Teatri i absurdit dhe fundi i durimit

    BISLIM AHMETAJ

    Qeverisjen e Edi Ramës e kanë shoqëruar, gjatë viteve, një varg skandalesh, hetimesh dhe episodesh politike që kanë ushqyer një ndjesi të thellë absurdi në shoqërinë shqiptare.

    Kanabizimi i vendit nën patronazhimin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri mund të konsiderohet si një nga skenat e para të këtij teatri. Më pas erdhën hetimet, proceset gjyqësore dhe një varg episodesh të tjera që kanë mbajtur politikën shqiptare në një gjendje të përhershme tronditjeje. Në vitet që pasuan, lista e emrave dhe e çështjeve u bë gjithnjë e më e gjatë: Bena, Bela, Beqa, Koka, Çyrbja, Gjushi, Gjici, Kici, Mici dhe Cic-Mici.

    Secili prej tyre është një histori dramatike në vete nga vjedhja e ilaçeve, tek ajo e ushqimeve, nga korrupsioni masiv, tek shitja e pasurisë kombëtare, përgjegjësi që duhet të përcaktohen nga institucionet e drejtësisë dhe jo nga tribunat politike. Drejtësia është kollitur me raste por akoma s’është formësuar si sistem. Por ajo që e bën të veçantë këtë periudhë është se episodet nuk duket më se kanë fund. Zhvillimi i fundit i arrestit të Vlora Hysenit drejtueses se institucionit të sigurisë kombëtare dhe hetimeve të SPAK-ut kanë shtuar ndjesinë e një realiteti politik ku kufiri mes normales dhe absurdit është bërë gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar. Dhe këtu mendja shkon vetvetiu te Eugène Ionesco.

    Dramaturgu i madh i absurdit ndoshta do ta kishte të vështirë të imagjinonte një skenar shqiptar ku realiteti politik duket herë-herë më grotesk se vetë teatri. Por, nëse Tahiri ishte një nga skenat e para të këtij seriali, sot pyetja nuk është më se cili do të jetë episodi i radhës. Pyetja është: kur do të mbarojë shfaqja? Dikur, kur i ndjeri Miftari paralajmëronte se skenari i kësaj qeverisjeje ishte shkruar diku tjetër, shumë pak njerëz e merrnin seriozisht. Aq pak sa edhe vet Myftari një ditë i dha fund jetës në mënyrë krejt misterioze(!) Sot, pas kaq shumë vitesh, ajo fjali është kthyer në një nga ato kujtime që shoqëria i rikthen në vëmendje kur realiteti i detyron njerëzit të rishikojnë atë që dikur e kishin quajtur të pamundur.

    Dhe pikërisht këtu hyn Dino Buzzati. Dhe tregimi i tij “Kulla”, pushtuesit nuk vijnë me zhurmë nga veriu apo nga jugu. Ata dalin në heshtje, pushtojnë, grabisin dhe shkatërrojnë. Më e frikshmja nuk është se ata janë jashtë nesh, por se arrijnë të hyjnë brenda nesh. Dhe Gordini, ndërsa shikon diku tjetër, nuk e kupton se sulmi ka mbërritur edhe tek ai. Ndoshta kjo është metafora më e dhimbshme për Shqipërinë e sotme. Sepse një shoqëri nuk shkatërrohet vetëm kur i rrëzohen institucionet. Shkatërrohet edhe atëherë kur qytetarët mësohen me të jashtëzakonshmen, kur skandali bëhet rutinë, kur absurdi bëhet normalitet dhe kur njeriu fillon të besojë se asgjë nuk mund të ndryshojë. Por pikërisht këtu ndodhet edhe shpresa.

    Prej më shumë se 100 ditësh, qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në Tiranë dhe kanë protestuar kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen pa kushte të Edi Ramës si regjizori që e ka nënë në skenë teatrin absurd që po luhet në vendin tonë. Protesta ka vazhduar përtej ditës së 100- të, duke dëshmuar se pakënaqësia jo vetë nuk është zhdukur me kalimin e kohës por është trashur ku s’mban më. Kjo protestë ka një veçori të rëndësishme: ajo nuk është thjesht një betejë parlamentare. Opozita formale, për një mijë e një arsye që lidhen me historinë e saj, me gabimet e saj dhe me perceptimin që ka krijuar në shoqëri, nuk e ka fituar të drejtën morale për të marrë drejtimin e kësaj lëvizjeje qytetare. Madje, një pjesë jo e bogël e protestuesve e kanë trajtuar edhe opozitën si pjesë të problemit.

    Kjo është një nga sfidat më të mëdha të momentit: si të krijohet një urë mes zemërimit qytetar dhe përfaqësimit politik pa e vrarë të parin dhe pa e komprometuar të dytin. Edhe nga jashtë Shqipërisë, qytetarët nuk mund të presin pafundësisht që të tjerët të zgjidhin problemet e tyre. Brukseli ka axhendën e vet. Washingtoni ka problemet dhe interesat e veta. Në fund të fundit, çdo shoqëri duhet të jetë e aftë të përballet vetë me krizën e saj demokratike dhe institucionale. Secili duhet të pastrojë shtëpinë e vet përpara se të kërkojë që komshiu t’i tregojë si ta bëjë. Prandaj, për t’i dhënë fund këtij “teatri të absurdit”, nuk mjafton një tjetër slogan. Nuk mjafton as një tjetër konferencë shtypi.

    Nuk mjafton as një tjetër debat televiziv. Ajo që kërkohet është një përballje serioze me institucionet, me ligjin dhe me përgjegjësinë politike. Kur ka prova për përgjegjësi penale, ato duhet të hetohen pa asnjë hezitim dhe gjykohen nga drejtësia që po formësohet me shumë sfida. Nëse ka përgjegjësi politike, ato duhet të përballen në parlament dhe përmes vullnetit qytetar. Kjo është rruga që e ndan një shoqëri demokratike nga një teatër i vërtetë i absurdit. Opozita ka përpara një nga sfidat e saj më të mëdha: të bindë qytetarët se nuk kërkon thjesht të zëvendësojë një pushtet me një tjetër, por të ndërtojë një mënyrë tjetër të qeverisjes. Edhe Sali Berisha si lider i partisë më të madhe të opozitës, nëse pretendon të ketë një rol në këtë proces, duhet të gjejë mënyrën për të rifituar besimin e qytetarëve. Jo përmes deklaratave të pafundme televizive, por përmes një prove konkrete se opozita është në gjendje të kapërcejë interesat e saj partiake. Sepse qytetari që del çdo natë në rrugë nuk kërkon vetëm një emër tjetër në krye të qeverisë. Kërkon të besojë përsëri se shteti është i tij. Se drejtësia është e tij. Se vota e tij ka peshë. Se politika nuk është pronë e askujt.

    Dhe mbi të gjitha, se nuk është i dënuar të jetojë përgjithmonë në një vend ku absurdi përsëritet aq shpesh, sa në fund fillon të duket normal. Ndoshta ky është momenti vendimtar. Jo për të pyetur se kush do të fitojë. Por për të pyetur nëse ne, si shoqëri, do të vazhdojmë të shikojmë në drejtim tjetër. Sepse, si te Buzzati, pushtuesi më i rrezikshëm nuk është gjithmonë ai që vjen nga jashtë. Ndonjëherë është ai që arrin të na bindë se nuk ia vlen më të rezistojmë. Dhe sfida jonë e vërtetë është pikërisht kjo: Të mos dorëzohemi.

    /GazetaPanorama

    Lajmi Paraprak

    Garancitë përballë obligimeve! BE në mes të Shkupit dhe Sofjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë