KFOR nis tranzicionin gradual nga ura mbi Ibër në Mitrovicë

    Sipas KFOR-it ky hap reflekton përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Lista Srpska e kundërshton tërheqjen apo çfarëdo zvogëlimi të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër.

    Trupat e NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftuan se kanë nisur një tranzicion gradual të pranisë së tyre në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, tranzicion ky që do të koordinohet ngushtë edhe me Policinë e Kosovës, misionin EULEX dhe institucione të tjera vendore dhe ndërkombëtare.

    Trupat e KFOR-it kanë qëndruar që nga përfundimi i luftës mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan pjesën veriore të Mitrovicës, e banuar me shumicë serbe, nga ajo jugore, e banuar me shumicë shqiptare. Kjo urë ka qenë shpeshherë burim tensionesh ndëretnike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

    KFOR-i njoftoi se ky hap po ndërmerret “në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë” dhe është pjesë e “optimizimit të pozicionimit të KFOR-it”, duke shtuar se “personeli i tij është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e KFOR-it të dhënë nga KS i OKB-së”.

    “KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thanë ushtarakët e KFOR-it për mediet lokale.

    Përmirësimi i situatës së sigurisë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e përshëndeti nisjen e procesit të largimit gradual të KFOR-it nga ura mbi lumin Ibër, duke thënë se me përmirësimin e situatës së sigurisë do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës.

    “Të gjithë jemi dëshmitarë të fillimit të një procesi ku përgjegjësia për sigurinë në Urën e Mitrovicës do t’i kalojë Policisë së Kosovës dhe kjo vjen pas një pune të gjatë dhe të suksesshme të të gjitha institucioneve të sigurisë”, deklaroi Sveçla.

    Ura mbi lumin Ibër deri tani ka qenë e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa, sipas ministrit Sveçla, në koordinim të ngushtë me KFOR-in do të ndërmerren hapa të tjerë drejt hapjes së urës edhe për automjete.

    Dy urat e tjera mbi Ibër

    Qeveria e Kosovës ka ndërtuar një vit më parë edhe dy ura të tjera përkrah urës kryesore mbi Ibër, një për këmbësorë dhe një për automjete, me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, që vazhdon të mbetet i ndarë etnikisht që nga lufta në Kosovë në vitin 1999.

    Reagimi i Lista Srpska

    Nisma e KFOR-it për largimin gradual nga ura mbi lumin Ibër nxiti reagimin e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Srpska, e cila tha se “kundërshton tërheqjen apo çfarëdo zvogëlimi të pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër”.

    Në një njoftim për media Lista Srpska tha se “ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, për t’i përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri dhe për të kërkuar ndaljen e kësaj mase”.

    Sipas Listës Srpska “për shkak të situatës politike dhe të sigurisë, si dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, çdo vendim për praninë e forcave të sigurisë aty duhet të merret me kujdes për faktin se “Policia e Kosovës nuk e ka fituar besimin e serbëve në veri dhe se prania e KFOR-it në urë përbën një faktor të rëndësishëm stabiliteti”.

    Më herët gjatë ditës së hënë, misioni i KFOR-it njoftoi se ka filluar edhe “integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it edhe në Manastirin e Deçanit”, në perëndim të Kosovës objekt ky që së bashku me klerikët serbë që shërbejnë aty, nga përfundimi i luftës, sigurohet nga trupat e KFOR-it. DW

    Lajmi Paraprak

    Klimatologët paralajmërojnë: Europa drejt rritjes së ditëve me nxehtësi ekstreme dhe netëve tropikale

    Lajmi i rradhës

    Gabimi që bëjnë shumica e prindërve kur flasin me adoleshentët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë