Reklamohet ndërtesa në Shkup, ndërtuesit kishin blerë tokën para miratimit të PDU-së

    Fotografia: Prizma

    Kompania e ndërtimit “Golden Art” ka publikuar një reklamë për projektin e quajtur “Level”, në kuadër të të cilit parashikohet ndërtimi i dy ndërtesave dhjetëkatëshe të banimit në cepin e bulevardeve “Srbija” dhe “12 Makedonska Brigada”, në lagjen Lisiçe të Shkupit. Bëhet fjalë për një zonë që ndodhet diagonalisht përballë udhëkryqit 60-metërsh në Komunën e Aerodromit, disa qindra metra larg kullave “Dzhevahir”, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Kjo është një hapësirë që, tre vjet e gjysmë më parë, shkaktoi protesta të banorëve të Lisiçes, pasi ata mësuan se projektplani i detajuar urbanistik për herë të parë parashikonte ndërtesa të larta në një lagje të përbërë kryesisht nga shtëpi.

    BIRN-i atëherë kontrolloi të dhënat kadastrale dhe zbuloi se pronarët e “Golden Art”, Robert Jakimovski dhe Ivica Jakimovski, kishin blerë pesë parcela toke në këtë lokacion para se të përgatitej PDU-ja dhe para se të bëhej publik informacioni se aty planifikohej ndërtimi i një objekti shumëkatësh.

    Plani i detajuar u vu në konsultim publik më 30 mars 2023, ndërsa prezantimi publik u zhvillua më 3 prill. Ivica Jakimovski, i cili është edhe drejtor i “Golden Art”, i tha BIRN-it në prill të vitit 2023 se procedurën për blerjen e hapësirës e kishin nisur pothuajse një vit më herët dhe se në atë kohë nuk e dinin nëse PDU-ja do të ndryshohej dhe nëse në hapësirën që po blinin do të përfshihej një parcelë ndërtimore për objekt banimi.

    Siç shtoi ai në atë kohë, ata nuk kishin prona të tjera në atë zonë dhe as plane konkrete për të ndërtuar aty, pasi kishin projekte të papërfunduara në pjesë të tjera të qytetit.

    Në kohën kur po zhvillohej procedura për miratimin e PDU-së dhe protestat e banorëve kundër tij, pronarët e “Golden Art” zotëronin pesë parcela kadastrale në këtë lokacion, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.181 metrash katrorë. Parcelat ishin të regjistruara në emrat e tyre personalë dhe jo në emër të kompanisë.

    Megjithatë, të dhënat aktuale kadastrale tregojnë se, ndërkohë, pronat e tyre në këtë lokacion janë zgjeruar edhe më tej – me 367 metra katrorë të tjerë në bashkëpronësi me gjashtë persona të tjerë dhe 353 metra katrorë në pronësi të kompanisë.

    Lokacioni ndodhet ndërmjet Bulevardit “Srbija” dhe shtëpive të para të lagjes Lisiçe. Bëhet fjalë për një brez toke rreth 60 metra të gjerë, ku aktualisht ka gjelbërim të egër dhe ku më parë kultivoheshin produkte bujqësore.

    Në versionin fillestar të PDU-së, i cili u prezantua gjatë konsultimit publik dhe kundër të cilit reaguan qytetarët, ishin parashikuar nëntë ndërtesa, shumica prej tyre me kat përdhes, gjashtë kate dhe papafingo. Vetëm objekti në cepin ndërmjet dy bulevardeve, ku ndërtuesit tashmë zotëronin tokë, parashikohej të kishte 12 nivele. Në versionin përfundimtar të PDU-së, të miratuar nga Këshilli i Komunës në maj të vitit 2023, mbeti vetëm kjo ndërtesë e lartë.

    Ilustrimi i reklamës së publikuar nga “Golden Art” në rrjetet sociale për projektin “Level” paraqet një objekt me dy lamela banimi, secila me nga nëntë kate dhe papafingo, të vendosura mbi një hapësirë tregtare dykatëshe.

    Në njoftim thuhet se bëhet fjalë për “hapësira moderne banimi dhe tregtare, me hapësira funksionale për jetesë dhe parkim, një kopsht vetëm 50 metra larg dhe një shkollë në afërsi të drejtpërdrejtë, si dhe qendra tregtare, shërbime dhe hapësira rekreative lehtësisht të qasshme”.

    Terreni aktualisht vazhdon të jetë i mbuluar me shkurre, pemë dhe mbeturina, ndërsa gjatë vjeshtës shërben edhe si treg i improvizuar për produkte bujqësore, të cilat shiten drejtpërdrejt nga kamionët. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Deponia e Bukovës helmon Ohrin me tym e erë të rëndë, tre persona në paraburgim për rrezik zjarri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë