Në muajt e verës, kur lëvizim nëpër zonat urbane, instinktivisht kërkojmë vende me më shumë hije, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta të ditës, përcjell Nistori.
Natyrisht, këtë e bëjmë duke u nisur nga supozimi i drejtë se në hije do të jetë më freskët sesa nën ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit.
Vendosëm ta testonim këtë në disa lokacione në Shkup, duke përdorur një termometër shtëpiak me mundësi matjeje në dy pika. Më 14 korrik, rreth mesditës, matëm temperaturën në hije dhe në diell, në një distancë prej vetëm tre metrash.
Fillimisht, rreth orës 11:20, në Bulevardin „Partizanski Odredi“, matëm 33 gradë Celsius në hije dhe 40 gradë në diell.
Situata ishte e ngjashme edhe në Bulevardin „Shën Kliment Ohridski“, ku në orën 11:45 temperatura ishte 34 gradë në hije dhe 44 gradë në diell.
Dallimin më të madh e regjistruam në orën 12:30, në Parkun e Qytetit, ku temperatura ishte 31 gradë në hije dhe 47 gradë në diell.
Sigurisht, ky nuk është një studim shkencor dhe matjet nuk janë kryer me pajisje profesionale.
Megjithatë, dallimi mes temperaturave të matura ishte aq i madh, saqë shërben si tregues i qartë i ndikimit që ka gjelbërimi në nxehtësinë që ndiejmë.
Një studim shkencor mbi këtë çështje është realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe është publikuar në dhjetor të vitit 2023.
Studiuesit matën temperaturat nga 22 deri më 28 korrik 2022, në nëntë lokacione në Shkup, dhe arritën në përfundimin se në katër prej tyre krijohet i ashtuquajturi efekt i ishullit urban të nxehtësisë.
Ky efekt shfaqet në zonat urbane me përqendrim të lartë ndërtesash dhe ku një pjesë e madhe e sipërfaqeve është e mbuluar me materiale, si betoni dhe asfalti, të cilat e thithin dhe e ruajnë nxehtësinë.
„Dallimi më i madh që konstatuam mes lokacionit më të nxehtë dhe atij më të freskët ishte 7,9 gradë. Në rrugën ‘Nikolla Trimpare’, ku pothuajse nuk ka pemë, temperatura e ajrit arriti në 42 gradë, ndërsa në Parkun e Qytetit, ku ka shumë gjelbërim, ishte 34,1 gradë“, tha për BIRN-in dr. Džansun Bukovec, specialist i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore në ISHP dhe një nga autorët e studimit për Shkupin.
Përfundimi i ISHP-së është se gjelbërimi ndikon ndjeshëm në temperaturat urbane. Studiuesit kërkojnë mbjellje urgjente dhe të planifikuar të pemëve përgjatë bulevardeve dhe rrugëve në të gjithë Shkupin, me qëllim zvogëlimin e numrit dhe intensitetit të ishujve urbanë të nxehtësisë, si dhe të ndikimit të tyre në shëndetin e këmbësorëve dhe çiklistëve.
Arkitektura urbane që e ngroh qytetin
Ndryshe nga sfida më e gjerë e ndryshimeve klimatike, e cila kërkon zgjidhje komplekse në nivel global, efektet e ishujve urbanë të nxehtësisë mund të zbuten ndjeshëm përmes masave në nivel lokal.
Ky fenomen është trajtuar në dokumente dhe studime të ndryshme strategjike, ndër të cilat „Shkupi Rezistues: Strategjia për Ndryshimet Klimatike“ e vitit 2017 dhe „Ishujt Urbanë të Nxehtësisë: Analiza dhe Plani i Veprimit“ i vitit 2018.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se janë të vetëdijshëm për problemin dhe se po ndërmarrin aktivitete për zbutjen e efekteve të ishujve urbanë të nxehtësisë, si dhe po zbatojnë projekte për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Ndër aktivitetet që përmenden janë mirëmbajtja e hapësirave të gjelbra publike, mbjellja e rreshtave me pemë dhe ripyllëzimi, përmirësimi i infrastrukturës së gjelbër, mbështetja e lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane dhe zvogëlimi i emetimeve nga trafiku.
Megjithatë, problemi është larg zgjidhjes dhe pritet të bëhet edhe më kompleks për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit. Një shembull është stuhia e 21 korrikut, kur, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të gjithë qytetin u rrëzuan pothuajse 200 pemë.
„Nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse ndaj projektimit të hapësirave publike. Realiteti ynë i ri karakterizohet nga temperatura më të larta dhe valë të nxehtësisë gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive. Prandaj, duhet të mendojmë për më shumë gjelbërim urban dhe hije natyrore, ndërsa sipërfaqet e shtruara duhet të reduktohen“, shpjegoi për BIRN-in arkitektja Milka Dokuzova.
Sipas saj, përdorimi i materialeve të përshkueshme, të cilat mundësojnë depërtimin e ujit dhe kontribuojnë në ftohjen e mjedisit, si dhe çatitë e gjelbra dhe ato reflektuese, janë vetëm disa nga zgjidhjet e mundshme.
Plani i Veprimit i vitit 2018 analizon disa lokacione në Shkup ku shfaqet ky fenomen dhe ofron propozime konkrete për zvogëlimin e efektit të nxehtësisë.
Ndër lokacionet e analizuara janë Debar Maalo, zona pranë stacionit hekurudhor në Maxhir Maalo dhe Rruga e Plastikave në Çair. Zgjidhjet e propozuara përfshijnë kopshte vertikale, gjelbërim përgjatë rrugëve dhe parkingje të gjelbra.
Nga imazhet më të fundit të disponueshme në Google Earth, të vitit 2025, mund të shihet se gjelbërimi në këto zona ka mbetur pothuajse i pandryshuar ose, në disa raste, është reduktuar.
Në lokacionin në Çair, ku Plani i Veprimit parashikonte transformimin e një hapësire të lënë pas dore mes rrugëve „Pere Toshev“ dhe „Krimska“ në një park që do të ndihmonte në ftohjen natyrore të zonës, jo vetëm që nuk është shtuar gjelbërimi, por ndërkohë janë ndërtuar edhe më shumë objekte.
Dr. Bukovec shpjegon se urbanizimi intensiv dhe mungesa e gjelbërimit kanë pasoja serioze për shëndetin publik, jo vetëm gjatë ditës, kur temperaturat janë më të larta, por edhe gjatë natës.
„Krijohet i ashtuquajturi efekt i radiatorit, pra nxehtësia e akumuluar gjatë gjithë ditës vazhdon të ndihet edhe gjatë natës, duke mos i dhënë trupit mundësi reale për t’u rikuperuar dhe rigjeneruar pas ekspozimit ndaj temperaturave të larta“, shpjegoi ai.
Sipas arkitektes Dokuzova, mungesa e gjelbërimit të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm në zonat urbane përbën, në fakt, mohim të së drejtës së qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm dhe për qasje të barabartë në hapësira publike cilësore.
Ajo thekson se Ligji për Gjelbërimin Urban përcakton që të paktën 20 për qind e çdo parcele ndërtimore duhet të jetë sipërfaqe e gjelbër.
Megjithatë, sipas saj, ky detyrim shpesh nuk respektohet në mënyrë të vazhdueshme ose përmbushet vetëm formalisht, përmes vendosjes së gjelbërimit në vazo ose të bimëve të papërshtatshme, të cilat thahen shpejt dhe nuk mund të sigurojnë hije të mjaftueshme, të mbajnë ujin e shiut apo të kontribuojnë ndjeshëm në ftohjen e mjedisit.
„Një nga arsyet kryesore për këtë është përpjekja për të rritur me çdo kusht përqindjen e ndërtimit dhe koeficientin e shfrytëzimit të parcelave ndërtimore, në kurriz të gjelbërimit, hapësirave publike dhe, në fund, të cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve“, shtoi Dokuzova, duke theksuar se ky trend vërehet edhe jashtë Shkupit.
Rrezik për shëndetin e qytetarëve
Sipas raportit të vitit 2025 të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë valëve të të nxehtit u regjistruan 1.226 raste në të cilat qytetarëve iu dha ndihmë mjekësore nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore.
Raporti përmend 12 diagnoza, mes tyre marramendje, të fikët, dehidratim dhe djegie nga dielli, si dhe infarkt akut të miokardit dhe infarkt cerebral, të regjistruara kryesisht te popullata e moshuar.
Ndër grupet më të cenueshme janë të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me obezitet dhe pacientët me sëmundje kardiovaskulare.
„Sipas literaturës botërore, rritja e temperaturës për vetëm një gradë Celsius mbi 31 gradë e rrit vdekshmërinë e përgjithshme me 5 për qind“, shpjegoi dr. Bukovec.
Sipas tij, për t’u përballur sa më mirë me këto sfida, qytetarët duhet të dinë si të mbrohen në nivel individual, por po aq e rëndësishme është edhe përgatitja institucionale gjatë muajve të verës.
Ai thotë se masat individuale mund të duken të zakonshme dhe të përsëritura nga Instituti çdo vit, por thekson se ato njihen dhe zbatohen në mbarë botën, sepse janë efektive.
Ndër rekomandimet kryesore janë shmangia e aktivitetit fizik dhe e lëvizjes në ambiente të hapura ndërmjet orës 11:00 dhe 17:00, veshja e rrobave të lehta dhe të rehatshme prej pambuku që mbulojnë trupin, përdorimi i kapelës me strehë të gjerë dhe i kremit mbrojtës nga dielli me faktor të paktën 30, si dhe konsumimi i rregullt i ujit, pa pritur shfaqjen e etjes.
Sipas tij, pikërisht masa e fundit duhet të mbështetet edhe institucionalisht, përmes sigurimit të burimeve publike të ujit të pijshëm në të gjitha qytetet.
Përveç kësaj, dr. Bukovec vlerëson se është jashtëzakonisht e rëndësishme që institucionet të kenë protokolle të brendshme funksionale gjatë valëve të të nxehtit, veçanërisht institucionet parashkollore, shkollat fillore, institucionet për përkujdesjen e të moshuarve, shtëpitë e fëmijëve dhe institucionet korrektuese.
Ndër masat që ai propozon për institucionet janë oraret fleksibile të punës, mundësimi i rotacionit në vendet e punës dhe pushimet më të shpeshta.
„Ne nuk mund t’i parandalojmë valët e të nxehtit, por mund t’i zvogëlojmë ndjeshëm pasojat e tyre negative për shëndetin. Çdo gradë më pak në mjedisin urban nënkupton jo vetëm më shumë rehati, por edhe rrezik më të ulët për sëmundje, shtrime në spital dhe vdekshmëri të parakohshme“, përfundoi dr. Bukovec.
*Burimi: Prizma






