Sa i (pa)varur është një vend që nuk mund ta ushqejë popullin e vet?

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Pavarësia e një vendi nënkupton jo vetëm pavarësi politike dhe aftësinë e institucioneve për të marrë vendime në mënyrë të pavarur, por edhe aftësinë për të siguruar nevojat themelore të qytetarëve të tij. Pas 35 vjetësh pavarësi, shtrohet pyetja: si është e mundur që, pas 1.5 miliardë eurosh subvencione shtetërore, prodhimi real bujqësor të jetë rritur vetëm me 4%, ndërsa Maqedonia e Veriut ende nuk arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për popullsinë e vet?

    Absurditeti bëhet edhe më i madh kur disa nga produktet bujqësore të mbështetura me subvencione shtetërore përfundojnë në tregjet e huaja, ndërsa ne të njëjtat produkte i importojmë me çmime më të larta, shkruan IRL, përcjell Nistori.

    Kur më 8 shtator 1991 presidenti i atëhershëm Kiro Gligorov, kryeministri Nikola Kljusev dhe kryetari i Kuvendit Stojan Andov shpallën rezultatet e referendumit, ata e festuan simbolikisht pavarësinë e vendit me një dolli me verë maqedonase.

    Si atëherë, ashtu edhe sot, Maqedonia e Veriut konsiderohet vend bujqësor, me klimë të favorshme, fusha pjellore dhe traditë në prodhimin e ushqimit, veçanërisht të perimeve, frutave, rrushit dhe duhanit.

    Dhe këto nuk janë vetëm fjalë, por fakte të mbështetura nga prodhimi real dhe burimet natyrore që vendi trashëgoi nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) kur fitoi pavarësinë.

    Në vitin 1991, Maqedonia kishte 664 mijë hektarë tokë të punueshme, që përbënte një të katërtën e territorit të përgjithshëm të vendit, ndërsa 389 mijë hektarë ishin të mbjellë.

    Në ekonominë e ish-Jugosllavisë, fushat maqedonase prodhonin ushqim edhe për qytetarët e tregut të gjerë rajonal.

    Këtë 8 shtator, Maqedonia e Veriut shënon Ditën e Pavarësisë, ndërsa një pjesë e madhe e fermerëve protestojnë dhe organizojnë bllokada, duke kërkuar një denar më shumë për kilogram në çmimin e blerjes së specave apo rrushit.

    Të zhgënjyer prej vitesh nga çmimet e ulëta të blerjes, disa vreshtarë kanë nxjerrë në shitje vreshtat e tyre, madje me rrushin ende të pavjelë.

    “Po e shes të gjithë vreshtin dhe nuk do të merrem më kurrë me bujqësi. Nga viti 1991 deri më sot, çmimet e blerjes kanë rënë ndjeshëm, ndërsa të gjitha kostot janë rritur. Thjesht, nuk ka më leverdi të prodhosh”, na tha një fermer, një nga shumë vreshtarët që aktualisht kanë nxjerrë në shitje pronat e tyre në rajonin e Tikveshit.

    Pas vitesh premtimesh dhe mbështetjeje shtetërore, në vend të një bujqësie të zhvilluar dhe të qëndrueshme, fermerët sot luftojnë për kushte që do t’u mundësonin të vazhdonin të prodhonin.

    Nga një vend që kishte produkte me të cilat depërtonte në tregjet rajonale, jemi shndërruar në një ekonomi të varur nga importi i ushqimit. Me këtë, jemi bërë të varur edhe nga tregjet e jashtme dhe nga pasojat që mund të shkaktojë çdo çrregullim i tyre.

    Kështu, pas dekadash investimesh sistematike në bujqësi përmes subvencioneve, statistikat ngrenë një pyetje serioze: si arritëm nga një vend me traditë kaq të fortë bujqësore në një situatë ku prodhimi vendas nuk mjafton për të përmbushur nevojat e tregut të vet ushqimor?

    Në 35 vjetët e fundit, sipërfaqja e tokës së punueshme është zvogëluar me një të katërtën. Sot kemi rreth 504 mijë hektarë tokë të punueshme, prej të cilëve vetëm rreth gjysma, ose 261 mijë hektarë, janë të mbjellë.

    Arsyet janë të shumta: nga braktisja e tokave, përkatësisht e bujqësisë si profesion, deri te urbanizimi i tokës pjellore, ndryshimi i destinimit të saj, si dhe ndryshimet klimatike dhe pasojat e tyre.

    Subvencionet rriten, rezultatet mungojnë

    Kur në vitin 2006 subvencionimi filloi të shndërrohej në një politikë sistematike bujqësore, ideja nuk ishte vetëm që fermerët të mbështeteshin financiarisht përmes një forme ndihme sociale.

    Qeveria e atëhershme, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, e përcaktoi bujqësinë si një degë strategjike zhvillimore, me ambicien për ta ringjallur sektorin. Synimi ishte krijimi i një bujqësie më efikase dhe konkurruese, rritja e prodhimit dhe eksporteve, por edhe zvogëlimi i varësisë nga importi i ushqimit.

    Kryeministri i atëhershëm Nikola Gruevski shpjegonte se subvencionet duhej t’i motivonin fermerët të rrisnin prodhimin, të investonin dhe të zgjeronin sipërfaqet e kultivuara. Qëllimi i deklaruar ishte ndërtimi i një sektori bujqësor efikas dhe konkurrues, në të cilin fermerët do të kishin të ardhura më të larta dhe standard më të mirë jetese.

    Që atëherë, gjatë dy dekadave në vijim, kjo politikë u shndërrua në një angazhim të madh dhe të vazhdueshëm financiar të shtetit, të mbështetur nga të gjitha qeveritë.

    Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se nga viti 2006 deri në vitin 2026, nga buxheti i shtetit janë paguar rreth 1.5 miliardë euro subvencione bujqësore.

    Pas një periudhe kaq të gjatë dhe pas kaq shumë parash publike të investuara në sektor, pritshmëria është plotësisht e arsyeshme: mbështetja shtetërore duhej të linte gjurmë të qarta në fuqinë prodhuese të bujqësisë, në vëllimin e prodhimit, në konkurrueshmërinë e saj dhe në aftësinë e sektorit vendas për të përmbushur një pjesë më të madhe të nevojave të tregut të brendshëm.

    Megjithatë, analiza e statistikave bujqësore sot paraqet një pamje ndryshe nga ajo që pritej.

    Sipas çmimeve konstante të periudhës 2014–2016, seria ndërkombëtarisht e krahasueshme e vlerës bruto të prodhimit bujqësor e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) tregon se vlera reale e prodhimit bujqësor në Maqedoninë e Veriut në vitin 2024 ishte vetëm 4.1% më e lartë se në vitin 1992.

    Një tjetër tregues se subvencionet janë rritur në mënyrë disproporcionale krahasuar me prodhimin janë të dhënat sipas të cilave, për çdo euro subvencion të paguar në vitin 2006, prodhimi arrinte në 63 euro, ndërsa sot kjo shifër është rreth 14 euro.

    Kjo mospërputhje e madhe ndërmjet rritjes së mbështetjes publike dhe rritjes relativisht modeste të prodhimit ngre pikëpyetje serioze mbi efikasitetin e politikës bujqësore të shtetit dhe, në veçanti, mbi modelin aktual të subvencionimit.

    “Problemi me subvencionet është se ato kryesisht shpërndahen si pagesa direkte që mbështesin të ardhurat e fermerëve. Në disa vite, ato arrijnë deri në 95% të totalit të subvencioneve. Ajo që është më e rëndësishme është që shteti të sigurojë më shumë mjete për zhvillimin rural, përkatësisht për investime në bujqësi përmes subvencioneve. Vetëm në këtë mënyrë do të nxitet rritja e sektorit dhe e prodhimit”, thotë Dragi Dimitrievski, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Shkup.

    Arsyet e efektit të dobët të subvencioneve mund të gjenden pjesërisht edhe te keqpërdorimet e mundshme. Gjatë viteve të fundit janë regjistruar raste që lidhen me sistemin e mbështetjes financiare të bujqësisë – nga paraqitja e të dhënave të rreme për përfitimin e subvencioneve, deri te dyshimet për keqpërdorime gjatë shpërndarjes së parave.

    Se problemi i kontrollit nuk i përket vetëm së kaluarës, e konfirmoi edhe ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, i cili në shkurt të këtij viti deklaroi se mes përfituesve ishin zbuluar të ashtuquajtur “gjuetarë subvencionesh”. Bëhej fjalë për persona që merrnin mbështetje financiare, por nuk e punonin tokën bujqësore.

    Lëndët e para për ushqimet bazë po zhduken

    Nëse analizohen produktet bujqësore veçmas, që nga fillimi i pavarësisë e deri më sot, më shqetësuese është rënia e prodhimit të disa prej produkteve bazë mbi të cilat mbështetet siguria ushqimore.

    Prodhimi i grurit, një nga kulturat kryesore për furnizimin vendas me miell dhe bukë, është ulur me rreth një të tretën që nga viti 1991, ndërsa prodhimi i misrit me më shumë se një të katërtën.

    Prodhimi i domateve ka rënë nga 169 mijë tonë në vitin 1991 në 112 mijë tonë sot, që gjithashtu paraqet një rënie prej rreth një të tretës.

    Edhe më dramatike është rënia e prodhimit të mishit, me rreth 40%, ndërsa veçanërisht e theksuar është rënia e prodhimit të vezëve, i cili është zvogëluar me pothuajse tre të katërtat.

    Te luledielli, një kulturë e rëndësishme për prodhimin e vajit, rënia është dramatike. Nga 38,700 tonë në vitin 1991, në vitin 2025 u prodhuan vetëm 5,650 tonë, që paraqet një rënie prej më shumë se 86%.

    Gjatë periudhës së RSFJ-së, në Maqedoni kultivoheshin disa kultura që sot janë zhdukur plotësisht nga fushat ose mbillen në sipërfaqe shumë të vogla.

    Panxhari i sheqerit dikur kultivohej në rreth 2,000 hektarë, por pas vitit 2008 kjo kulturë u zhduk plotësisht, ndërsa fabrika e sheqerit në Manastir u mbyll.

    Në të kaluarën, Maqedonia siguronte një pjesë të konsiderueshme të pambukut për industrinë tekstile jugosllave, ndërsa sot kjo kulturë pothuajse është zhdukur nga fushat.

    Një rast krejtësisht i veçantë është lulëkuqja. Maqedonia ishte prodhuesi i vetëm i lulëkuqes së opiumit në ish-Jugosllavi, por pas pavarësisë, për shkak të frikës nga keqpërdorimi për prodhimin e drogës, kultivimi i saj pothuajse u zhduk. Para Luftës së Dytë Botërore, sipas hulumtimeve kroate dhe serbe, lulëkuqja nga Maqedonia, në një periudhë të caktuar, përbënte 43% të prodhimit botëror, kryesisht nga të mbjellat në rajonin e Povardarit.

    Me sipërfaqe të reduktuara ndjeshëm dhe pranë zhdukjes janë edhe kolza, liri, susami, soja dhe humbulla.

    Aktualisht, duhani është e vetmja kulturë tradicionale industriale që vazhdon të kultivohet në sipërfaqe të konsiderueshme në vend.

    Megjithatë, pamja nuk është e njëtrajtshme. Bujqësia si sektor ka përjetuar ndryshime të thella dhe të pabarabarta.

    Interesant është trendi i prodhimit të mollëve dhe rrushit. Në vitin 1991, Maqedonia prodhoi 264,281 tonë rrush, ndërsa prodhimi gjatë dekadave në vijim nuk ndoqi një trend të qëndrueshëm. Në vitin 2016 arriti rekordin prej 333,319 tonësh, por më pas pati vite me rënie të ndjeshme. Të dhënat e fundit për vitin 2025 tregojnë një prodhim prej 238,904 tonësh, ose 9.6% më pak se në vitin 1991. Kjo tregon se vendi ka kapacitet për rendimente të larta, por nuk arrin t’i ruajë ato në mënyrë të qëndrueshme.

    Prodhimi i mollëve, nga ana tjetër, në vitin 1991 ishte 48,426 tonë. Më pas u rrit gradualisht dhe arriti kulmin prej 174,315 tonësh në vitin 2008. Pas këtij kulmi pati luhatje të mëdha, ndërsa në vitin 2025 prodhimi ra në vetëm 70,751 tonë. Pra, megjithëse sot prodhojmë më shumë mollë se në vitin 1991, jemi shumë poshtë nivelit që vendi kishte arritur në një periudhë të caktuar.

    Luhatje më të vogla në prodhim gjatë 35 vjetëve të fundit janë vërejtur te specat, patatet, qepët dhe qumështi. Sot prodhohen pothuajse dy herë më shumë speca se në vitin 1991, ndërsa prodhimi i patateve është rritur me më shumë se tre të katërtat, duke arritur në 205,583 tonë.

    Në vitin 2024, prodhimi vendas i qumështit të lopës arriti në 282.3 milionë litra. Në vitin 1991, ai ishte dukshëm më i ulët, rreth 120 milionë litra.

    Megjithatë, rritja e prodhimit të disa kulturave bujqësore nuk e kompenson varësinë nga importi, nëse njëkohësisht humbasim një pjesë të prodhimit vendas që më pas duhet të zëvendësohet me produkte nga jashtë.

    Edhe pjesëmarrja e bujqësisë në ekonomi po zvogëlohet gradualisht. Në vitin 2000, bujqësia kontribuonte me rreth 10% në PBB, ndërsa sot pjesëmarrja e saj është rreth 5.7%. Kjo do të thotë se bujqësia, nga një sektor që krijonte afërsisht një të dhjetën e vlerës ekonomike të vendit, e ka humbur një pjesë të konsiderueshme të peshës së saj ekonomike.

    Kjo rënie, në vetvete, nuk do të thotë domosdoshmërisht se bujqësia prodhon më pak, por tregon se ajo ka mbetur dukshëm prapa sektorëve të tjerë, të cilët janë rritur më shpejt.

    Importojmë madje edhe kastravecë e speca

    Vlera totale e prodhimit bujqësor vendas, sipas të dhënave të fundit për vitin 2024, është rreth 1.57 miliardë euro. Kjo përbën një bazë të konsiderueshme prodhuese, por vlera e prodhimit bujqësor nuk është e mjaftueshme për të përmbushur plotësisht kërkesën vendase.

    Në vend që bujqësia të jetë një sektor që furnizon kryesisht tregun vendas, ekonomia maqedonase vazhdon të jetë ndjeshëm e varur nga prodhimi i huaj.

    Në vitin 2025, rreth 1.13 miliardë euro u shpenzuan për importin e produkteve bujqësore, ushqimore dhe të kafshëve të gjalla. Eksportet ishin sa gjysma e kësaj vlere, ose 564 milionë euro. Diferenca arrin në pothuajse 569 milionë euro dhe përbën deficitin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në tregtinë e ushqimit.

    Kur analizojmë se çfarë importojmë konkretisht, bëhet e qartë se varësia nga vendet e tjera nuk vlen vetëm për ushqimet që nuk mund t’i prodhojmë në vend. Në vitin 2024, shpenzuam pothuajse 188 milionë euro për mish dhe produkte të tjera të therjes, si dhe 93.6 milionë euro të tjera për qumësht, produkte të qumështit, vezë dhe produkte të tjera me origjinë shtazore.

    Importojmë gjithashtu produkte bazë të konsumit të përditshëm – rreth 19 milionë euro miell gruri, 13.7 milionë euro grurë dhe 13.5 milionë euro misër.

    Veçanërisht domethënëse janë importet e produkteve që tradicionalisht i konsiderojmë si përparësi të bujqësisë vendase. Gjatë të njëjtit vit importuam rreth 4.1 milionë euro kastravecë, 3.5 milionë euro patate dhe rreth 2 milionë euro speca dhe mollë.

    Pra, të dhënat tregojnë se nuk jemi të varur nga importi vetëm për produktet që nuk mund t’i prodhojmë, por edhe për disa nga ushqimet që duhet të ishin ndër pikat më të forta të bujqësisë vendase.

    Produktet e subvencionuara përfundojnë në tregjet e huaja

    Maqedonia e Veriut nuk është vetëm importuese e ushqimit. Çdo vit, vendi eksporton sasi të konsiderueshme të produkteve bujqësore dhe ushqimore – fruta, perime, duhan, verë dhe produkte të tjera me të cilat tradicionalisht konkurron në tregjet e huaja. Kjo tregon se bujqësia vendase ende ka produkte me të cilat mund të jetë konkurruese jashtë vendit.

    Megjithatë, eksportet nuk e ndryshojnë pamjen themelore të varësisë ushqimore.

    Ndër produktet bujqësore që eksportojmë më shumë janë specat, mollët, kastravecat dhe gruri – produkte në prodhimin e të cilave shteti ka investuar prej vitesh fonde të konsiderueshme përmes subvencioneve.

    Kështu, një pjesë e mbështetjes publike, e financuar me paratë e qytetarëve, ndihmon në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendase dhe depërtimin e tyre në tregjet e huaja, ndërsa në të njëjtën kohë ne importojmë po të njëjtat produkte për të përmbushur nevojat e tregut vendas.

    Paradoksi nuk qëndron te fakti që Maqedonia eksporton produkte bujqësore – kjo është krejtësisht normale. Problemi është diku tjetër: pas dy dekadash mbështetjeje shtetërore, bujqësia vendase ende nuk arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për vendin.

    Profesor Dimitrievski thotë se fakti që varësia nga tregjet e huaja po rritet vazhdimisht duhet të shërbejë si alarm për hartimin e politikave që do ta ndalnin shkatërrimin e prodhimit bujqësor vendas.

    I pyetur se si arritëm nga një vend me traditë të fuqishme bujqësore në këtë situatë, ai thotë se politikat e gabuara kanë bërë që kapacitetet prodhuese të vendit të zvogëlohen gjatë 35 vjetëve të fundit.

    “Kapacitetet janë përgjysmuar. Këtu do të përmendja edhe çmontimin e strukturës që ishte lokomotiva e prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore – agrokombinatet. Ato ishin sisteme ku prodhimi zhvillohej në sipërfaqe të mëdha dhe ku sigurohej ekonomia e shkallës. Fatkeqësisht, nga tridhjetë e një apo tridhjetë e dy kombinate, sot ekziston vetëm një. Pajtohem se ato duhej të transformoheshin gjatë procesit të privatizimit, por jo të shkatërroheshin”, thotë Dimitrievski.

    Pas 35 vjetësh pavarësi, kemi arritur në një paradoks: shteti përdor paratë e buxhetit për të mbështetur prodhimin që përfundon në tryezat e konsumatorëve të huaj, ndërsa qytetarët e vendit blejnë të njëjtat produkte të importuara, shpesh me çmime më të larta.

    Lajmi Paraprak

    U dorëzua edhe Përparim Bajrami / Toshkovski: të gjithë të arratisurit do të përballen me ligjin

    Lajmi i rradhës

    BE-ja kërkon fundin e “pasaportave të arta”, RMV-ja zgjedh një rrugë tjetër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë