Bërvenica, testi i radhës për fuqinë e partive

    Fushata për zgjedhjet lokale në Bërvenicë tanimë ka filluar. Më 18 tetor, qytetarët do të votojnë për kryetarin e ri të komunës, në zgjedhje të parakohshme të zhvilluara pas vdekjes së kryetarit të deriatëhershëm, Ivica Ilievski. KSHZ-ja ka konfirmuar gjashtë kandidatë për këtë garë, katër prej të cilëve të mbështetur nga koalicione politike dhe dy nga grupe zgjedhësish.

    Por përtej karakterit lokal të zgjedhjeve, Bërvenica tashmë po shihet edhe si një provë politike për partitë që do të përballen drejtpërdrejt me votuesit në terren.

    Sidomos vëmendjen e tërheq fakti se VMRO-DPMNE dhe VLEN, edhe pse janë partnerë në Qeveri, në Bërvenicë garojnë me kandidatë të ndryshëm. Në garë janë Stojanço Radiçevski nga VMRO-DPMNE, Jovica Radeski nga LSDM, Jakup Huseini nga VLEN dhe Arkin Jahiji nga AKI, ndërsa KSHZ-ja ka konfirmuar edhe Arife Idrizin dhe Dushan Bogdanovskin si kandidatë nga grupe zgjedhësish.

    LSDM HYN ME PROGRAM PËR INFRASTRUKTURËN DHE ZHVILLIMIN LOKAL

    Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në Bërvenicë prezantoi kandidatin e partisë së tij, Jovica Radeski, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për programin e tij. Në qendër të programit janë infrastruktura e ujësjellësit dhe rrugëve, ndërsa si një nga prioritetet është veçuar zgjidhja e problemit me furnizimin me ujë në fshatin Gurgurnicë.

    Programi parashikon gjithashtu ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza për vendbanimet Mileti­në, Çellopek, Bërvenicë dhe Dollno Sedllarcë, si dhe rikonstruksionin e rrugëve lokale dhe zgjerimin e urave në disa fshatra. Në pjesën ekonomike, Radeski premton krijimin e një zone agroindustriale për përpunimin e produkteve bujqësore, me synim sigurimin e plasmanit më të qëndrueshëm dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

    Programi përfshin edhe përmirësimin e kushteve në shkolla, ndërtimin e një Shtëpie të Kulturës në Bërvenicë dhe një Shtëpie për të Moshuar në Çellopek, ndërsa në fokus është edhe menaxhimi i mbeturinave dhe pastrimi i deponive ilegale. Filipçe e përshkroi Radeskin si “njeri të ndershëm dhe punëtor”, duke theksuar se, si këshilltar aktual, ai i njeh nga afër problemet e qytetarëve.

    “QYTETARËT NUK DO TË LEJOJNË QË MASHTRIMET TË PËRSËRITEN”

    Në anën tjetër, BDI-ja, përmes koalicionit AKI, garon me Arkin Jahijin. Në kumtesën e saj, partia e vendos theksin te ajo që e cilëson si nevojë për të respektuar vullnetin e qytetarëve. “Qytetarët nuk do të lejojnë që mashtrimet të përsëriten”, thuhet në kumtesën e BDI-së. Partia pretendon se pas zgjedhjeve të kaluara vullneti i qytetarëve ishte deformuar përmes marrëveshjeve politike dhe se kësaj radhe qytetarët duhet të vendosin vetë për drejtimin e komunës. BDI-ja e paraqet Jahijin si alternativë për një qeverisje që, sipas saj, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejt me nevojat e banorëve dhe jo me “pazare politike”.

    “NDRYSHIMI NË BËRVENICË NIS SOT”

    Kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini, fushatën e tij e ka përqendruar te mesazhi për ndryshim dhe punë konkrete. “Unë nuk vij me premtime për një ditë. Vij me plan për Bërvenicën”, deklaron Huseini. Në programin e tij janë rrugët, infrastruktura, hapësirat publike, sporti dhe nevojat e përditshme të banorëve. Huseini thotë se Bërvenica ka pritur mjaft dhe se problemet e vjetra duhet të marrin zgjidhje përmes një pune të planifikuar dhe konkrete.

    VMRO-DPMNE KËRKON VAZHDIMËSI

    VMRO-DPMNE në garë hyn me Stojanço Radiçevskin, kryetar aktual të Komitetit Komunal të partisë në Bërvenicë dhe magjistër i së drejtës civile. Kryeministri Hristijan Mickoski e ka vlerësuar Radiçevskin si kandidat për të cilin partia pret rezultat zgjedhor, ndërsa VMRO-DPMNE e lidh kandidaturën me vazhdimësinë e politikave lokale. Fakti që VMRO-DPMNE dhe VLEN garojnë përballë njëri-tjetrit është një nga elementet që i jep peshë më të madhe kësaj gare. Dy subjektet janë pjesë e së njëjtës shumicë qeveritare në nivel qendror, por në Bërvenicë do të kërkojnë veçmas votën e qytetarëve.

    NJË KOMUNË, DISA BETEJA POLITIKE

    Me gjashtë kandidatë në fletën e votimit dhe me përplasje të drejtpërdrejta mes subjekteve politike, gara në Bërvenicë tashmë ka marrë një dimension më të gjerë se një garë vetëm për administrimin e komunës. Ajo do të tregojë se cilat mesazhe politike arrijnë të mobilizojnë qytetarët në një komunë ku partnerët e pushtetit qendror do të matin forcën e tyre veçmas. Prandaj, rezultati i 18 tetorit do të jetë jo vetëm zgjedhje për kryetarin e Bërvenicës, por edhe një tregues i rëndësishëm i mbështetjes që partitë arrijnë të krijojnë në terren, pa e paragjykuar rezultatin e garës. Në fletën e votimit, renditja e kandidatëve është përcaktuar me short: Stojanço Radiçevski – numri 1, Jovica Radeski – 2, Dushan Bogdanovski – 3, Jakup Huseini – 4, Arife Idrizi – 5 dhe Arkin Jahiji – 6. /Koha/\

    Lajmi Paraprak

    Kufizoni këto tre lloje ushqimesh nëse keni tension të lartë të gjakut

    Lajmi i rradhës

    MPB-ja mban orë edukative në shkollat e Dibrës për bullizmin dhe dhunën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë