Rastet e Hagës përplasin VLEN-in dhe BDI-në, Qoku dhe Ademi me versione të kundërta për vitin 2001

    Çështjet e Hagës që lidhen me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut kanë përplasur deputetin e VLEN-it, Bekim Qoku, dhe sekretarin e BDI-së, Arbër Ademi, gjatë debatit në Alsat. Dy përfaqësuesit politikë paraqitën qëndrime të kundërta lidhur me mënyrën se si janë trajtuar këto raste, rolin e Ali Ahmetit dhe mundësinë e riaktualizimit të tyre, përcjell Nistori.

    Qoku pretendoi se çështjet e Hagës kanë qenë pjesë e diskutimeve mes Ali Ahmetit dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në kuadër të marrëveshjes së majit të vitit 2007. Sipas tij, mbyllja e këtyre çështjeve është negociuar në këmbim të çështjeve të tjera politike që preknin shqiptarët.

    “Rastet e Hagës unë mendoj që kanë qenë në temë diskutimi në Marrëveshjen e Majit të 2007-të mes Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit. Dhe aty, meqë ajo marrëveshje kurrë nuk u bë publike, aty supozohet se Ali Ahmeti ka bërë Pazar për shumë çështje të rëndësishme kombëtare, si për gjuhën, ligjin e branitellave e shumë çështje të interesit kombëtar, për ta negociuar dhe për ta bërë Pazar këto çështje e Hagës që më vonë pastaj u mbyllën si çështje”, tha Qoku.

    Gjatë debatit u hap edhe çështja e rolit të Ali Ahmetit në procedurat në Hagë. Pas deklaratave të Qokut se Ahmeti kishte qenë dëshmitar, Ademi e kundërshtoi këtë interpretim, duke thënë se kreu i BDI-së ishte intervistuar në cilësinë e drejtuesit të UÇK-së dhe jo si dëshmitar.

    “Nuk është e vërtetë që se zotëri Ali Ahmeti ka qenë si dëshmitarë, ai është intervistuar si drejtues i Lëvizjes Kombëtare dhe si themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra diku rreth 27 orë për tre ditë është intervistuar dhe nuk ka qenë dëshmitar”, tha Ademi.

    Një tjetër pikë e debatit ishte mundësia e rikthimit të çështjeve të Hagës që lidhen me konfliktin e vitit 2001. Ademi deklaroi se prej rreth dy vitesh në Gjykatën Kushtetuese ndodhet një iniciativë lidhur me këtë çështje dhe tha se ajo është paraqitur nga Pavle Trajanov.

    “Ka qarqe të caktuara që janë në qeveri, që janë partnerë të VLEN-it… Pavle Trajanovi para dy viteve, ne e dimë. Në qoftë se s’ka informacion zotëri Qoku, unë kam informacion. Dhe po ju them që është në Gjykatën Kushtetuese, madje në qoftë se dëshironi ta dini ka përgatitur edhe referatin për këtë çështje. Por unë e di se këta janë pa takat aty ku janë në qeveri, nuk janë të informuar për asgjë, s’dinë asgjë, s’i pyet askush”, tha Ademi.

    Debati mes Qokut dhe Ademit nxori në pah interpretimet e kundërta të VLEN-it dhe BDI-së për mënyrën se si janë trajtuar politikisht dhe juridikisht çështjet e Hagës që lidhen me konfliktin e vitit 2001. Qoku ngriti pretendime për marrëveshje politike mes Ahmetit dhe Gruevskit, ndërsa Ademi i kundërshtoi ato dhe e zhvendosi vëmendjen te iniciativa që, sipas tij, aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    I thanë se kishte “magji të zezë” në shtëpi, 66-vjeçari nga Koçani u mashtrua për 18 mijë euro

    Lajmi i rradhës

    Fëmijët 8–11 vjeç po marrin gjithnjë e më shpesh ilaçe për obezitetin – Çfarë duhet të dinë prindërit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë