A kemi vërtet kaq shumë nostalgjikë të diktaturës?

    ÇAPAJEV GJOKUTAJ

    Të bën përshtypje kur në biseda të përditshme, por edhe në rrjete sociale, has jo rrallë vlerësime nostalgjike për periudhën 1944 – 1990, të tipit: “Mbase ishim më të varfër, po siguria ishte siguri, flinim me derë hapur”, “Sa mbaroje shkollën të priste një vend pune, sot me diplomën mund të bësh fresk kafeneve”, “Spitalet mbase s’kishin pajisjet e sotme, por mjeku të vizitonte pa të parë nga xhepi” etj., etj.. Të gjitha këto të shtyjnë të dyzosh: A kemi vërtet kaq shumë nostalgjikë të diktaturës?

    1. Por kjo pyetje rezulton problemore. Ndoshta problemi fillon pikërisht me fjalën “nostalgjik”. Me të shenjojmë qëndrime shumë të ndryshme. Të thuash se “atëherë kishte më shumë siguri”, se “puna ishte e garantuar” apo se “shkolla ishte më e mirë” nuk do të thotë domosdoshmërish të thuash: “dua të rikthehet diktatura”. Një sondazh i OSBE-së, bërë vite më parë, jepte një tablo shumë më të ndërlikuar nga ajo që mund të sugjerojnë thënie apo shifra të shkëputura. Të anketuarit mendonin se disa aspekte të jetës, si siguria, arsimi dhe punësimi, kishin qenë më të mira gjatë regjimit; por vlerësonin keq zhvillimin ekonomik, mungesën e lirisë, represionin shtetëror, shkeljen e të drejtave të njeriut etj. Perceptimi për diktaturën, përfundonte raporti, ishte i larmishëm dhe aspak uniform.

    Në kushte të tilla kemi arsye të pyesim nëse një pjesë e asaj që quajmë nostalgji për diktaturën është diçka më e ndërlikuar: nostalgji individuale e ndërthurur me kujtesën selektive. Kujtesa njerëzore nuk është një arkiv ku e kaluara depozitohet dhe qëndron e pandryshuar. Si rregull njerëzit e rindërtojnë. Me kalimin e viteve, ngarkesa emocionale e përvojave negative si rregull mund të zbehet, disa episode humbasin rëndësinë, të tjera e fitojnë atë, ndërsa kujtimet organizohen gradualisht në një histori të jetës sonë që na duket koherente.

    Prandaj, kur një njeri 17-vjeçar thotë sot se “në vitet ’70 jetohej më mirë”, ai mund të jetë duke krahasuar, pa e kuptuar, dy gjëra shumë të ndryshme. Në njërën anë është e tashmja e tij reale: pleqëria, pensioni, pasiguria, fëmijët që ndoshta jetojnë jashtë vendit, miqtë që janë larguar ose nuk jetojnë më, dobësimi i lidhjeve shoqërore etj. Në anën tjetër në kujtimet e tij nuk është domosdoshmërish Shqipëria reale e viteve ‘70. Është kujtimi i tij për kohën kur ishte njëzet apo tridhjetë vjeç, kishte prindërit gjallë, miqtë pranë, një vend pune, një rreth shoqëror të qëndrueshëm dhe pjesën më të madhe të jetës përpara. Këtu pyetja ndryshon: i mungon diktatura apo i mungon rinia e tij?

    2. Psikologjia e kujtesës na ndihmon edhe në një drejtim tjetër. Përvojat negative nuk zhduken domosdoshmërish nga kujtesa, por pesha e tyre emocionale si rregull ka prirje të zbehet. Me sa, duket një mekanizëm psikologjik vetëmbrojtës e shtyn individin të shkarkojë një pjesë të ngarkesave të papëlqyeshme, ndryshe jeta do t’i bëhej e vështirë. Radha për qumështin mund të mbahet mend, por jo acarimi i përditshëm që ajo shkaktonte. Mbledhja politike mund të kujtohet, por jo domosdoshmërish kujtohen me intensitetin e atëhershëm bezdia apo frika.

    Ndërkohë dasmat, shoqëria, puna me kolegët, pushimet, dashuritë e rinisë mund të ruajnë një ngarkesë shumë më të ngrohtë emocionale. Prirjes së natyrshme të njeriut për të zbehur kujtimet negative dhe për të forcuar ato pozitive, i shtohet një mekanizëm tjetër: krahasimi selektiv. Njeriu merr shqetësimet më të dukshme të së tashmes si pabarazinë, korrupsionin, pasigurinë ekonomike, emigrimin, dobësimin e komunitetit dhe i krahason jo me tërësinë e jetës nën diktaturë, por me disa anë të favorshme që kujton prej saj: punësimin, rendin, sigurinë, jetën komunitare etj.

    Pra, pa e kuptuar, mund të vendosë përballë pjesën më problematike të së tashmes me pjesën më të mirë të së kaluarës. Nga një krahasim i tillë mund të lindë nostalgji pa u shoqëruar domosdoshmërish nga dëshira për rikthimin e sistemit politik. Ka edhe një problem tjetër: nuk ekziston një kujtesë e vetme për diktaturën. Një ish-i burgosur politik dhe një ish-funksionar nuk kanë jetuar të njëjtën diktaturë. Por as një punëtor fabrike, një kooperativist, një mësues, një familje me “biografi të mirë” dhe, përballë tyre, një familje e internuar nuk kanë pasur të njëjtat përvoja.

    Dy njerëz që kanë jetuar në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë mund të mbajnë mend dy Shqipëri pothuajse të papajtueshme me njëra-tjetrën. Kjo nuk do të thotë se përvoja personale është e rreme. Një njeri që thotë “atëherë e kisha punën të sigurt” mund të jetë duke thënë një të vërtetë të plotë për jetën e vet. Problemi fillon kur nga “unë e kisha punën të sigurt” kalojmë te “atëherë jetohej më mirë”, dhe prej andej te një gjykim për një sistem të tërë politik dhe për përvojën e një shoqërie të tërë. Prandaj ndoshta pyetjen “Pse ka kaq shumë shqiptarë nostalgjikë për diktaturën?” e formulojmë gabim që në fillim. Më e dobishme do të ishte: çfarë kujtojnë me nostalgji shqiptarët kur flasin pozitivisht për jetën gjatë diktaturës?

    Përgjigjja mund të përmbajë shumë gjëra njëherësh: sigurinë, punën, komunitetin, statusin shoqëror, disa shërbime publike, por edhe rininë, familjen që nuk është më, zhgënjimin me tranzicionin dhe problemet e Shqipërisë së sotme. Dhe, bashkë me to, punën e heshtur që bën kujtesa duke zgjedhur, zbehur dhe rindërtuar të kaluarën.

    3. Kjo nuk e relativizon diktaturën. Përndjekja politike, burgimet, internimet, mungesa e pluralizmit, kufizimi i lirisë, izolimi dhe dhuna shtetërore nuk varen nga mënyra se si i kujton sot një apo disa individë të shkëputur. Historia e një sistemi dhe kujtimi subjektiv i jetës brenda tij nuk janë e njëjta gjë. Këtë dallim e ka dhënë bukur Milan Kundera, tek “Libri i të qeshurës dhe harresës” me episodin e një fotografie të famshme të vitit 1948. Lideri komunist çek, Klement Gottwald del në një ballkon për të përshëndetur turmën. Është ftohtë dhe lideri s’ka venë kapelë.

    Ministri i jashtëm, Vladimír Clementis, heq kapelën e tij dhe ia vë Gottwald-it. Fotografia e këtij gjesti shumëfishohet dhe bëhet pjesë e ikonografisë së regjimit. Katër vjet më vonë Clementis dënohet dhe ekzekutohet në spastrimet staliniste. Propaganda e retushon dhe e heq nga fotografia. Aty ku qëndronte ministri i jashtëm mbetet muri i zbrazët. Por jo gjithçka mund të fshihej. Edhe në variantin e censuruar kapela e Clementis-it vazhdonte të ishte mbi kokën e Gottwald-it. Dhe pastaj pason thënia e famshme e Kunderës: lufta e njeriut kundër pushtetit është, në një kuptim, lufta e kujtesës kundër harresës. Ndoshta kështu duhet ta mendojmë edhe kujtesën për diktaturën. Secili prej nesh mund ta kujtojë të kaluarën në mënyrën e vet.

    Mund ta zbusë, ta romantizojë, ta errësojë ose ta rindërtojë. Kujtesa individuale e ka këtë liri dhe këtë dobësi. Por e kaluara nuk ekziston vetëm në kujtesën tonë. Ajo mbetet në arkiva, në dokumente, në statistika, në dosje, në fotografi, në vendime gjyqësore, në dëshmitë e kryqëzuara dhe në studimet historike. Ndaj herët a vonë, prej versionit subjektiv që mund të kemi ndërtuar për të kaluarën, del gjithmonë diku një kapelë si ajo e Clementis-it. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Qeveria gjermane i shpall luftë abuzimit me ndihmën sociale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë