Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), por, mbi të gjitha, një çështje e besimit të qytetarëve në institucione dhe në sistemin ligjor, tha eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, në seancën e parë të Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE–Maqedoni e Veriut, e cila iu kushtua pikërisht kësaj teme, përcjell Nistori.
Duke folur në këtë kontekst, eurodeputeti theksoi se asnjë vend nuk është i lirë nga korrupsioni, por ndryshimi qëndron në mënyrën se si institucionet e secilit vend reagojnë dhe përballen me këtë problem.
“Të gjitha shtetet anëtare të BE-së po luftojnë kundër korrupsionit. Asnjë shtet anëtar nuk është i përsosur. Ne po luftojmë për forcimin e sundimit të ligjit, por ka dallime mes nesh. Ka nivele të ndryshme të korrupsionit në shtete të ndryshme anëtare. Ka edhe raste të mëdha korrupsioni në Austrinë time, por ndryshimi është se shumë njerëz të pasur janë në burg”, tha Waitz.
Ai përmendi si shembull një skandal korrupsioni në Austri, ku arrestimi dhe ndalimi i personit përgjegjës për veprat korruptive ndikoi menjëherë në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit.
“Njerëzit panë se një nga njerëzit më të pasur në Austri do të dilte para gjykatës dhe se mund të ndalohej për një krim të rëndë. Ai u kushtoi taksapaguesve miliarda. Dua të theksoj se nuk bëhet fjalë vetëm për përmbushjen e detyrimeve ndaj BE-së, por për investimin në shoqërinë tuaj, në vendin tuaj, në funksionimin e institucioneve tuaja dhe në besimin ndaj sistemit. Nëse nuk mund t’i bindni qytetarët se drejtësia ekziston për të gjithë, kjo u jep atyre një arsye për t’u larguar”, tha Waitz.
Në këtë drejtim, eurodeputeti iu referua emigrimit të të rinjve, duke paralajmëruar se ai përbën një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e vendit, pasi me largimin e tyre humbet edhe një pjesë e së ardhmes së vendit. Ai tha se kishte biseduar me shumë të rinj në vend, të cilët ankoheshin se, nëse nuk kanë lidhje dhe nuk vijnë nga një familje e përshtatshme, e kanë të vështirë ta fitojnë vendin e punës që dëshirojnë.
“Pavarësisht nëse është e vërtetë apo jo, vetë fakti që të rinjtë kanë një perceptim të tillë është një nxitës i fuqishëm i ikjes së trurit. Si austriak, do të thosha: ‘Shumë mirë, ejani tek ne në Austri, na duhen njerëz të kualifikuar dhe të arsimuar!’ Por unë e di se çfarë efekti ka kjo në shoqëri. Jam këtu si mbështetës i Maqedonisë së Veriut dhe i të gjithë rajonit. Dua t’ju paralajmëroj se, nëse të rinjtë largohen, largohet edhe një pjesë e së ardhmes së vendit dhe kjo lidhet me besimin në institucione, besimin në gjyqësor dhe besimin në institucionet tuaja”, tha Waitz.
Duke iu referuar Agjendës së Reformave, eurodeputeti theksoi se përmirësimi i sistemit gjyqësor dhe ndryshimet në Kodin Penal duhet të vazhdojnë, në mënyrë që vendi të mund të shfrytëzojë fondet nga mekanizmat mbështetës evropianë.
“Nëse një vend nuk i zbaton reformat në kohë, ato para shkojnë te vendet fqinje. Me sa jam i informuar, keni një mundësi reale për të marrë fonde shtesë të konsiderueshme, ndoshta 70–80 milionë euro. Por nuk bëhet fjalë vetëm për paratë. Ju duhet t’u shërbeni qytetarëve me një sistem që jo vetëm është efikas, por që krijon edhe besim te popullata. Në fund të fundit, për shtetet dhe shoqëritë është thelbësore nëse qytetarët i besojnë sistemit”, deklaroi Waitz.
Në prezantimin e tij, ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, përshëndeti përafrimin e Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe rolin e saj aktiv si anëtare e NATO-s.
Ai vlerësoi se është shënuar përparim në Agjendën e Reformave dhe në Planin e Rritjes, por theksoi se nevojiten hapa shtesë për hapjen e negociatave për grupkapitullin “Themeloret”.
“Objektivi ynë politik mbetet hapja e negociatave për grupkapitullin ‘Themeloret’, pasi të përmbushen kriteret e miratuara nga Këshilli. Dhe ju e dini se kjo nënkupton, para së gjithash, përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Mbështetja e Parlamentit është e nevojshme në këtë drejtim”, tha Rokas.
Ambasadori irlandez Brendan Ward, vendi i të cilit mban presidencën aktuale të Këshillit të BE-së, tha se zgjerimi shihet si një investim jetik gjeostrategjik dhe u bëri thirrje partive politike në vend që të punojnë drejt arritjes së një konsensusi për reformat e nevojshme për avancimin e procesit të anëtarësimit.
“Do ta përfundoj duke përsëritur se presim që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë veprimet që do të mundësojnë përparim të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit. Ne i inkurajojmë të gjitha partitë në Parlament që të punojnë drejt një konsensusi ndërpartiak, në mënyrë që të ketë një fokus të përbashkët dhe të ndërmerren hapat konkretë të nevojshëm për ta çuar përpara procesin e anëtarësimit”, tha Ward. /Nistori/




