Dy zyrtare dyshohet se e dëmtuan Lotarinë Shtetërore për 80 milionë denarë

    Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ka paraqitur kallëzim penal kundër dy personave zyrtarë të punësuar në Shoqërinë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Përvetësim në detyrë” nga neni 354 i Kodit Penal të RMV-së dhe “Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë” nga neni 280 i Kodit Penal të RMV-së.

    E para e kallëzuara A.N., në cilësinë e drejtoreshës së Sektorit për financa dhe kontabilitet në Shoqërinë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, së bashku me të kallëzuarën e dytë D.D., e punësuar në pozitën e shefes së punëve financiare, nuk e kanë paguar dhe depozituar në llogaritë transaksionale të shoqërisë në bankat afariste të gjithë qarkullimin ditor për vitin 2024, në shumën e përgjithshme prej 46.038.720 denarësh, të cilin e kishin marrë nga pikat e shitjes së tyre të SHA Lotaria Shtetërore. Gjithashtu, nga llogaritë bankare të SHA Lotaria Shtetërore kanë tërhequr mjete financiare në shumën e përgjithshme prej 33.950.724 denarësh, të cilat në mënyrë të kundërligjshme i kanë përvetësuar për vete.

    Me qëllim të fshehjes së gjurmëve të veprës penale të kryer dhe mungesës së mjeteve financiare të përvetësuara, ato kanë bërë transferime të mjeteve financiare ndërmjet llogarive bankare të shoqërisë, kanë krijuar urdhërpagesa për transaksione dhe kanë realizuar pagesa dhe tërheqje me të cilat në mënyrë të rreme kanë paraqitur se ishin kryer transaksione financiare në shuma të konsiderueshme. Njëkohësisht, kanë përgatitur dhe përdorur dokumentacion të rremë financiar dhe kontabël, përmes evidentimit të pagesave fiktive nga arka e shoqërisë, me ç’rast mjetet financiare të përvetësuara në mënyrë të kundërligjshme janë hequr nga evidenca në konto të ndryshme kontabël, bazuar në dokumentacion fiktiv, duke paraqitur në mënyrë të rreme destinimin e tyre dhe duke fshehur mungesën e mjeteve në librat afaristë të shoqërisë.

    Me veprimet e lartpërmendura, e para e kallëzuara A.N., së bashku me të dytën e kallëzuar D.D., kanë përfituar kundërligjshëm dobi pasurore, ndërsa SHA Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut i kanë shkaktuar dëm pasuror në shumën prej 79.989.444 denarësh.

    Në kuadër të procedurës, në koordinim dhe nën drejtimin e prokurorit publik kompetent nga PTHP Shkup, ndërsa bazuar në urdhrat e gjykatës kompetente, gjatë ditës së djeshme janë kryer bastisje në gjithsej pesë lokacione, prej të cilave katër në territorin e Shkupit dhe një në territorin e Vallandovës.

    Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar një numër i madh sendesh dhe materialesh me interes për procedurën, ndër të cilat dokumentacion origjinal kontabël që ka të bëjë me SHA Lotaria Shtetërore e Maqedonisë, telefona celularë, laptopë, pajisje USB, hard-diskë të jashtëm dhe pajisje të tjera elektronike, mjete financiare, ar dhe stoli ari, stoli të markës “Swarovski”, orë me vlerë të madhe, si dhe çanta të markave të prodhuesve të njohur botërorë, ndër të cilat “Hermès”, “Louis Vuitton”, “Dior” dhe të tjera.

    Gjithashtu, jashtë njërit prej lokacioneve ku është kryer bastisja, në një oborr fqinj, është gjetur dhe sekuestruar dokumentacion i hedhur, i cili është me interes për procedurën.

    Në kuadër të aksionit të zhvilluar, personat e kallëzuar janë privuar nga liria.

    Lënda është rezultat i gjetjeve të auditimit të kryer nga Enti Shtetëror i Revizionit në SHA Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Nga ana tjetër, edhe Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy të dyshuarave, për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se si bashkëkryese kanë kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë” nga neni 354, paragrafi 5, në lidhje me paragrafët 3 dhe 1 të Kodit Penal.

    “Gjatë gjithë vitit 2024, e dyshuara e parë, në pozitën e drejtoreshës së Sektorit për financa dhe kontabilitet, dhe e dyshuara e dytë, si shefe e punëve financiare në SHA për organizimin e lojërave të fatit Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke ushtruar autorizimet dhe detyrat e tyre të posaçme të përcaktuara me ligj, së bashku kanë marrë pjesë në veprimet për kryerjen e veprës penale të përvetësimit, me qëllim që të përfitojnë për vete dobi pasurore të kundërligjshme”, thonë nga Prokuroria.

    Nga Prokuroria shtojnë se ato kanë përvetësuar paratë që u ishin besuar në detyrë, në një shumë të konsiderueshme prej 79.989.444 denarësh.

    “Si persona të autorizuar për të tërhequr mjete të gatshme të destinuara për pagesën e fitimeve të vogla dhe persona përgjegjës për pranimin dhe depozitimin e qarkullimit ditor të realizuar nga pikat e veta të shitjes së shoqërisë, ato nuk e kanë paguar dhe depozituar në llogaritë transaksionale të shoqërisë në bankat afariste të gjithë qarkullimin ditor për vitin 2024, që u ishte besuar nga pikat e shitjes së SHA Lotaria Shtetërore e RMV-së, por e kanë përvetësuar për vete. Përveç kësaj, nga llogaritë bankare të SHA Lotaria Shtetërore e RMV-së kanë tërhequr mjete financiare, të cilat gjithashtu i kanë përvetësuar për vete”, thonë nga Prokuroria.

    Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për fshehje dhe arratisje, ekziston frika e bazuar se të dyshuarat do të tentojnë t’i fshehin, falsifikojnë ose shkatërrojnë gjurmët e veprës penale, si dhe rrethana të veçanta që tregojnë se ato do ta pengojnë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët, ekspertët, bashkëpunëtorët ose personat që ndihmojnë në fshehjen e veprës, por edhe rrethana që tregojnë mundësinë e përsëritjes së veprës penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyja të dyshuarat.

    Lajmi Paraprak

    JYSK Danimarkë merr drejtpërdrejt biznesin në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë