Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT) ka vendosur të reduktojë me mbi 260 milionë denarë buxhetin e planifikuar për këtë vit. Sipas dokumentit të publikuar në faqen e Kuvendit, “Propozim për ndryshime në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2026”, buxheti administrativ i ministrisë shkurtohet për mbi 39 milionë denarë, ndërsa në zërin e veçantë për financimin e veprimtarive në fushën e kulturës reduktimi arrin në mbi 226 milionë denarë.
“Këto ndryshime dhe shtesa në Buxhet janë rezultat i nevojës që shteti të përgjigjet me përgjegjësi dhe në kohë ndaj kushteve të ndryshuara ekonomike. Në kushtet e presioneve në rritje mbi financat publike, është e nevojshme të zbatohen masa të disiplinës buxhetore, që synojnë optimizimin maksimal të anës së të ardhurave dhe rishikimin poshtë të shpenzimeve buxhetore. Dhe në kushte të tilla, niveli i deficitit buxhetor mbeti i pandryshuar”, arsyetohet në hyrje të dokumentit.
Ky është rebalanci i dytë i buxhetit nga Qeveria, pas atij të muajit qershor, që u kritikua nga opozita. Ish -ministrja e Kulturës dhe deputetja Bisera Kostadinovska-Stojçevska deklaroi se “Kultura nuk duhet të jetë fushë ku fillimisht premtohet, e pastaj shkurtohen mjetet”. Edhe rishikimi i ri vjen me shkurtime të konsiderueshme të mjeteve të planifikuara për kulturën, në një vit që ishte shoqëruar me premtime për më shumë investime, mbështetje për krijimtarinë artistike dhe zhvillim të veprimtarive kulturore.
Sipas tabelave buxhetore, zëri për financimin e veprimtarive në fushën e kulturës ulet nga 6 miliardë e 371.839 milionë denarë në 6 miliardë e 145.369 milionë denarë. Diferenca prej 226.470 milionë denarësh përfaqëson një reduktim prej rreth 3.56 për qind. Ndërkaq, buxheti administrativ i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit reduktohet për 39.098 milionë denarë. Nëse të dy zërat buxhetorë llogariten së bashku, ulja e përgjithshme arrin në 265.568 milionë denarë.
Kështu, buxheti i kombinuar për ministrinë dhe financimin e veprimtarive kulturore bie nga 6 miliardë e 922.668 milionë denarë në 6 miliardë e 657.100 milionë denarë, ose rreth 3.84 për qind më pak. Pavarësisht reduktimit të buxhetit, treguesit e planifikuar për disa nga aktivitetet kulturore mbeten të pandryshuar. Sipas dokumentit, për vitin 2026 parashikohen 29 manifestime dhe festivale nga fusha e veprimtarive dramatike, botuese, muzikore-skenike dhe folklorike, si dhe 29 projekte për fëmijë në fushën e muzikës dhe veprimtarisë muzikore-skenike.
TEATRI DHE BIBLIOTEKA, LARG DINAMIKËS SË PLANIFIKUAR TË FINANCIMIT
Sa i përket njërit prej projekteve kapitale të trashëguara, ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, i cili paraqitet si zë i veçantë në buxhetin e MKT-së, rebalanci nuk sjell rritje të mjeteve. Pas reduktimit të fondeve me rebalancin e muajit qershor, tani shuma e paraparë është rikthyer në 53 milionë denarë. Kjo shumë është dukshëm më e ulët se dinamika e financimit të planifikuar për vitin 2026, kur për projektin ishin paraparë 330 milionë denarë. Kostoja e përgjithshme e objektit vlerësohet në rreth 1,5 miliardë denarë, ndërsa hendeku mes planifikimit fillestar dhe shumës së paraparë pas ndryshimeve buxhetore ngre pikëpyetje për ritmin e realizimit dhe afatin e përfundimit të projektit. /Koha/




