Ka nisur fushata me SMS për informimin e qytetarëve lidhur me ethet e Nilit Perëndimor, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (IShP), deri më 18 gusht në vend janë regjistruar gjithsej 38 raste të etheve të Nilit Perëndimor, prej të cilave 36 të konfirmuara dhe dy të mundshme. Nga rastet e regjistruara, 37 janë në rajonin e Shkupit dhe një në Veles. Janë regjistruar gjithashtu katër raste vdekjeje te persona me formën neuroinvazive të sëmundjes, transmeton Portalb.mk.
Fushata përfshin dërgimin e gjithsej rreth 38.500 mesazheve për qytetarët në komunat e prekura.
“Dje (18 gusht) janë dërguar 6.526 mesazhe. Dërgimi filloi në Komunën e Petrovecit (1.554 mesazhe), ndërsa më pas vazhdoi në Komunën e Gazi Babës. Për t’u dërguar kanë mbetur edhe 31.365 mesazhe, të cilat gradualisht do t’u dërgohen qytetarëve gjatë periudhës së ardhshme. Rezultatet e deritanishme tregojnë një nivel të lartë angazhimi – deri në 70 për qind e mesazheve të dorëzuara janë lexuar nga pranuesit, të cilët kanë vizituar edhe linkun me informacione shtesë të përfshirë në mesazh”, tha ministri.
Personat që kanë humbur jetën janë burra të moshës 62 deri në 83 vjeç, nga Shkupi, të cilët ishin të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Te tre prej tyre ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese.
Nga gjithsej 38 rastet e regjistruara, 28 janë meshkuj dhe 10 femra.






