Alide Lloga
A janë librat “lule, mos i prek”?
Mësimi ka filluar prej tri javësh dhe nxënësve u janë shpërndarë tekstet shkollore. Por, sipas udhëzimeve që u janë dhënë, ata nuk duhet të shkruajnë në to.
A është kuptuar drejt ideja se librat duhet të ruhen, pra të mos dëmtohen? Nëse kërkesa është që tekstet të mos grisen, të mos dëmtohen apo të mos humbasin, kjo është plotësisht e kuptueshme. Por që nxënësit të mos mund të shkruajnë në to, sidomos nxënësit e ciklit të ulët, nuk e shoh aspak të arsyeshme.
Libri i matematikës, për shembull, është tekst pune. Nxënësi duhet të zgjidhë ushtrime, të bëjë veprime, të plotësojë, të lidhë, të shënojë dhe të punojë drejtpërdrejt me materialin mësimor.
Në vend të kësaj, prindërit po detyrohen t’i printojnë faqet e librave në mënyrë që fëmijët të mund t’i kryejnë detyrat.
Atëherë, çfarë janë tekstet shkollore: mjete për të mësuar apo libra që duhet të ruhen për dekor, si gotat e kristalta që dikur i mbanim në vitrinë?
Nëse Ministria e Arsimit i ka shpërndarë tekstet shkollore për nxënësit, ndërsa arsimi është i detyrueshëm, nuk e kuptoj logjikën që fëmijëve t’u ndalohet përdorimi i tyre në mënyrën që kërkon procesi mësimor.
Si prind, jam tejet e shqetësuar nga kjo situatë dhe kërkoj që ky keqkuptim të sqarohet qartë:
A duhet të ruhen librat nga dëmtimi, apo nxënësit nuk duhet të shkruajnë fare në to?
Sepse nëse fëmijët nuk mund t’i përdorin tekstet si mjete pune, atëherë lind pyetja:
Pse u shpërndanë?
Dhe mbi të gjitha, pse duhet të jetë prindi ai që paguan përsëri për printimin e materialeve që tashmë ekzistojnë në tekstet shkollore?
A duhet të plotësojë prindi, nga xhepi i tij, atë që duhet të sigurojë sistemi arsimor?
Kërkojmë vetëm një gjë: qartësi dhe një zgjidhje të arsyeshme, në interes të nxënësve dhe familjeve.





