Konvikti “Pellagonija” nën lupën e Revizionit: konstatohen çmime të ushqimeve mbi nivelin e tregut dhe dyshekë jashtë përdorimit

    Enti Shtetëror i Revizionit (EShR), në një njoftim të publikuar sot, ka evidentuar një sërë parregullsish në prokurimet publike, në kuadër të raportit të auditimit për funksionimin e konviktit studentor “Pelagonija” në Kisella Vodë. Ndër gjetjet që bien më së shumti në sy është prokurimi i bukës me një çmim prej 126 denarësh për kilogram, përcjell Nistori.

    “Pas vendosjes së evidencës ditore, faturat mujore në vitin 2025 janë ulur ndjeshëm krahasuar me vitin 2024. Revizioni gjithashtu konstatoi se, me kontratën e re të vitit 2025, çmimi i bukës arriti në 126 denarë për kilogram, dukshëm më i lartë se çmimi i tregut prej rreth 70 denarësh për kilogram. Kjo tregon përdorim joekonomik të fondeve publike dhe dobësi në kontrollin e prokurimit publik”, thuhet në raportin e EShR-së.

    Sipas auditorëve, praktika problematike me evidentimin e bukës ishte zbatuar edhe gjatë viteve 2023 dhe 2024, kur një copë bukë llogaritej sikur të peshonte një kilogram, pa u bërë matja reale e peshës së saj.

    “Në prokurimin e bukës dhe miellit të vitit 2023, kontrata është lidhur me një ofertues, veprimtaria kryesore e të cilit nuk lidhet me objektin e prokurimit. Auditorëve nuk u është paraqitur as garancia e detyrueshme bankare për realizimin cilësor të kontratës, çka tregon se kontrata është lidhur pa dorëzimin e saj. Përveç kësaj, megjithëse çmimi i kontraktuar i bukës ishte 57,46 denarë për kilogram, gjatë zbatimit të kontratës operatori ekonomik faturonte një copë bukë si një kilogram. Për shkak të kontrolleve të dobëta të brendshme, kjo praktikë u zbulua vetëm nga fundi i vitit 2024”, theksojnë nga Revizioni.

    Parregullsi janë konstatuar edhe në prokurimin e dyshekëve për nevojat e studentëve. Gjithsej 250 dyshekë të blerë nuk janë vënë në përdorim, pasi dimensionet e tyre nuk përputheshin me ato të shtretërve.

    “Dokumentacioni i tenderit për prokurimin e dyshekëve në vitin 2023 përmbante kushte kufizuese, ndërsa kontrata është lidhur me operatorin ekonomik të përzgjedhur pa garanci bankare për realizimin cilësor të saj. Janë blerë 250 dyshekë, nga 500 të planifikuar, me një vlerë të përgjithshme prej 1,174 milionë denarësh, me dimensione të ndryshme nga ato të përcaktuara në specifikimin teknik dhe pa dokumentacionin përkatës të pranimit. Dyshekët janë ruajtur në konvikt dhe nuk janë vënë fare në përdorim”, thuhet në raport.

    Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se më herët ishin blerë edhe 450 dyshekë nga i njëjti furnizues, megjithëse dyshekët ekzistues ishin në gjendje të mirë. Për shkak se dimensionet e shtretërve ishin më të vogla se ato të dyshekëve të blerë, sipas auditimit, ishte cenuar edhe stabiliteti i shtretërve.

    Dyshime dhe parregullsi janë evidentuar edhe në prokurimin e produkteve të tjera ushqimore, ku disa artikuj janë blerë me çmime më të larta se ato të tregut.

    “Ne identifikuam mospërputhje në procesin e planifikimit dhe zbatimit të prokurimeve publike, si dhe në realizimin e kontratave të lidhura. Gjatë auditimit të prokurimeve publike për mish të freskët në vitin 2023, mish të përpunuar, produkte të mishit dhe peshk në vitet 2023 dhe 2024, si dhe produkte bujqësore në vitin 2023, auditorët konstatuan se, në shumicën e rasteve, paraqitej vetëm një ofertë, ndërsa kontratat lidheshin sipas vlerës së parashikuar, pa përcaktuar paraprakisht sasitë”, thuhet në raport.

    Sipas EShR-së, për artikujt që prokuroheshin rregullisht ofroheshin çmime më të larta se ato të tregut, ndërsa për artikujt që nuk prokuroheshin ofroheshin çmime jorealisht të ulëta, pa u kërkuar shpjegime shtesë operatorëve ekonomikë.

    “Gjithashtu, në disa prej kontratave janë tejkaluar vlerat e kontraktuara, gjë që tregon kontroll të pamjaftueshëm dhe përdorim joekonomik të fondeve publike”, përfundon Revizioni.

    Lajmi Paraprak

    Zgjedhjet e parakohshme trazojnë skenën politike: Mickoski sfidon opozitën, VLEN pa qëndrim të prerë

    Lajmi i rradhës

    Çfarë ndodh me mbetjet mortore që u gjetën në veri? 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë