“Paguaj dy – merr tre”, “Aksion i madh”, “Bli 1 – merr 1 falas”, “Kurseni më shumë”, “Merr më shumë, paguaj më pak”… Këto janë vetëm disa nga mbishkrimet që çdo ditë mund të shihen në vitrinat e dyqaneve dhe marketeve apo në fletushkat reklamuese. Në kushtet e shtrenjtimit të vazhdueshëm të ushqimeve dhe rritjes së kostos së jetesës, qytetarët në Maqedoninë e Veriut nuk e fshehin se gjithnjë e më shumë i ndjekin uljet në markete dhe shpesh blejnë kur produktet që u nevojiten janë “në aksion”, shkruan Kolegium, përcjell Nistori.
“Gjatë muajve të fundit, çmimet e produkteve në markete janë rritur aq shumë, saqë kam filluar të kërkoj në telefon se cili produkt dhe në cilin market është në aksion, në mënyrë që të shkoj dhe të blej. E di se edhe këto çmime të ulura janë përsëri më të larta sesa duhet të jenë realisht për xhepin e qytetarëve, por ja, përsëri tundohemi”, thotë Mira nga Shkupi, të cilën Kolegium e takoi para një marketi në Komunën e Aerodromit.
Edhe punonjësit e marketeve thonë se aksionet janë pjesë e fushatave të marketingut, por kanë vërejtur se produktet “në aksion” shiten më shpejt.
“Në marketet tona shpesh kemi aksione dhe çmime me zbritje. Gjithashtu, produktet që kanë afat të shkurtër përdorimi i ulim deri në gjysmën e çmimit dhe këtë e shënojmë detyrimisht në ambalazhin e produktit. Kemi klientë që blejnë edhe nga dhjetë copë të një produkti që është në zbritje, për shembull pashteta apo produkte të tjera të konservuara”, thotë Ivana, shitëse në një prej marketeve të mëdha në Shkup.
Nga “superçmimi” te portofoli bosh: Si ndikojnë aksionet në markete në buxhetin familjar?
Edhe Organizata e Konsumatorëve ka vërejtur se qytetarët gjithnjë e më shpesh blejnë produkte me zbritje. Shkakun e shohin te fuqia e ulët blerëse dhe rritja e kostos së jetesës.
Qytetarët gjithnjë e më shumë i krahasojnë çmimet dhe i ndjekin fletushkat me zbritjet aktuale në markete, duke i planifikuar blerjet në bazë të tyre. Shpesh zgjedhin produkte që në atë moment janë në promocion. Por, a i ndihmojnë vërtet aksionet qytetarët të kursejnë?
“Aksionet mund t’i ndihmojnë konsumatorët të kursejnë, por vetëm nëse bëhet fjalë për një ulje reale të çmimit. Konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm, sepse jo çdo zbritje nënkupton kursim të vërtetë. Ndonjëherë aksionet janë pjesë e një strategjie marketingu për të tërhequr blerës, prandaj është e rëndësishme që qytetarët t’i krahasojnë çmimet dhe të mos udhëhiqen vetëm nga etiketa ‘zbritje’ ose ‘aksion’”, thotë për Kolegium.mk Tatjana Tasevska, këshilltare juridike në Organizatën e Konsumatorëve.
Ajo shton se shpesh përballen me ankesa nga konsumatorët, të cilët pretendojnë se çmimi i produktit në fletushkat reklamuese apo në faqet e internetit të tregtarëve është një, ndërsa në arkë u faturohet një çmim më i lartë se ai i reklamuar. Në raste të tilla, konsumatori ka të drejtë ta paguajë çmimin e shënuar në fletushkën reklamuese ose në faqen e internetit të tregtarit dhe, natyrisht, t’i raportojë këto parregullsi në Inspektoratin Shtetëror të Tregut.
Nga ana tjetër, të shumta janë edhe ankesat e konsumatorëve që lidhen me mënyrën se si paraqiten zbritjet dhe promocionet.
“Më së shpeshti, qytetarët shprehin dyshime për vërtetësinë e disa uljeve të çmimeve ose ankohen se çmimi i mëparshëm nuk ka qenë i paraqitur qartë. Rekomandimi ynë për konsumatorët është që gjithmonë ta kontrollojnë çmimin e rregullt dhe atë të zbritur, t’i krahasojnë produktet dhe të mos marrin vendime vetëm në bazë të mesazhit reklamues për zbritjen. Vetëm informimi i qartë dhe transparent mundëson një marrëdhënie të drejtë ndërmjet tregtarëve dhe konsumatorëve”, këshillon Tasevska.
Ndërkohë, jeta në Maqedoninë e Veriut mbetet një sfidë financiare për një pjesë të madhe të familjeve, edhe pse presioni inflacionist është ulur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Të dhënat më të fundit tregojnë se çmimet në korrik ishin 2,3 për qind më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa paga mesatare neto në maj arriti në 49.544 denarë, me një rritje nominale vjetore prej 8,2 për qind. Në të njëjtën kohë, shporta minimale sindikale për një familje katëranëtarëshe në korrik arriti në 68.498 denarë – shumë kjo që është pothuajse 19.000 denarë më e lartë se një pagë mesatare.
Inflacioni ngadalësohet, por çmimet mbeten më të larta
Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, inflacioni, i matur përmes indeksit të kostos së jetesës, në korrik 2026 ishte 2,3 për qind në nivel vjetor. Kjo do të thotë se niveli mesatar i kostos së jetesës ishte 2,3 për qind më i lartë se në korrik të vitit të kaluar.
Megjithatë, në korrik jo të gjitha çmimet lëvizën në të njëjtin drejtim. Ushqimet dhe pijet joalkoolike u liruan me 1,1 për qind krahasuar me qershorin, ndërsa te mobiliet dhe pajisjet për amvisëri u shënua ulje prej 1,4 për qind. Nga ana tjetër, në transport u regjistrua një rritje e konsiderueshme e çmimeve, prej 4,4 për qind në nivel mujor.
Por një nga treguesit më të drejtpërdrejtë se sa kushton jeta e përditshme është shporta minimale sindikale e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM).
Për korrikun e vitit 2026, ajo arriti në 68.498 denarë për një familje katëranëtarëshe pa automjet. Pjesa më e madhe e këtyre parave shkon për ushqime dhe pije joalkoolike. Për to, sipas përllogaritjes së LSM-së, nevojiten 25.012 denarë në muaj, përkatësisht rreth 36,5 për qind e vlerës së përgjithshme të shportës.
Pavarësisht presionit mbi buxhetet familjare, statistikat tregojnë edhe një prirje pozitive. Për shembull, paga reale neto në maj 2026 ishte 5,3 për qind më e lartë se në të njëjtin muaj të vitit paraprak. Kjo do të thotë se, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve, fuqia blerëse e punonjësit mesatar është përmirësuar.
Megjithatë, përmirësimi i fuqisë mesatare blerëse nuk do të thotë automatikisht se standardi i jetesës është i lartë.
Blerja “me zbritje” nuk do të thotë gjithmonë kursim
Të gjitha këto mesazhe promocionale prej kohësh janë pjesë përbërëse e blerjeve të përditshme edhe në Evropë. Por, në kushtet e kostos së lartë të jetesës, aksionet nuk janë më vetëm një mënyrë që marketet të tërheqin blerës, por po shndërrohen edhe në një strategji të familjeve për ta menaxhuar më mirë buxhetin familjar.
Studimi më i fundit i McKinsey dhe EuroCommerce tregon se, në vitin 2026, 37 për qind e konsumatorëve evropianë kërkojnë në mënyrë aktive promocione, ndërsa 46 për qind thonë se kërkojnë mënyra për të kursyer para. Te familjet me të ardhura më të ulëta, interesi për promocionet është edhe më i madh.
Pikërisht për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka rregulla sipas të cilave, kur një tregtar njofton uljen e një çmimi, duhet ta paraqesë edhe çmimin e mëparshëm. Komisioni Evropian shpjegon se qëllimi është që konsumatori të mund t’i krahasojë më lehtë çmimet dhe të mos vihet në lajthitje.
Në mars 2026, Komisioni Evropian paralajmëroi sërish se tregtarët duhet t’i respektojnë rregullat për uljen e çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat e padrejta tregtare.
Ekspertët, nga ana tjetër, paralajmërojnë se blerësi nuk kursen gjithmonë kur blen “me zbritje”. Ndonjëherë promocioni e shtyn të blejë diçka që nuk e kishte planifikuar fare.
Kujtojmë se shporta minimale sindikale në korrik ishte 156 denarë më e ulët krahasuar me qershorin. Rënia është e regjistruar statistikisht, por praktikisht mbetet e padukshme për familjet që duhet të sigurojnë pothuajse 70.000 denarë çdo muaj për ushqim, strehim, veshmbathje, transport, arsim, shëndetësi dhe nevoja të tjera bazë.






