në rrezik zhvillimin e tij afatgjatë.
Askush nuk është kundër atyre që vijnë në Shqipëri për të punuar ndershmërisht dhe për të respektuar ligjin. Mikpritja ka qenë gjithmonë një nga vlerat më të çmuara të popullit shqiptar dhe duhet të mbetet e tillë.
Por mikpritja nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë e shtetit për të menaxhuar flukset migratore, për të garantuar integrimin dhe për të mbrojtur rendin publik.
Ngjarjet e fundit të raportuara në Kamëz dhe Lezhë nuk përfaqësojnë të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë në Shqipëri. Krimi nuk ka kombësi dhe përgjegjësia është gjithmonë individuale. Megjithatë, ato na kujtojnë se çështjet e sigurisë publike dhe të integrimit nuk mund të trajtohen si tabu apo të injorohen për arsye korrektësie politike.
Përvoja e disa vendeve europiane tregon se, kur flukset migratore nuk shoqërohen me politika serioze integrimi, me kontroll efektiv dhe me zbatim të ligjit, mund të krijohen tensione sociale, vështirësi në bashkëjetesë dhe sfida për sigurinë publike. Shqipëria, si një vend i vogël dhe i goditur rëndë nga shpopullimi, nuk mund t’ia lejojë vetes të përsërisë gabime që vende të tjera po përpiqen t’i korrigjojnë prej vitesh. Sfida nuk është vetëm të plotësohet mungesa e fuqisë punëtore. Sfida është të ndalet largimi i shqiptarëve, të krijohen kushtet për rikthimin e diasporës dhe, njëkohësisht, të ndërtohet një politikë kombëtare për emigracionin, e bazuar në integrim, respektim të ligjit, siguri dhe mbrojtje të interesit kombëtar.
Ky nuk është një debat kundër të huajve. Është një debat për të ardhmen e Shqipërisë. Nëse nuk trajtojmë me seriozitet shpopullimin dhe nuk qeverisim me vizion flukset migratore, rrezikojmë të dobësojmë kohezionin tonë kombëtar dhe të përballemi nesër me sfida që sot i shohim në disa vende europiane. Shqipëria është një vend i vogël. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të lejojë që ndryshime kaq të rëndësishme demografike të ndodhin pa një strategji afatgjatë. Koha për të vepruar është tani.
Autori, Sociolog dhe Profesor i Sociologjisë Universiteti Ndërkombëtar UNINT, Romë -Panorama-






