INTEGRIMI EUROPIAN | Sofja mbyll derën për rinegocim!

    Bullgaria nuk pranon diskutime për rinegocimin e detyrimeve që Maqedonia e Veriut ka marrë përsipër në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Qëndrimi u përsërit nga ministrja e Jashtme bullgare, Velislava Petrova-Çamova, gjatë seancës të premten në Kuvendin e Bullgarisë, një ditë pas takimit me homologun e saj maqedonas, Timço Mucunski, në Sofje, i cili përfundoi pa përparim konkret për çështjet që mbajnë të bllokuar integrimin evropian të vendit.

    “Bullgaria nuk është në proces diskutimi ose konsultimesh për ndryshimin e kushteve dhe detyrimeve tashmë të përcaktuara, të cilat i ka marrë përsipër Shkupi. Qëndrimi i Sofjes mbetet i pandryshuar, zbatimi i marrëveshjes së vitit 2022 është rruga më e drejtpërdrejtë dhe e vetmja e mundshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut që të përparojë drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Petrova-Çamova para deputetëve bullgarë.

    Ajo theksoi se Sofja nuk parashtron kërkesa të reja jashtë kornizës së pranuar evropiane, por insiston në respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe garantimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas ministres, fqinjësia e mirë dhe ndërtimi i besimit të qëndrueshëm mund të arrihen vetëm përmes veprimeve konkrete dhe zbatimit të detyrimeve të marra. Deklarata e re e Sofjes konfirmon se, pavarësisht vazhdimit të komunikimit diplomatik, nuk ka shenja për ndryshim të qëndrimit bullgar lidhur me kushtet për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

    TAKIMI NË SOFJE PA MARRËVESHJE

    Të enjten, në Sofje u takuan ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe ministrja bullgare Petrova-Çamova. Bisedimet u zhvilluan më 8 tetor, në margjinat e konferencës ministrore ndërkombëtare kushtuar Korridorit 8, por nuk sollën zgjidhje për çështjet kryesore të hapura mes dy vendeve. Mucunski pranoi se qëndrimet e Shkupit dhe Sofjes mbeten dukshëm të largëta, duke theksuar se gjatë takimit nuk u zgjidh asnjë nga çështjet madhore. Ai nënvizoi se një nga problemet kryesore është mungesa e besimit, e krijuar, sipas tij, nga përvoja e deritanishme me kërkesat dypalëshe.

    Shkupi kërkon parashikueshmëri në procesin e integrimit evropian dhe siguri se, pas përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, nuk do të pasojnë bllokada të reja dypalëshe. Sofja, nga ana tjetër, insiston në zbatimin e kornizës negociuese të vitit 2022 dhe të ndryshimeve kushtetuese. Ministrja bullgare bëri të ditur se gjatë takimit e kishte pyetur Mucunski edhe për afatin kohor të ndryshimeve kushtetuese. Sipas saj, ministri maqedonas kishte theksuar se fillimisht duhet të ndërtohet besimi mes dy vendeve.

    Kryeministri Hristijan Mickoski, para takimit, kishte shprehur pritshmëri të ulëta për rezultate konkrete, duke e përshkruar bisedën e pritshme si një dialog të shkurtër, pa ndonjë përparim të rëndësishëm.

    ALIU: QEVERIA E KA TË VËSHTIRË TË BËJË KTHESË POLITIKE

    Profesori universitar Murat Aliu vlerëson se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së ndaj Propozimit francez, të miratuar në vitin 2022, e kufizon hapësirën e Qeverisë për të ndryshuar kursin politik. Sipas tij, kundërshtimi i këtij propozimi ka qenë pjesë e rëndësishme e diskursit të partisë dhe e mesazheve që ajo i ka përcjellë elektoratit. Aliu kujton se VMRO-DPMNE-ja e ka kundërshtuar vazhdimisht Propozimin francez dhe e ka paraqitur atë si rrezik për identitetin maqedonas. Për këtë arsye, një ndryshim i menjëhershëm i qëndrimit nga kryeministri Mickoski do të kërkonte përgatitje politike dhe përshtatje të opinionit publik.

    “VMRO-DPMNE-ja, që nga viti 2022, kur u miratua Propozimi francez, ka zhvilluar një diskurs politik tejet kundërshtues ndaj këtij propozimi. Madje, edhe fitorja e madhe që e korri në vitin 2024 ka të bëjë pjesërisht me këtë. Elektoratit i ka premtuar se në asnjë mënyrë nuk do ta pranojë një gjë të tillë, sepse thotë se kjo është bullgarizim i Maqedonisë”, vlerëson Aliu.

    Sipas tij, edhe nëse Mickoski do të vendoste ta pranonte ndryshimin kushtetues, ai nuk mund ta bënte këtë pa përgatitur paraprakisht opinionin publik, pasi një vendim i tillë do të binte ndesh me qëndrimet e deritanishme të partisë. “Edhe sikur Mickoski sonte të ndryshonte mendje dhe të vendoste ta pranonte diçka të tillë, do t’i duhej një periudhë për ta përgatitur opinionin. Nuk mund të bësh një kthesë prej 180 gradësh brenda 24 orëve, kur deri dje ke pasur deklarata në një drejtim dhe të nesërmen del me qëndrim krejtësisht të kundërt. Ata, megjithatë, mbajnë llogari edhe për çështjet elektorale”, thotë Aliu.

    Profesori ngre pikëpyetje edhe për raportin e një pjese të strukturave të VMRO-DPMNE-së ndaj Bashkimit Evropian. Si shembull ai përmend deklaratat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, të cilit i atribuon qëndrimin se BE-ja mund të shpërbëhet në një periudhë të shkurtër.

    MEHMETI: QËLLIMI ISHTE ZBUTJA E TENSIONEVE

    Analisti politik Ibrahim Mehmeti vlerëson se takimi në Sofje kishte për qëllim kryesisht përmirësimin e klimës politike mes dy vendeve dhe rikthimin e komunikimit, pas një periudhe me deklarata të ashpra dhe tensione diplomatike. Sipas tij, takimi mund të shihet edhe si rezultat i mesazheve të përcjella nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për nevojën e uljes së tensioneve dhe vazhdimit të dialogut mes Shkupit dhe Sofjes. “Unë mendoj se qëllimi kryesor i këtij takimi, që erdhi si këshillë e zonjës Von der Leyen, ishte që të ngrohen marrëdhëniet, sepse kemi pasur deklarata jashtëzakonisht armiqësore, me ofendime ndaj palës bullgare. Nga pala bullgare nuk kemi dëgjuar aq shumë deklarata të tilla, por sigurisht që ka pasur edhe nga ana e tyre”, thotë Mehmeti.

    Ai vlerëson se Bashkimi Evropian mund të luajë rol ndërmjetësues duke i ulur të dyja palët në një tavolinë dhe duke i nxitur të zbusin retorikën. Megjithatë, sipas tij, përmirësimi i komunikimit nuk nënkupton domosdoshmërisht zgjidhje të menjëhershme të mosmarrëveshjeve. “Ajo që mund të bëjë Evropa është t’i ulë në një tavolinë, t’u thotë: zbutini tonet dhe shikojeni çështjen. Unë shpresoj se kjo do të jetë ndoshta arritja e takimit, pra krijimi i besimit, sepse kur nuk ke besim, nuk mund të arrish marrëveshje”, thekson Mehmeti.

    DIALOGU VAZHDON, POR QËNDRIMET MBETEN TË LARGËTA

    Përveç integrimit evropian, në takimin e Sofjes u diskutua edhe për Planin e Veprimit për pakicat, për të cilin palët u pajtuan që bisedimet të vazhdojnë në periudhën e ardhshme. U hap edhe çështja e Iva Mihajlovës nga Koçani, e akuzuar në një procedurë gjyqësore për një aksident trafiku me pasoja fatale dhe që kërkon trajtim mjekësor në Bullgari.

    Sipas informacioneve të publikuara, mjekë bullgarë pritet të vijnë në Maqedoninë e Veriut për ta ekzaminuar dhe për të vlerësuar gjendjen e saj shëndetësore. Mucunski zhvilloi gjithashtu bisedime me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos, ku u diskutuan marrëdhëniet me Bullgarinë, roli i mundshëm i BE-së në proces dhe zbatimi i agjendës së reformave. Ndërkaq, çështja e eshtrave të car Samuilit, e cila ditët e fundit shkaktoi reagime në të dyja vendet, nuk ishte pjesë e takimit dypalësh. Përndryshe, ish-eurodeputeti bullgar dhe anëtari i partisë VMRO-BND, Angel Xhambaski, përmes një postimi në rrjetet sociale kërkoi kthimin e eshtrave të Goce Dellçevit në Bullgari, pas kthimit të eshtrave të carit Samuil.

    “Pas Carit Samuil, tani është radha e Goce Dellçevit të kthehet në Sofje – në Shtëpinë Maqedonase, ku prehej deri më 8 tetor 1946, kur urna me eshtrat e tij iu dorëzua Jugosllavisë nga tradhtarë kombëtarë”, deklaroi Xhambaski në një video të publikuar në rrjetet sociale, të titulluar “Apel”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    I lidhën, i shtrinë përtokë dhe i rrahën – çfarë u ndodhi dy të rinjve në Shkup?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë