Një firmë me histori të shkurtër dhe modeste biznesi, e cila vitin e kaluar nuk kishte asnjë denar të ardhura, këtë verë u bë pronare e ndërtesave mbresëlënëse dhe me rëndësi historike të ish-hoteleve Jadran dhe Bristol, në qendër të Shkupit, shkruan Prizma, përcjell Nistori.
Dokumentet që siguruam nga Kadastra shtetërore tregojnë se GM Properties bleu hotelin Bristol për rreth 1,9 milion euro më 25 korrik, ndërsa vetëm tri ditë më vonë pagoi pothuajse të njëjtën shumë për Jadranin, një ndërtesë që është nën mbrojtjen e shtetit për shkak të vlerave të saj arkitekturore.
Ndërtesat kanë qenë të mbyllura prej vitesh si prona jofitimprurëse të grupit hotelier AD Makedonijaturist. Për momentin, mbetet e paqartë nëse ndryshimi i pronësisë do të sjellë edhe ndryshim në mënyrën e trajtimit të tyre.
Emil Kratovaliev, njeriu që po merr në pronësi hotelet, nuk është emër i njohur në biznesin hotelier dhe as investitor me një portofol të gjerë. Ai refuzoi dy herë të fliste me BIRN-in dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në lidhje me hotelet dhe transaksionin. Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, për të dihet vetëm se ka qenë anëtar i bordeve drejtuese të kompanive të sigurimeve.
Nënshkrues i marrëveshjeve të blerjes në emër të GM Properties është menaxheri Kostadin Sazdovski. Ai ka qenë prej vitesh menaxher në kompaninë e Antiçit, Fashion Group, ndërsa ka qenë edhe anëtar i bordit drejtues të AD Makedonijaturist.
Hulumtimi ynë i mëtejshëm tregoi se Kratovaliev, në fakt, ka lidhje me një pjesë të komunitetit të biznesit që më parë menaxhonte dy objektet dhe që përbëhet kryesisht nga ndërtues dhe tregtarë të Shkupit. Bëhet fjalë për Zoran Antiçin, drejtuesin e markës së shitjes me pakicë të modës Fashion Group, investitor në projekte ndërtimore, përfshirë Grand River, dhe deri vonë aksionar në kompaninë që zotëronte Jadranin dhe Bristolin, AD Makedonijaturist.
Lidhja është e drejtpërdrejtë, pasi Antiç dhe Kratovaliev e themeluan së bashku GM Properties në vitin 2024. Megjithatë, Antiç u largua nga kompania disa muaj para shitjes së hoteleve, duke lënë në drejtimin e saj një person nga rrethi i tij.
Pronarë të vjetër – të rinj?
Ndërtesa e ish-hotelit Jadran, të cilën shumë e njohin edhe si Shtëpia Arabe, është ndërtuar ndërmjet viteve 1936 dhe 1938, në stilin e arkitekturës arabo-maure. Pikërisht për shkak të stilit të saj autentik arkitekturor, ajo gëzon mbrojtje të përgjithshme, ndërsa është në zhvillim e sipër procedura për shpalljen e saj monument.
Bristoli nuk është nën mbrojtje ligjore, por konsiderohet një pikë referimi arkitekturore e kryeqytetit. Veçanërisht i njohur ishte kopshti i tij, ku funksiononte një restorant që vizitohej tradicionalisht nga banorët e Shkupit.
Objektet u mbyllën dhe u lanë pas dore për vite me radhë, pasi Done Tanevski, i cili kontrollonte shoqërinë aksionare Makedonijaturist, vlerësoi se funksionimi i tyre nuk kishte leverdi ekonomike, ndryshe nga hotelet e tjera që menaxhonte kompania: Holiday Inn, Karposh, Best Western dhe Bellevie.
Tanevski humbi kontrollin e Makedonijaturist në vitin 2024, pasi Zoran Antiç dhe një grup biznesmenësh morën kontrollin e shoqërisë aksionare përmes tregtimit intensiv të aksioneve në bursë. Gjatë së njëjtës periudhë, aksione blenë edhe Skopski Pazar i ndërtuesit Fatmir Etemi, Aco Duduloski, si dhe biznesmenë të tjerë.
Megjithatë, ndryshimi i parë i menaxhimit pas disa dekadash nuk solli ndryshim në trajtimin dhe statusin e dy hoteleve, pavarësisht deklaratave të herëpashershme të Antiçit dhe partnerëve të tij në media se „ideja është që objektet të vihen në funksion“. Përkundrazi, shqetësimet u shtuan, pasi aksionarët e rinj, përfshirë Antiçin, kanë një histori të shpërfilljes së rekomandimeve konservuese për mbrojtjen e objekteve.
Një episod i tillë shqetësues lidhet pikërisht me Shtëpinë Arabe.
Kur Antiç rinovoi selinë e biznesit të tij në vitin 2022, e cila është ngjitur me Shtëpinë Arabe, aktivistët për mbrojtjen e trashëgimisë në Shkup paralajmëruan dy herë Komunën Qendër se në objekt po ndërhyhej në dy kate pa mendimin e ekspertëve dhe se këto ndërhyrje, ndër të tjera, po i shkaktonin dëme ndërtesës së mbrojtur. Komuna nuk reagoi.
Qeveria vendosi të mos ndërhyjë
Vëmendja këtë herë është sërish te Antiç, për shkak të lëvizjeve që ai bëri këtë vit në të dyja anët e transaksionit. Brenda një muaji, pak para shitjes, ai u largua si nga kompania që bleu Jadranin dhe Bristolin, ashtu edhe nga shoqëria aksionare që i shiti ato.
Antiç fillimisht u tërhoq nga GM Properties. Në mars, ai ia shiti aksionet e tij Kratovalievit, ndërsa muajin pasardhës, në prill, u tërhoq edhe nga Makedonijaturist, ku zotëronte një pjesë të konsiderueshme të aksioneve, rreth 15 për qind.
Vetëm disa javë më vonë, në maj, aksionarët e Makedonijaturist mbajtën një mbledhje, në të cilën, ndër të tjera, vendosën t’i shisnin të dy hotelet. Në të njëjtën mbledhje, përfaqësuesit e Antiçit në bordin drejtues, Leonid Antiç dhe Kostadin Sazdovski, dhanë dorëheqje.
Edhe Zoran Antiç nuk iu përgjigj kërkesës sonë për intervistë në lidhje me lëvizjet e fundit të biznesit dhe fatin e Jadranit dhe Bristolit, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjet e tij me pronarin e ri.
Pyetje i dërguam edhe shoqërisë aksionare. Kërkuam të dinim se si u shitën hotelet, nëse kishte njoftim publik për shitjen, sa blerës aplikuan dhe mbi çfarë kriteresh u vendos që GM Properties t’i blinte dy hotelet. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm përgjigje.
Edhe pse kishte mundësi ta blinte Shtëpinë Arabe, Qeveria vendosi këtë verë të qëndronte jashtë procesit të blerjes. Konkretisht, kur shitet një ndërtesë me status të mbrojtur, ajo duhet t’i ofrohet fillimisht shtetit.
Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në emër të shtetit, e refuzoi ofertën prej 1,9 milion eurosh. Procesi u zhvillua pa transparencë publike, duke e përjashtuar kështu mundësinë që publiku të ndikonte në vendimmarrje.
Me këtë vendim u humb edhe mundësia që ndërtesa të restaurohej dhe të mbrohej nga shteti, pa e lënë fatin e saj të varej nga interesat ekonomike të pronarëve privatë. /Nistori/






