Rasti i dy të rinjve shqiptarë, të moshës 21 dhe 23 vjeç, të cilët pretendojnë se janë keqtrajtuar nga pjesëtarë të policisë në Shkup, ka nxitur reagime të ashpra nga partitë opozitare shqiptare. BDI dhe LSH kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes, hetim të paanshëm dhe përgjegjësi institucionale e politike. Përderisa BDI kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, Lidhja Shqiptare shkon një hap më tej, duke kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit Pançe Toshkovski dhe përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në ndjekjen e rastit.
Në reagimin e saj, BDI kërkon që institucionet kompetente të hetojnë të gjitha rrethanat e ngjarjes, duke vënë në dukje kundërthëniet ndërmjet pretendimeve të përfshira në raportin e brendshëm policor dhe dëshmive të dy të rinjve. Sipas kësaj partie, në raportin policor pretendohet se të rinjtë i kanë marrë pistoletën një zyrtari policor, ndërsa ata japin një version tjetër të ngjarjes, duke deklaruar se arma ka përfunduar në automjetin e tyre pasi policia ua ka thyer xhamin.
Dy të rinjtë, sipas deklarimeve që janë transmetuar në mediume, pretendojnë gjithashtu se policët kanë shtënë me armë zjarri, ua kanë shpuar gomat e automjetit dhe më pas i kanë keqtrajtuar fizikisht, ndonëse paraprakisht i kishin lidhur dhe shtrirë përtokë. “Kërkojmë hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga ana e zyrtarëve policorë. Heshtja dhe mungesa e përgjegjësisë nuk janë opsion!”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Nga kjo parti kërkojnë që përgjegjësia të mos kufizohet vetëm te zyrtarët policorë që dyshohet se kanë marrë pjesë në incident, por të përfshijë edhe drejtuesit politikë të institucionit. “BDI kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale për këtë rast. Të drejtat e qytetarëve dhe dinjiteti i tyre nuk mund të shkelen nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë”, theksohet në reagim.
Ndërkohë, me akuza më të rënda ndaj drejtuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka reaguar Lidhja Shqiptare, e cila e dënon ashpër dhunën e pretenduar ndaj dy të rinjve shqiptarë.
Sipas kësaj partie, informacionet që ajo disponon ngrenë dyshime se raste të ngjashme nuk janë të izoluara. Lidhja Shqiptare e cilëson sjelljen e pretenduar të pjesëtarëve të policisë si represion ndaj shqiptarëve, duke bërë krahasime me periudhën e qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. “Sjellja e këtillë e kriminelëve të veshur me petkun e policisë nuk është asgjë tjetër, vetëm se represion i aparatit shtetëror ndaj shqiptarëve, ngjashëm si në kohën e Gruevskit, kur po e njëjta polici nga njëra anë dhe huliganë maqedonas nga ana tjetër ushtronin dhunë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Shkup dhe jo vetëm”, thuhet në komunikatën e Lidhjes Shqiptare.
Nga kjo parti kërkojnë që rasti të mos përfundojë vetëm me procedura disiplinore, por të hetohet edhe në aspektin penal, ndërsa përgjegjësia, sipas tyre, duhet të shtrihet edhe në nivelet drejtuese të policisë. “Ky rast nuk duhet të kalojë vetëm me hetime dhe sanksionime disiplinore ndaj policëve, por të shqyrtohet si një vepër e rëndë penale dhe autorët të marrin dënimin e merituar”, theksohet në reagim.
Lidhja Shqiptare kërkon përgjegjësi komanduese dhe politike nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Pançe Toshkovski dhe zëvendësministrit Astrit Iseni.
Përveç kërkesave drejtuar institucioneve vendase, Lidhja Shqiptare u ka bërë thirrje edhe përfaqësive diplomatike të vendeve evropiane, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të reagojnë lidhur me rastin. Partia kërkon gjithashtu përfshirjen e misionit të OSBE-së, Komitetit të Helsinkit dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për evidentimin dhe raportimin e pretendimeve për dhunë policore dhe shkelje të të drejtave themelore të dy të rinjve. “U bëjmë thirrje përfaqësuesve diplomatikë të vendeve evropiane, SHBA-së dhe BE-së që të reagojnë për të parandaluar skenarët e errët antishqiptarë të këtij pushteti policor”, thuhet në komunikatë.
Lidhja Shqiptare njofton se tashmë u është drejtuar me një letër zyrtare përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në vend, duke kërkuar vëmendjen e tyre ndaj rastit. Në fund të reagimit, kjo parti u uron shërim të shpejtë dy të rinjve dhe i inkurajon që të ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar drejtësi. “Të rinjve shqiptarë, viktimave të kësaj dhune makabre, u urojmë shërim të shpejtë dhe i inkurajojmë që këtë rast ta procedojnë dhe të kërkojnë drejtësi deri në fund. Lidhja Shqiptare do të jetë në mbështetje të tyre dhe të çdo shqiptari”, thuhet në komunikatë.
Të dyja partitë opozitare kërkojnë hetim të plotë dhe përgjegjësi për ngjarjen, ndërsa dallojnë në nivelin e përgjegjësisë politike që kërkojnë. BDI kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit Iseni, kurse Lidhja Shqiptare kërkon largimin e tij dhe të ministrit Toshkovski. /Koha/




