Jetëgjatësi politike me kontraste problematike

    DR.JORGJI KOTE

    Ditët e fundit, Kryeministri Rama uroi homologen e tij Meloni për rekordin politik që theu si e para Kryeministre italiane pas lufte, që po qëndron në atë post për 4 vjet dhe që mesa duket do ta përfundojë mandatin e parë dhe do të vijojë më tej.

    Gjithsesi, ajo që nuk shkonte ishte urimi i Ramës që Meloni të kapte rekordin e tij në këtë fushë. E themi këtë mbasi për “rekorde” të tilla politike ne nuk kemi gojë të flasim se nuk ka asnjë bazë krahasimi me Italinë; as nga madhësia gjeografike dhe popullsia, as nga traditat demokratike me Italinë si vend bashkëthemelues i BE-së, NATO-s, etj. dhe mbi të gjitha, as nga roli në gjeopolitikën botërore, ku Meloni është “ peshë e rëndë” ndërsa Rama është peshë “pupël”. Ndaj, më kot mundohet ta fusë veten “kontrabandë” te “më të mëdhenjtë” e botës, qoftë edhe me humor! Madje, Rama veç shtatlartësisë, nuk ka thyer ende rekordin as për jetëgjatësinë politike si kryeministër. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse do ta çonte deri në fund mandatin.

    Gjithsesi, urojmë të mos jetë ky meraku që ia ka “dyllosur” veshët dhe nuk po dëgjon kambanat e alarmit që po ushtojnë fort sidomos në këto mbi 100 ditët e fundit në Tiranë dhe kudo. Ndonëse, siç i thonë fjalës, ia “kanë nxjerrë bojën dhe erzin”, ai sillet sikur 13 vitet e tij në pushtet të ishin 13 muaj, me teza dhe tema të vjetra por me terma dhe amballazh të ri, por që prapë nuk ngjisin dot! Ndaj, flet përçart për besë, prani besnike, pasqyra, radarë dhe broçkulla të tjera që njerëzve kudo, madje edhe të vetëve u kanë ardhur në majë të hundës! Tjetër gjë pastaj se edhe ata e kanë pësuar si “ prifti që kërcen nga belaja”! Në fakt, rekordin për jetëgjatësi kryeministrore e kanë thyer me kohë të tjerë burra dhe gra shteti që kanë bërë histori me mrekullitë e tyre politike. Më të hershmit janë ish-kryeministrat legjendarë social-demokratë suedezë, të cilët kanë drejtuar qeverinë për mbi 4 dekada, nga viti 1932 deri më 1976, por të cilëve Rama nuk “u vjen as të thoi i këmbës”- Per Albin Hansson, Tag Erlander, që qëndroi 23 vjet si Kryeministër dhe Olaf Palme, të cilët filluan dhe zbatuan modelin e famshëm të shtetit dhe mirëqënies sociale, një revolucion i vërtetë në fushën e kujdesit shëndetësor, për gratë dhe fëmijët, për të papunët, studentët, etj.

    “Modelin unikal Nordik” as BE-ja dhe asnjë vend tjetër i saj nuk e kanë zbatuar dot! Ndërkohë, Rama nuk përmend rekordin tjetër të liberalëve japonezë që qeverisën vendin për 38 vite rresht gjatë periudhës 1955 – 1993 por ama me 18 Kryeministra! Më vonë, ndër rekordmenët e jetëgjatësisë si kryeqeveritarë shquhen trioja emblematike gjermane, Adenauer, Kohl dhe Merkel me 14 dhe 16 vite rresht, Kryeministri spanjoll Gonzales dhe ai holandez Mark Rutte me nga 14 vjet secili. Mirëpo, ndryshe nga Rama, jetëgjatësia e tyre politike shpjegohet me udhëheqësinë e jashtëzakonshme, me kushtet&rrethanat specifike të këtyre vendeve, me staturën dhe integritetin absolut politik dhe me arritjet mbresëlënëse me jehonë planetare.

    Gjithsesi, ata dhe ndonjë tjetër janë përjashtime, madje dhe negative si në rastin e Orbanit hungarez; sepse nuk ka kryeministra të tjerë në Europë që ketë qeverisur më shumë se 3 mandate. Madje, edhe Çurçilli, Kryeministri legjendar i luftës qëndroi dy herë vetëm nga 5 dhe 4 vite rresht. Ndërkohë që Nobelisti i Paqes, Willy Brandt, legjenda e socialdemokracisë botërore qëndroi vetëm 5 vjet si Kancelar gjerman, edhe pse me “Ostpolitik-ën” e tij legjendare realizoi sa për 50 vjet të tëra. Rama na tregon “kontratën” me 800.000 votuesit e tij. Mirëpo edhe Kancelari historik austriak, social-demokrati i shquar Franz Vranitzy kishte “kontratë” me 8 milion austriakë dhe askush nuk i kërkoi të jepte dorëheqjen pas 11 viteve në krye të koalicionit me të djathtën e moderuar austriake. Mirëpo, ja që në kulmin e suksesit ai i befasoi të gjithë kur dha paqësisht dorëheqjen në janar 1997, për t’u hapur rrugën më të rinjve, që ai kishte përgatitur në prag të shekullit të ri.

    Veç sa sipër, duke respektuar në frymë dhe në gërma parimin e shenjtë të rotacionit politik që fillon brenda partisë, krejt ndryshe nga 13 vitet problematike të Ramës, vendet e BE-së kanë ndryshuar shumë kryeministra! Kështu, Gjermania ka patur 3 Kancelarë; Italia 5, Franca 9, Spanja 3, Britania 7, Belgjika, Polonia dhe Japonia nga 4 secili! Edhe në rajonin tonë kemi patur nga 5 kryeministra në secilin vend. Tani, dikush mund të pyesë, se ç’të keqe ka kur të zgjedh populli që të qeverisësh sa herë ai të jep mandatin dhe kur nuk ka një ligj apo rregull të shkruar për këtë? Po, kjo është e vërtetë, por prapë jetëgjatësia politike varet edhe nga besueshmëria, performanca e një qeverie dhe liderit të saj, dinamikat dhe nevojat e ndryshme që lindin dhe që kërkojnë zgjidhje, liderët dhe alternativat e reja politike që përgatiten.

    Mbi të gjitha, shqetësimi tjetër madhor lidhet me të paktën pesë rekorde dhe kontraste problematike ndërmjet Kryeministrit Rama, PS-së dhe homologëve të tyre në Europë. Ndonëse Rama nuk i sheh ose bën sikur nuk i sheh këto kontraste, me të cilat ai përbën një rast “sui generis” në kuptimin më negativ të fjalës. Kontrasti i parë i madh midis PS-së dhe partive europiane është se te ne mungon pothuajse plotësisht demokracia partiake, themeli i demokracisë në përgjithësi; sepse kur nuk ke demokraci brenda shtëpisë tënde, nuk mund ta ndërtosh atë jashtë. Natyrisht forumet janë të gjitha, siç ishin edhe në kohë të monizmit, por ato nuk funksionojnë, janë thjesht rripa transmisioni të pushtetit personal të Kryeministrit.

    Ndryshe nga 20 vite më parë, kur PS-ja ishte model i demokracisë së brendshme dhe e hapur ndaj ideve dhe mendimeve të ndryshme; ndërsa sot ajo i ngjan një reparti apo kazerme ushtarake, ku zbatohen automatikisht, pa “gëk dhe mëk” urdhërat e liderit, ndryshe “dil nga rreshti” Ja, shihni se çpo ndodh, protesta qytetare, dështime, afera dhe skandale deri te paradhoma e Kryeministrit por askush nuk pipëtin te PS-ja, me përjashtim të deputetes më të re Koçeku! Çfarë kontrasti i madh me laburistët britanikë kur vetëm disa javë më parë, ylli i tyre, Keir Starmer, ndonëse vetëm 2 vite si kryeministër, u detyrua nga “ të vetët” të jepte dorëheqjen dhe t’i linte vendin Andy Burnham! Ai fare mirë mund të përdorte gjuhën dhe justifikimet e Ramës për kontratën, mirëpo atje kjo “nuk pi ujë”, sepse ka demokraci vibruese të brendshme; ndaj i thanë ik sa nuk është vonë, se nuk të besojmë më!

    36 vite më parë, të njëjtën fat pësoi edhe Thatcheri e hekurt, kur mbas gati 12 vjet në pushtet e larguan po të vetët se nuk e donin më. Kështu e pësoi edhe Tony Blair pas 11 vitesh në pushtet, kur e shtrënguan prapë po të vetët që të largohej dhe tia linte vendin liderit tjetër laburist, Gordon Broën. Këtë përvojë e gjejmë edhe te fqinji ynë Greqia. Legjenda e politikës greke, Andreas Papandreu, themeluesi i PASOK-t të lavdishëm në ilegalitet qëndroi vetëm 8 vite rresht në pushtet dhe tre vite të tjera në mes vitet 90. Mirëpo edhe ai u detyrua të jepte dorëheqjen si pasojë e trysnisë së një grupi “rebelësh” brenda partisë, i kryesuar nga Costas Simitis; ky i fundit e zëvendësoi duke ndenjur 10 vite në pushtet. Kështu ka ndodhur edhe në Itali me social-demokratët dhe gjetkë.

    Kontrasti i dytë i fortë lidhet me përvojën në Europën demokratike, e cila tregon se sado e përsosur të jetë një parti, lideri dhe Kryeministri i saj, vjen një kohë kur alternativat, vizioni dhe performanca e tyre vjetërohen dhe shterojnë, duke çuar në gërryerjen dhe humbjen e besimit të gjerë publik; kjo edhe falë daljes së alternativave dhe liderëve të rinj nga opozita, nga e njëjta parti dhe shoqëria civile. Për pasojë, Partia fituese në zgjedhje humbet pikë, nuk siguron dot shumicën absolute dhe detyrohet të hyjë në koalicione më të gjera partiake, çka ua vështirëson dhe shkurton jetën politike. Këtë “gërryerje” të elektoratit e kanë përjetuar edhe më liderët e mëdhenj të lartpërmendur; atë e pësoi edhe Kancelarja Merkel që gjatë viteve 2017 – 2021 qeverisi në koalicion me 3 parti të tjera; në vitin 2019, rënia e besimit publik e detyroi të dorëhiqej nga kryesimi i CDUsë; duke njoftuar se nuk do të kandidonte më për mandatin e pestë në zgjedhjet parlamentare 2021, premtim që e mbajti.

    Ndërsa te ne ngjet e kundërta dhe çuditërisht votat për PS-në nga njeri mandat në tjetrin shtohen, pavarësisht se aferat, skandalet dhe dështimet nuk kanë të sosur! Dhe vijmë kështu te dallimi tjetër i madh mes liderëve të huaj dhe Edi Ramës; te të parët ka patur Zero afera dhe skandale, madje as thashetheme apo indicie! Presidenti i sotëm i Këshillit Europian, Antonio Costa dha menjëherë dorëheqjen sapo u zbulua një aferë ku ishte përfshirë shefi i tij i Kabinetit, por ku vetë Costa nuk kishte gisht dhe asgjë nuk e pengonte të vazhdonte.

    Por u largua vetë, shpëtoi nderin e Partisë dhe të vetin dhe pak më vonë u bë President i Këshillit Europian! Ndërsa te ne nuk mbahen mend dhe nuk numërohen dot aferat dhe skandalet me emra të frikshëm, ku janë përfshirë edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit, me dritëhije dhe dyshime edhe mbi vetë atë; bashkë me duzina ministrash dhe kryebashkiakësh deri te 2 ishzëvendëskryeministra por, ndërsa të tjerët deshi s’deshi “i lëshoi”, Rama nuk la gur pa lëvizur për ta shpëtuar zëvendësen e tij nga “shpata e drejtësisë”; me kosto tejet të lartë për vendin dhe anëtarësimin në BE.

    Dhe këtë na e heq si sukses të drejtësisë, duke na llomotitur për prezumimin e pafajësisë dhe përgjegjësinë personale dhe pa përgjegjësi politike! Dukuria dhe kontrasti tjetër i dukshëm është se PS-ja është ndër të paktat parti social-demokrate në pushtet që qeveris e vetme në gati 10 vitet e fundit. Në Gjermani social-demokratët kanë 15 vjet në pushtet, por në koalicion si partnerë të dytë, në Danimarkë PSD-ja është e para, por me rrjedhje votash brenda 5 viteve dhe pas zgjedhjeve të fundit Kryeministrja Mette Frederiksen do të drejtojë me qeveri pakice. Në Kosovë “Vetëvendosja” qeveris prej 5 vitesh por në koalicion me “Guxo”. Për pasojë, në kontrast të plotë me homologët e tij që qeverisin në kushtet e shumë kufizimeve ligjore dhe institucionale të brendshme dhe të jashtme, Rama është “ vetë Ali dhe vetë Kadi” që nuk qeveris, por sundon me të gjitha pushtetet në dorë.

    Ndaj, nëse dikur kishim Parti Shtet, sot kemi ’Njeriu Shtet’ ose më saktë ’Rama Shtet’! Sa për «shtetin e të drejtës» ai ekziston vetëm në letra dhe në fjalime! Kontrasti dhe “rekordi” i fundit fatkeq që tregon qartë edhe shkakun themelor të kontrasteve të tjera të lartpërmendura është se në Shqipëri ende nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, por thjesht votime me vello pluraliste; ca më keq akoma, me dukuri dhe fenomene të panjohura gjetkë, si shitblerja e votës, presioni, militantizmi i administratës publike dhe truke të tjera tashmë të vulosura edhe në raportet ndërkombëtare. Edhe reformat e kërkuara zgjedhore mbeten në letër. Për pasojë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme mbeten vetëm “dëshirë e mirë”!

    Ca më tepër kur Rama ka deklaruar se do të iki kur të dojë ai vetë dhe se PS-ja mund të qëndrojë jo 50, por edhe 100 vjet në pushtet! Ja pse, kthesa e madhe politike që po kërkohet me zë të lartë në protestën qytetare mbi 100-ditore në Tiranë dhe kudo fillon vetëm me dorëheqjen e Kryeministrit Rama; të tjerat vijnë me radhë. Panorama

    Lajmi Paraprak

    MMPT: mbi 70% e popullsisë së Tetovës shqiptare, vetëm 2% e rrugëve me emra shqip

    Lajmi i rradhës

    Mashtrimi më i fundit letrar – Letrat elektronike për legjendat e vdekura të letërsisë së shekullit XX

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë