Debreshi i Gostivarit prej muajsh pa ujë të pijshëm, banorët paralajmërojnë protesta

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Shoqata për Zhvillim dhe Përparim „Debreshi“, në emër të banorëve të fshatit Debresh të Gostivarit, u është drejtuar me letër të hapur institucioneve shtetërore dhe lokale, ambasadave dhe mediave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e krizës së furnizimit me ujë të pijshëm, përcjell Nistori.

    Letra, e datës 13 gusht 2026, i është drejtuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ambasadave të akredituara në vend, Komunës së Gostivarit, Ndërmarrjes Publike „Komunalec“ – Gostivar, ministrive dhe institucioneve kompetente, si dhe institucioneve përgjegjëse për shëndetin publik dhe sigurinë e ujit.

    Sipas Shoqatës, problemi me furnizimin me ujë në Debresh, vendbanim me mbi 7.000 banorë, vazhdon prej muajsh dhe për shumë familje mungesa e ujit është bërë pjesë e përditshmërisë.

    „Situata në Debresh ka kaluar prej kohësh kufijtë e një problemi të zakonshëm teknik. Për shumë familje, mungesa e ujit është bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa në periudha të gjata furnizimi ka munguar pothuajse tërësisht“, thuhet në letër.

    Në dokument rikujtohet se më 19 qershor 2026, banorët e Debreshit organizuan protestë para institucioneve lokale, duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme. Pas protestës, sipas Shoqatës, përfaqësuesit e banorëve kanë zhvilluar komunikime dhe takime me pushtetin lokal dhe institucionet përgjegjëse.

    „Na u komunikua se do të ndërmerreshin masa dhe se do të realizoheshin punime për përmirësimin e furnizimit me ujë. Megjithatë, pavarësisht kontakteve, premtimeve dhe punimeve të paralajmëruara, problemi nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit“, theksohet në letër.

    Shoqata vlerëson se shqetësimi i banorëve është shtuar edhe pas zhvillimeve të fundit lidhur me sigurinë e ujit të pijshëm në Gostivar dhe rastit të ndotjes së dyshuar të ujit, për të cilin institucionet kompetente kanë ndërmarrë veprime hetimore. Për këtë arsye kërkohet transparencë e plotë institucionale për cilësinë dhe sigurinë e ujit me të cilin furnizohen qytetarët.

    Tetë kërkesa drejtuar institucioneve

    Në letrën e hapur janë paraqitur tetë kërkesa konkrete. Shoqata kërkon marrjen e masave urgjente për sigurimin e furnizimit të Debreshit me ujë të pijshëm dhe përcaktimin e një afati konkret për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

    Gjithashtu kërkohet që të bëhen publike gjendja reale e punimeve, dinamika e realizimit dhe përgjegjësit për projektin, ndërsa deri në zgjidhjen përfundimtare të sigurohet furnizim alternativ, i rregullt dhe i mjaftueshëm me ujë për familjet e Debreshit.

    Ndër kërkesat është edhe publikimi i rezultateve të analizave të ujit dhe informimi i plotë dhe transparent i qytetarëve për sigurinë e ujit të pijshëm.

    Shoqata kërkon gjithashtu hetimin e të gjitha rrethanave dhe përgjegjësive eventuale institucionale që kanë çuar në këtë situatë, krijimin e një mekanizmi të drejtpërdrejtë komunikimi ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të qytetarëve, si dhe ndërhyrjen e institucioneve qendrore dhe organeve mbikëqyrëse.

    Paralajmërohen protesta nëse nuk ka përgjigje konkrete

    Në letër thuhet se banorët mbeten të gatshëm për dialog institucional dhe për një zgjidhje të arsyeshme, por paralajmërohet se, në mungesë të një përgjigjeje konkrete dhe masave të menjëhershme, do të përdoren format e lejuara dhe demokratike të reagimit qytetar.

    „Megjithatë, në mungesë të një përgjigjeje konkrete dhe masave të menjëhershme, do të jemi të detyruar të përdorim të gjitha format e lejuara dhe demokratike të reagimit qytetar, duke përfshirë organizimin e protestave masovike dhe forma të tjera të presionit qytetar në përputhje me ligjin“, thuhet në dokument.

    Shoqata kërkon përgjigje zyrtare nga institucionet për masat që do të ndërmerren, afatin e realizimit, mënyrën e furnizimit të përkohshëm, përgjegjësit për realizimin dhe planin për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

    Në fund të letrës, Shoqata thekson se durimi i banorëve ka arritur në fund.

    „Debreshi nuk mund të jetojë me premtime. Familjet nuk mund të jetojnë me bidona e kova. Fëmijët tanë nuk mund të rriten duke pyetur kur do të vijë uji“, thuhet në letër.

    Shoqata e përmbyll kërkesën me mesazhin: „Debreshi kërkon ujë! Gostivari kërkon siguri! Qytetarët kërkojnë përgjegjësi!“, duke theksuar se çështja nuk është vetëm problem i Debreshit, por çështje e shëndetit publik, dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësisë institucionale.

    Lajmi Paraprak

    Pesë gjëra që çdo fëmijë duhet të dijë para se të fillojë shkollën

    Lajmi i rradhës

    Ethet e Nilit Perëndimor / Qytetarët në Shkup kërkojnë më shumë masa kundër mushkonjave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë