Kush duhet ta zhbllokojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së?

    Procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut ndodhet mes një kontesti të pazgjidhur me Bullgarinë, pasigurisë brenda vetë Bashkimit Evropian dhe mungesës së reformave të mjaftueshme në vend. Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon që Brukseli të përfshihet drejtpërdrejt në bisedimet me Sofjen dhe paralajmëron se nuk do të pranojë një proces me kushte të reja dhe pa fund të parashikueshëm. Profesori universitar Aleksandar Spasov vlerëson se zgjerimi do të mbetet pezull derisa BE-ja ta gjejë rolin e saj në rendin e ri botëror, ndërsa kryetarja e Partisë Liberal-Demokratike, Monika Zajkova, kërkon që vendi të mos presë më zgjidhje nga jashtë, por t’i përmbushë detyrimet dhe t’i zbatojë reformat evropiane në shtëpi. Këto tri qëndrime paraqesin një pamje të qartë të dilemës në të cilën ndodhet vendi: a duhet të kërkohen garanci të reja nga Bashkimi Evropian, të pritet qartësimi i pozicionit të vetë BE-së apo të ndërmerren menjëherë hapa të brendshëm, përfshirë ndryshimet kushtetuese me efekt të shtyrë?

    TAKIMET ME BULLGARINË JANË ZHVILLUAR VETËM SA PËR T’U ZHVILLUAR

    Takimet e deritanishme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk kanë sjellë ndonjë rezultat thelbësor, ndërsa në bisedimet e ardhshme duhet të përfshihet edhe Bashkimi Evropian. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për Televizionin e Maqedonisë. Ai i përshkroi kontaktet e deritanishme si takime të zhvilluara “vetëm sa për t’u zhvilluar”, duke vlerësuar se, pas përfundimit të tyre, Shkupi dhe Sofja shpesh kanë dalë me interpretime të ndryshme për atë që është diskutuar dhe dakorduar. Sipas Mickoskit, prania e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian do t’u mundësonte partnerëve evropianë t’i dëgjonin drejtpërdrejt argumentet e të dyja palëve. Ai vlerëson se ndërmjet dy vendeve faktikisht ekziston një kontest dypalësh, zgjidhja e të cilit duhet të kërkohet përmes dialogut, derisa problemi ndodhet ende në fazën fillestare.

    Kryeministri pohon se Sofja është e rezervuar ndaj përfshirjes së një pale të tretë, pasi prania e saj, sipas interpretimit të tij, do të nënkuptonte pranimin se ndërmjet dy shteteve ekziston një kontest bilateral. “Ideja jonë, kur themi se duhet të përfshihet edhe Bashkimi Evropian, është që përfaqësuesit e tij t’i dëgjojnë argumentet tona dhe argumentet e palës tjetër. Unë e di se cili është shqetësimi i Sofjes zyrtare. Ata thonë: ‘Nëse ne ulemi në prani të një partneri të tretë, kjo do të thotë se vërtet kemi një kontest dypalësh’. Dhe ne vërtet kemi një kontest dypalësh. Mund të shpikim dhe të sillemi sikur nuk kemi, por në thelb ne me të vërtetë kemi një kontest bilateral, i cili tani është në fillimin e tij”, deklaroi Mickoski.

    Ai theksoi se pikërisht për këtë arsye dialogu duhet të zhvillohet në prani të përfaqësuesve të organizatave shumëpalëshe, në këtë rast të Bashkimit Evropian. “Derisa ky kontest është në fillim, siç thashë edhe në fjalimin tim të djeshëm, ne duhet të zhvillojmë dialog. Pikërisht për këtë na nevojiten përfaqësues të organizatave multilaterale, në këtë rast të Bashkimit Evropian, që t’i dëgjojnë argumentet”, tha kryeministri.

    Mickoski theksoi se Qeveria nuk dëshiron të hyjë në një proces eurointegrues për të cilin paraprakisht nuk ekziston një perspektivë e qartë se kur dhe si do të përfundojë. Sipas tij, hapja e negociatave nuk përbën garanci të mjaftueshme për anëtarësim, sepse gjatë procesit ekzistojnë disa faza në të cilat vendimet varen nga miratimi i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ai druhet se kjo mund t’i krijojë Bullgarisë hapësirë për të paraqitur kërkesa të reja dhe për të vendosur bllokada në etapa të ndryshme të negociatave.

    Kryeministri porositi se nuk do të pranonte një proces në të cilin kushtet do të ndryshonin vazhdimisht dhe gjatë rrugës do të paraqiteshin kërkesa shtesë. Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Mickoski kishte vlerësuar se procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut po zgjat “përtej çdo afati të arsyeshëm kohor”. Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian më shumë parashikueshmëri dhe respektim të rregullave të përcaktuara. Sipas kryeministrit, Qeveria ka propozimet e veta për tejkalimin e kontestit dhe konsideron se zgjidhja duhet të kërkohet bashkërisht me Bullgarinë. Si argument ai përmendi bashkëpunimin brenda NATO-s, ku Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë vende aleate, duke vlerësuar se një raport i ngjashëm partneriteti duhet të ekzistojë edhe në procesin e integrimit evropian. Mickoski tha se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian duhet të jetë edhe në interesin e Sofjes zyrtare, nëse të dyja vendet duan të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë kishte deklaruar më herët se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut përbën një çështje evropiane, e cila duhet të shqyrtohet brenda institucioneve të BE-së. Megjithatë, Sofja mbetet në qëndrimin se vendi duhet t’i përmbushë detyrimet e marra.

    Kryeministri theksoi se Qeveria e shfrytëzon çdo takim me partnerët ndërkombëtarë për t’i paraqitur qëndrimet dhe argumentet e saj lidhur me procesin eurointegrues. Sipas tij, kjo bëhet edhe gjatë bisedimeve me partnerët strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mickoski tha se qëllimi është që bashkëbiseduesit të njihen drejtpërdrejt me pozicionet e Qeverisë dhe më pas të vlerësojnë vetë nëse argumentet e palës maqedonase janë të arsyeshme.

    Pa e gjetur BE-ja veten, vështirë të ketë konsensus për zgjerim

    Profesori Aleksandar Spasov nga Fakulteti Juridik vlerëson se, derisa Bashkimi Evropian ta gjejë përsëri veten dhe rolin e tij në rendin e ri botëror, do të jetë e vështirë të arrihet konsensus për një zgjerim të ri. Spasov i shprehu këto qëndrime në diskutimin publik me temë “Ballkani Perëndimor në një rend që po ndryshon: zgjerimi, identiteti dhe e ardhmja demokratike”, të organizuar nga Qendra Presidenciale “Stevo Pendarovski”. “Kur flasim për integrimin e Ballkanit Perëndimor, duhet të jemi të vetëdijshëm se, derisa BE-ja ta gjejë përsëri veten në rendin e ri botëror, pas përfundimit të ‘fundit të historisë’, nuk mund të flasim për arritjen e një konsensusi për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, deklaroi Spasov. Sipas tij, shkaku nuk është frika e Gjermanisë, Francës, Danimarkës dhe Holandës se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të ulen në tryezën evropiane dhe do ta përdorin të drejtën e vetos. Ai vlerëson se shqetësimi nuk lidhet as me mundësinë e emigrimit të qytetarëve të këtyre vendeve drejt BE-së, pasi, siç tha, kjo tashmë ka ndodhur. “Nuk mendoj se arsyeja është se Gjermania, Franca, Danimarka dhe Holanda shqetësohen që këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të ulen në tryezë dhe do ta përdorin të drejtën e vetos në BE, apo se qytetarët do të emigrojnë në këto vende. Ata tashmë e kanë bërë këtë, të paktën maqedonasit përmes marrjes së pasaportave bullgare”, tha profesori.

    Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian po përpiqet ta ngrijë procesin e zgjerimit, derisa të gjejë një model të ri për funksionimin dhe të ardhmen e tij. “Kjo është një situatë në të cilën BE-ja përpiqet ta ngrijë të gjithë procesin, në përpjekje për ta gjetur veten dhe për të gjetur një skenar se si të vazhdojë, duke shpresuar se ky proces nuk do të zgjasë përgjithmonë”, deklaroi Spasov.

    BE-ja NUK KA STRATEGJI GJEOPOLITIKE PËR RENDIN E RI

    Sipas Spasovit, kjo nuk është një gjendje e re, por rezultat i mungesës së një strategjie gjeopolitike të Bashkimit Evropian për t’u përballur me sfidat e rendit të ri botëror. Ai vlerësoi se kjo gjendje ka filluar që gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump.

    Profesori rikujtoi se, gjatë procesit të zgjidhjes së kontestit për emrin me Greqinë, Maqedonia e Veriut kishte mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Evropian. Ndryshe nga ajo periudhë, sipas tij, tani mungon mbështetja e BE-së për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, i cili prek çështjet e identitetit. Ai sqaroi se kjo nuk ndodh sepse Bashkimi Evropian nuk e dëshiron Maqedoninë e Veriut apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por sepse vetë shtetet anëtare nuk e kanë të qartë se çfarë duan nga vendet e rajonit dhe nga shtetet e Evropës Lindore. “Dallimi është se në atë kohë besohej se, me zgjidhjen e kontestit, nuk do të fitonim vetëm anëtarësimin në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian. Të gjithë ishim të mbështetur që ta zgjidhnim atë problem. Fatkeqësisht, tani zgjidhjes së problemit me Bullgarinë i mungon mbështetja e BE-së”, deklaroi Spasov.

    PAS 35 VJETËSH PAVARËSI, SHTETI DUHET T’I MARRË PUNËT NË DUART E VETA

    Kryetarja e Partisë Liberal-Demokratike dhe deputetja Monika Zajkova kërkon ndryshim rrënjësor të qasjes së Maqedonisë së Veriut ndaj integrimit evropian. Sipas saj, pas 35 vjetësh pavarësi dhe mëvetësi, ka ardhur koha që shteti të fillojë të sillet në mënyrë të pavarur, të mos ndjekë vazhdimisht procese të imponuara nga jashtë dhe të mos presë që të tjerët të vendosin në vend të tij.

    Në një paraqitje në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel, Zajkova deklaroi se debati për integrimin evropian duhet të zhvendoset nga pritja pasive drejt reformimit real të shtetit dhe shoqërisë. “Ka ardhur koha që tema e integrimeve evropiane të kthehet drejt asaj që ky proces duhet ta bëjë Maqedoninë të duket si një Holandë liberale, një Slloveni liberale apo një Luksemburg liberal. Ne duhet të kujdesemi për pjesën tonë të punës në shtëpi. Nëse dalim nëpër rrugët e kryeqytetit, a jetojmë sipas standardeve evropiane? Unë nuk jam e bindur se është kështu”, deklaroi Zajkova. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski për retorikën nxitëse në Ballkan: një shkëndijë mund ta ndezë rajonin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë