Para grushtit vijnë kërcënimet: dhuna nis shumë më herët

    Foto e licencuar nga Envato

    Nëse vitin e kaluar – në 2025, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 4745 denoncime për dhunë në familje dhe 6 raste vrasjeje, këtë vit – vetëm për shtatë muaj, numri i grave viktima të dhunës është katër vrasje. Një statistikë tjetër e Ministrisë së Politikës Sociale flet për 1260 viktima të regjistruara, prej të cilave 932 ishin gra, pra rreth 74%.

    Vetëm dy javët e para të muajit mars, Ministria e Punëve të Brendshme kishte paraqitur 21 kallëzime penale për 25 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, si dhe 5 kallëzime për dhunë me bazë gjinore. Në të njëjtën periudhë ishin evidentuar 39 ngjarje dhe 63 ankesa të lidhura me dhunën në familje, shkruan Koha.

    Shifrat e policisë dhe institucioneve tjera tregojnë se problemi mbetet serioz. Kjo sidomos kur kemi parasysh se, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026, u regjistruan katër raste femicidi.

    Të dhënat e MPB-së tregojnë se ankesat për dhunë në familje u rritën nga 3759 në vitin 2020 në 5436 në vitin 2025, pra rreth 45% më shumë. Vetëm nga 2024 në 2025 rritja ishte rreth 29%. Numri i veprave penale gjithashtu u rrit nga 992 në 2020 në 1195 në 2025, ose rreth 20%. Një tjetër tregues domethënës është gjinia e viktimave. Në vitin 2025, 1033 nga 1195 viktimat e veprave penale të dhunës në familje ishin gra, ose rreth 86%. Për krahasim, në 2024 ishin 911 gra nga 1146 viktima, ndërsa Komisioni Evropian e jep pjesëmarrjen e grave në rastet e raportuara të vitit 2024 në rreth 84%.

    “Sipas të dhënave të MPB-së, numri i ankesave dhe denoncimeve të lidhura me dhunën në familje është rritur nga 3.759 në vitin 2020 në 5.436 në vitin 2025, një rritje prej rreth 45 për qind. Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 1.195 vepra penale dhe po aq viktima, prej të cilave 1.033, ose rreth 86 për qind, ishin gra. Edhe më alarmante janë të dhënat për rastet me pasoja fatale: nga viti 2021 deri në vitin 2025 janë vrarë 26 gra, ndërsa vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026 u regjistruan katër raste femicidi”, thuhet në raportin e Policisë.

    DESTANI: MODELE SJELLJEJE TË TOLERUARA PËR NJË KOHË TË GJATË NË SHOQËRI

    Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se në shumë raste ajo nuk nis me dhunë fizike, por me kontroll, izolim, xhelozi, poshtërim, kërcënime dhe frikësim. Pikërisht këto shenja, të cilat shpesh minimizohen ose tolerohen, mund të jenë paralajmërim për përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës, deri në rastet më tragjike. Psikologia Edlira Destani thotë se dhuna ndaj grave nuk mund të shihet vetëm si një seri rastesh individuale, por si një problem që lidhet edhe me mentalitete dhe modele sjelljeje të toleruara për një kohë të gjatë në shoqëri. Sipas saj, në disa mjedise vazhdon të jetë i pranishëm mentaliteti patriarkal dhe bindja se burri duhet të jetë dominues, ndërsa gruaja duhet të jetë më e nënshtruar dhe të tolerojë më shumë.

    Destani thekson se pasojat e dhunës janë të thella edhe në aspektin psikologjik. Gratë që përjetojnë dhunë mund të humbin vetëbesimin, të jetojnë me ankth dhe frikë të vazhdueshme, të përjetojnë depresion dhe simptoma të stresit post-traumatik. Pasojat, sipas saj, prekin edhe fëmijët dhe familjen, ndërsa kontrolli dhe poshtërimi i vazhdueshëm mund ta bëjnë viktimën të ndihet e pafuqishme për të marrë vendime dhe për të ndërtuar një jetë të pavarur.

    Ajo vlerëson se parandalimi nuk mund të kufizohet vetëm te ndëshkimi pasi krimi të ketë ndodhur. Sipas saj, nevojitet një sistem më i fortë parandalimi që nis që në fëmijëri, përmes edukimit për respektin, barazinë gjinore, kufijtë personalë dhe marrëdhëniet e shëndetshme. Destani thekson edhe rëndësinë e reagimit institucional, duke veçuar kërcënimet, kontrollin ekstrem, dhunën e përsëritur dhe periudhën e ndarjes nga partneri si sinjale serioze rreziku që duhet të trajtohen me kujdes profesional. “Femicidi nuk duhet të perceptohet si një tragjedi që ndodh papritur”, është thelbi i vlerësimit të saj, pasi në shumë raste paraprihet nga një histori kërcënimesh, kontrolli, poshtërimi ose dhune.

    Për këtë arsye, ajo e sheh të domosdoshme që gratë të kenë mundësi të flasin, të kërkojnë ndihmë dhe të largohen nga dhuna në mënyrë të sigurt.

    FRIKA PËR TË RAPORTUAR DHUNËN

    Në anën tjetër, sociologu Ali Pajaziti e sheh problemin edhe përmes faktorëve më të gjerë shoqërorë. Sipas tij, në dhunën ndaj grave ndikojnë dhuna e përjetuar në familje gjatë fëmijërisë, mënyra se si paraqitet dhuna në media dhe rrjete sociale, problemet ekonomike, mungesa e pavarësisë financiare të grave, mangësitë në sistemin arsimor dhe reagimi jo gjithmonë efektiv i institucioneve.

    Pajaziti ndalet edhe te një prej problemeve kryesore, mosraportimi i dhunës. Shumë gra, sipas tij, heshtin për shkak të frikës, fëmijëve, dëshirës për të ruajtur familjen ose imazhin e saj. Në raste të tjera ekziston frika se denoncimi mund ta përshkallëzojë dhunën, ndërsa mungesa e besimit se institucionet do të reagojnë në kohë mund t’i mbajë viktimat në heshtje.

    Sociologu vëren se në shoqëri ende dëgjohen arsyetime si “burri është burrë” apo se gruaja duhet të durojë dhe të ulë kokën. Pikërisht këto qëndrime, sipas tij, duhet të ndryshojnë, pasi dhuna nuk mund të justifikohet me traditën, martesën, familjen apo rolet gjinore. Pajaziti thekson gjithashtu rolin e familjes në parandalim, duke vlerësuar se prindërit duhet të jenë shembull për fëmijët dhe të ndërtojnë marrëdhënie të bazuara në respekt, e jo në frikë dhe dominim. Sipas tij, rol të rëndësishëm mund të luajnë edhe institucionet fetare dhe organizatat joqeveritare përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit, ndërsa institucionet shtetërore duhet të zhvillojnë fushata kundër femicidit dhe të forcojnë mekanizmat e parandalimit.

    Në të dyja këndvështrimet, theksi vihet te nevoja për të vepruar para se dhuna të përshkallëzohet. Edukimi, ndryshimi i mentalitetit, reagimi institucional në kohë dhe mbështetja për gratë që kërkojnë ndihmë shihen si elemente të rëndësishme në parandalimin e rasteve të rënda. Femicidi nuk duhet të trajtohet vetëm si një tragjedi e ndodhur, por edhe si një sinjal se shenjat e mëparshme të dhunës duhet të identifikohen dhe të merren seriozisht.

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut synon t’i harmonizojë pagat në sektorin publik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë