Gratë në RMV janë shumicë në sektorin publik, por burrat dominojnë në pozicionet drejtuese

    Auditimi ka konstatuar se një nga rreziqet dhe pengesat më të mëdha për pjesëmarrjen e grave në politikë dhe në pozicione të larta drejtuese është gjuha e urrejtjes, veçanërisht në internet, e cila, siç thuhet në raport, ndikon negativisht tek ato dhe anëtarët e familjeve të tyre dhe mund t’i dekurajojë nga pranimi i funksioneve të tilla, përcjell Nistori.

    Edhe pse gratë përbëjnë 57,5 për qind të gjithsej 110.885 të punësuarve në sektorin publik, burrat emërohen më shpesh në pozicione drejtuese. Kjo tregon se përfaqësimi më i lartë i grave në sektorin publik nuk përkthehet në qasje të barabartë në pozicionet vendimmarrëse, thuhet në raportin „Gratë lidere – Gratë në politikë, Parlament dhe në funksione drejtuese në organet qendrore të pushtetit“, të Entit Shtetëror të Revizionit.

    Auditimi, i cili përfshin periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, ka konstatuar se nuk janë krijuar politika efektive për forcimin e rolit të grave në pozicione udhëheqëse dhe drejtuese në pushtetin qendror.

    „Analiza e kryer tregon se kuota e detyrueshme ligjore për gjininë më pak të përfaqësuar ndikon në pjesëmarrjen e grave në Parlament. Në periudhën 2007–2024, pjesëmarrja e grave deputete varionte nga 30 deri në 43 për qind, ndërsa në vitin 2024 ishte 39,2 për qind. Me këtë përqindje, vendi ka përfaqësim më të lartë të grave në Parlament sesa 83 për qind e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa në raport me vendet e rajonit që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, renditet në vendin e parë“, thuhet në raportin e auditimit.

    Megjithatë, theksohet se që nga konstituimi i Parlamentit në vitin 1991, asnjë grua nuk është zgjedhur kryetare e Parlamentit. Në përbërjen aktuale parlamentare ka një nënkryetare, në përputhje me dispozitën e Rregullores së Punës të vitit 2023, sipas së cilës të paktën një nga nënkryetarët duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

    Në pushtetin ekzekutiv, sipas raportit, situata është ndryshe, pasi Ligji për Qeverinë dhe Rregullorja e Punës nuk parashikojnë balancë gjinore gjatë emërimit të ministrave. Ndryshe nga Parlamenti, ku ekziston një kuotë ligjërisht e detyrueshme, përbërja e pushtetit ekzekutiv varet nga propozimi i kryeministrit.

    „Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, pjesëmarrja e grave në Qeveri si ministre varion nga 14 deri në 31 për qind, si zëvendësministre nga 7 deri në 25 për qind dhe si sekretare shteti nga 6 deri në 31 për qind. Në përbërjen e Qeverisë 2024–2028, nga 20 ministra me portofol, vetëm tri janë gra, ose 15 për qind, ndërsa nga pesë zëvendëskryeministrat nuk ka asnjë grua“, thekson Enti Shtetëror i Revizionit.

    Auditimi ka konstatuar gjithashtu se nuk ekzistojnë mekanizma të unifikuar dhe mjaftueshëm transparentë për përzgjedhjen dhe emërimin e drejtuesve në pushtetin qendror, pasi procedurat rregullohen me ligje të ndryshme, ndërsa disa prej emërimeve bëhen në seanca të mbyllura.

    Edhe pse në maj të vitit 2026 u paraqit një projektligj për drejtuesit e lartë, i cili parashikon përzgjedhje të bazuar në meritë, transparencë dhe qasje të barabartë, barazia gjinore ende nuk sigurohet në mënyrë sistematike gjatë emërimeve që janë në kompetencë të Parlamentit, Qeverisë dhe ministrive.

    Edhe pse Strategjia për Barazi Gjinore 2022–2027 e njeh nevojën për pjesëmarrje më të madhe të grave në vendimmarrje, sipas Entit Shtetëror të Revizionit mungojnë treguesit, masat dhe mekanizmat e përcaktuar qartë për monitorim dhe llogaridhënie.

    Raporti përmend gjithashtu Qendrën Burimore për Politikëbërje dhe Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor, e cila, megjithëse ndër qëllimet e saj ka promovimin e pjesëmarrjes së grave dhe krijimin e mundësive të barabarta për udhëheqje, gjatë vitit 2024 nuk ka zhvilluar trajnime që synojnë përgatitjen e grave për pozicione udhëheqëse.

    Auditimi ka konstatuar se një nga rreziqet dhe pengesat më të mëdha për pjesëmarrjen e grave në politikë dhe në pozicione të larta drejtuese është gjuha e urrejtjes, veçanërisht në internet. Sipas raportit, ajo ndikon negativisht tek gratë dhe anëtarët e familjeve të tyre dhe mund t’i dekurajojë nga pranimi i funksioneve të tilla.

    „Krijimi i një mjedisi të sigurt për pjesëmarrjen e grave në jetën publike, politike dhe profesionale është parakusht për qeverisje demokratike dhe politika publike cilësore“, thuhet në raport.

    Enti Shtetëror i Revizionit rekomandon që institucionet dhe partitë politike të ndërmarrin masa konkrete për promovimin e barazisë gjinore, përmirësimin e koordinimit dhe monitorimin sistematik të situatës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Piktori do të lërë emër në histori-  si antishqiptar i përbetuar!

    Lajmi i rradhës

    Dhuna në familje, kamerat trupore mund të bëhen “dëshmitari” i policisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë