Edhe pse pothuajse çdo i katërti automjet i importuar në Maqedoninë e Veriut gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti është i ri, veturat e përdorura vazhdojnë të dominojnë si në importe, ashtu edhe në rrugët e vendit. Mosha mesatare e automjeteve që qarkullojnë në vend është rreth 20 vjet, ndërsa numri i veturave të përdorura që importohen mbetet dukshëm më i lartë krahasuar me atë të veturave të reja. Një pjesë e konsiderueshme e automjeteve në qarkullim janë prodhuar më shumë se një dekadë më parë, çka ngre shqetësime si për sigurinë në komunikacion, ashtu edhe për ndotjen e ajrit.
Ekspertët vlerësojnë se fuqia e ulët blerëse e qytetarëve dhe mungesa e masave të mjaftueshme për rinovimin e flotës automobilistike janë ndër arsyet kryesore pse veturat e vjetra vazhdojnë të jenë zgjedhja e një pjese të madhe të qytetarëve.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Doganore, nga janari deri në korrik të vitit 2026 në Maqedoninë e Veriut janë importuar gjithsej 36.614 automjete pasagjerësh, të reja dhe të përdorura. Prej tyre, 8.832 kanë qenë automjete të reja, që përbëjnë rreth 24 për qind të importeve të përgjithshme – ose afërsisht çdo i katërti automjet i importuar. Importi i automjeteve të reja ka shënuar rritje edhe krahasuar me vitin e kaluar. Në shtatë muajt e parë të vitit 2025 ishin importuar 7.594 automjete të reja. Kjo do të thotë se këtë vit janë importuar 1.238 automjete më shumë, ose një rritje prej 16,3 për qind.
Rritje edhe më e theksuar është regjistruar gjatë muajit korrik. Vetëm në këtë muaj janë importuar 1.635 automjete të reja pasagjerësh, kundrejt 1.264 automjeteve në korrik të vitit të kaluar. Në nivel vjetor, kjo paraqet një rritje prej 29,4 për qind.
Megjithatë, automjetet e përdorura vazhdojnë të zënë pjesën dërrmuese të importeve. Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë importuar 27.782 automjete të përdorura, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri ishte 26.286. Bëhet fjalë për 1.496 automjete më shumë, përkatësisht një rritje prej rreth 5,7 për qind.
Të dhënat tregojnë se, ndonëse automjetet e përdorura vazhdojnë të dominojnë në numër, ritmi i rritjes së importit të veturave të reja është dukshëm më i lartë. Importi i tyre është rritur me 16,3 për qind, kundrejt 5,7 për qind te veturat e përdorura. Megjithatë, hendeku mbetet i madh: në shtatë muajt e parë të vitit, për çdo veturë të re të importuar, janë importuar pak më shumë se tri vetura të përdorura. Kjo tregon se, pavarësisht rritjes së interesimit për automjete të reja, rinovimi i flotës automobilistike në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë një proces i ngadalshëm. /Koha/




