GËZIM TUSHI
Jeta sociale në përditshmërinë e saj është e “rënduar” nga shumë probleme sociale e anomali të sjelljes individuale “enorme”, të cilat kanë krijuar një ndjenjë dyshimi dhe pesimizmi social se gjërat në shoqërinë tonë do vijnë duke u përkeqësuar. Padyshim, për shkak të ndryshimit të kushteve të jetës, përmes kalimit nga totalitarizmi në demokraci, në mënyrë të natyrshme ka qënë e parashikuar dhe e pritur, që ndryshimit të kushteve politike, ekonomike, ideologjike e morale dhe përmbysja e kornizës sociale të jetës tradicionale, strukturës ideologjike të shoqërisë së bazuar tek “njeriu i ri” dogmati, konformist e hipokrit, t’i përgjigjej një ritëm tjetër i mënyrës së sjelljes individuale e komportimit të sjelljes njerëzore.
Kjo situatë e ndryshuar apo më sakt e përmbysur, doemos që është shoqëruar me vështirësi adoptimi individual dhe paqartësi në komportimin social, në raportet midis individit si identitet i pavarur e sovran, si qytetar me raportet e reja midis lirisë së tij, vullnetit të lirë nga njëra anë dhe përgjegjësisë ligjore, sociale e morale. Realiteti që jetojmë është bërë tejet problematik, i komplikuar nga mungesa e një ekuacioni normal dhe kuptimi shoqëror adekuat si kusht i nevojshëm dhe I domosdoshëm, për vendosjen e balancave midis lirisë individuale e përgjgjësisë sociale, dëshirave subjective dhe kornizave ligjore e morale.
Nuk ka dyshim që kohët e fundit është duke u zgjeruar një “plagë e madhe”, e thellë dhe patologjikisht në zgjerim, e shfaqur në tregues shumë shqetësues të shfaqjeve të sjelljeve asociale e anarkike, fenomenologjisë së dhunës dhe zmadhimin e përmasave të konfliteve. Një klimë sociale që po dominohet për fat të keq nga një klimë super subjektiviste e mbivlerësimit të vetes, lirisë individuale nga njëra anë, dhe dobësimit të ndërgjegjjes juridike, përgjegjësisë humane e tolerancës morale ndaj “tjetrit” dhe raporteve me shoqërinë si entitet social. Shoqëria shqiptare është në nivelet më të larta të neurotizmit social, shumëfishimit të sjelljeve agresive e dhunës në famije, përmes “demokratizmit” dhe përhapjes së pakontrolluar të një “limfe toksike” e cila po cënon seriozisht ekzistencën normale dhe funksionalitetit e institucioneve që rregullojnë dhe humanizojnë jetën sociale të shoqërisë tonë. Faktet, ngjarjet e përditshme, anomalitë sociale, dhuna dhe krimi i zgjeruar, dobësimi i përgjegjësisë familjare e komunitare, ideja e gabuar se problemet zgjidhen me forcë, apo që koha e sotme është kohë e “njeriut të fortë”, tregojnë ekzitencën e një shoqërie të përfshirë nga një situatë e “crregullime hobsiane”.
Tejet kaotike janë bërë relacionet interpersonale dhe raportet individuale, që kanë përkeqwsuar problemet thelbësore dhe ekzistencialisht të domosdoshme në ndërtimin e raportit midis vullnetit të lirë dhe përgjegjësisë morale, respektimit të ligjit dhe mbrojtjes së lirisë individuale. Në analizën e situatës konkrete të shoqërisë tonë, natyrshëm duket se kjo gjëndje aktuale është e lidhur me faktin që është duke u prishur balanca e duhur që mban në ekuilibër marrëdhëniet midis lirisë individuale dhe përgjegjësisë sociale. Tani ndodhemi fatalisht në situatën, kur përballemi me një ekuacion të keqkuptuar në mënyrë të njëjanshme, ideologjikisht, sociologjikisht të keqinterpretuar. Sepse në ambientin tonë social janë mpleksuar një amalgam me “sjellje të vrazhdta hobsiane”, e motivuar dhe e shoqëruar me frymëzime ultra individualiste e anarkiste.
Kjo situatë sociologjikisht ka shkaqet e veta, të natyrës historike e kulturore që janë bazë edhe për anomalitë konceptuale me natyrë historike, shpesh të lidhura me natyrën ideologjike dhe politike të shoqërisë shqiptare në kushtet e totalitarizmit, por edhe konfuzionit të tanishëm ekzistencial. Padyshim në këtë konglomerat arsyesh historike e shkaqesh objektive, ka dhe një arsye që lidhet më njeriun si subjekt. Sepse sikurse thotë filozofi Tage Lindbom “Liria, lufta për liri, është një ekzaltim egoje që i jep njeriut mundësinë për të shfaqur lakuriqësinë e tij egoiste”. (Tage Lindbom, “Miti i demokracisë”, f 94)
Besoj se është krejt i arsyeshëm e konsistent mendimi i sociologëve modernë, të cilët mendojnë se në kohën e sotme me sa duket “liria ka në themel psikik narcisizmin”, njeriun që pëlqen vetëm dhe dhe është I dashuruar verbërisht pas tij. Kjo e vërtetë është sa teorike e sociologjike aq dhe konkrete dhe empirike, ndihet si sindromë e shfaqur tashmë bujshëm në realitetin tonë social. Duke parë zhvillimet kaotike e sjeljet shpëdoruese të lirisë në jetën e përditshme, krimin, arrivizmin, dhunën, asocialitetin, desocializimin dhe dehumanizimin e jetës dhe raporteve njerëzore në institucionet e jetës private dhe jetën publike, nuk është e vështirë të diktosh pas ngjarjeve të përditshme, disa karakteristika evidente e thelbësore të fenomenologjisë dhe shfaqjeve ideologjike të një lloj inidividualizmi racional dhe sensual, si tendencë njerëzore me thelb të shfaqur, duke u nisur nga interesi vetjak.
Është e vërtetë që në një shoqëri liberale, liria është pronë e cdo individi dhe në një farë mënyre, gjenerator dhe kusht për formimin e identitetit personal. Jo vetëm kaq, por shoqëria moderne është një “botë sensualizmi”, dhe në këto kushte njeriu është në një masë të konsiderueshme i lirë të zgjedh atë stil jete që i pëlqen dhe kënaq shijet apo aspiratat e personalizuara të tij. Kjo e vërtetë është e lidhur me faktin se shoqëria shqiptare, jo vetëm ka pësuar ndryshime fondamentale, por ajo është në stadin kur shumë shkaqe sociale (të reja e të panjohura më parë) po sjellin pasoja të paparashikueshme.
Në këto kushte është e prithshme dhe fare e natyrshme, që në kornizat e kësaj shoqërie postmoderne, liberale e demokratike njeriu është i lirë të bëjë përllogaritjet e veta racionale dhe “…me lakminë si yll rrëfyes, kësisoj krijon-përkundër vetes mund të thuhet – një harmoni midis interesave privatë dhe publikë, midis jetës personale e asaj kolektive”. (Lindbom, “Miti demokracisë”, f 55)
Por për fat të keq, shoqëria shqiptare të paktën në këtë aspekt të konsolidimit demokratik të jetës, ndërtimit të raporteve midis publikes dhe privates, interesave individuale me ato të përbashkëta, është larg standarteve të jetës europiane. Pikërisht kjo është situatë që vërteton sociologjikisht faktin se nuk është rastësi, që abuzantët e lirisë në shoqërinë e sotme shqiptare janë shtuar në sasi dhe kanë sofistikuar në veprimatarinë e tyre asociale, pse jo edhe anarkike duke e konsideruar sjelljen e tyre të “lirë” dhe duke e përfytyruar atë në kontrast dhe si mohim të pushtetit ligjor, social e moral në të gjitha format e tij të diversifikuara. Në fakt, ideatorët e liberalizmit dhe projektuesit e kontureve të lirisë, e kanë parashikuar këtë anë, duke evidentuar si të vërtetë tendencën e lirisë për të qënë e “cliruar nga strukturat dhe sistemet e rendit”.
Por janë edhe disa kushte specifike tonat dhe faktorë kontekstualë që lidhen me realitetin tonë konkret. Shumë njerëz shkelin normat e lirisë dhe rregullat sociale në emër të idesë, se shoqëria demokratike është për “njeriun e fortë”. Një mentalitet social i përhapur në formën e zgjeruar të një kulturë të deformuar të “suksesit të shpejtë”, që duhet synuar pavarësisht nga mjetet që përdor. Këto konceptime të deformuara të lirisë individuale jashtë përgjegjësië ligjore e morale, përditë e më shumë shfaqen si devijanca dhe anomali, që kanë përfshirë shumë njerëz që subjektivisht jetojnë në “terrene egoiste”, të inspiruar nga frymëzime utopike, e pritshmëri sociale të tepërta, jo realiste për kufijtë e lirisë individuale.
Kjo është arsyeja pse ndodhemi në një moment të anomalive dhe paqartësive sociale, për të gjetur funksionimin e “formulës” që vendos raportet e duhura midis lirisë së individit, ligjit dhe hierarkisë së shoqërisë. Ne po vuajmë faktin që në realitetin tonë social janë shtuar njerëzit arrivistë, egoistë e super individualistë që lirinë e konceptojnë në mënyrë sempliste, si atribut vetëm dhe ekskluziv i jetës private.
Në këto kushte, është detyrë e madhe politike, kulturore, sociale dhe edukative, që tek njerëzit tanë të krijohet dhe ngulitet thellë e vërteta se demokracia liberale, është etapa më e lartë e qytetërimit tonë, por me kushtin që të kuptohet se qytetari është i lirë brenda vetes, por duke respektuar edhe ligjin, moralin dhe opinionin publik. Në shoqërinë postmoderne gjithnjë njeriu ndodhet në situatë dikotomike detyruese, për ndërtuar sjelljen individuale dhe personalitetin social, duke qënë midis zgjedhjes së lirë dhe moralitetit, thotë fiolozofi Isaiah Berlin.
Padyshim shoqëria nuk mund të funksionojë normalisht dhe të rregullojë raportet organike midis lirisë së individit dhe ligjit apo rregullave sociale, nëse nuk kuptojmë atë që thonë sociologët se “Gjëndjet e lirisë nga njëra anë dhe të shtrëngimit dhe mungesës së lirisë në anën tjetër kanë kuptime si fizike edhe psikologjike”. Tage Linbdom, “Miti demokracisë”, f 83
Është në thelbin e shoqërisë moderne, që qytetar do të thotë së pari të jetosh lirshëm. Por nga ana tjetër, kjo do të thotë që të bëjmë të ndërgjegjshëm njerëzit tanë, se liberalizëm social dhe liri individuale, nuk do të thotë shthurrje e strukturave të jetës shoqërore. Përkundrazi shoqëria jonë do vuajë nëse nuk kupton nevojën normale të unitetit të dikotomisë organike:”Liri dhe Ligj”. Vetëm kështu, kemi shanse të shijojmë lirinë e vërtetë, e cila mund të bëhet interes jetësor i njeriut dhe “ideologji e demokracisë”. Panorama






