Të drejtat njihen, por pengesat mbeten në çdo hap

    Fotografi e licensuar nga Envato

    Shkopi i bardhë u mundëson personave me shikim të dëmtuar të orientohen dhe të lëvizin më të sigurt, por pavarësia e tyre nuk varet vetëm nga kjo ndihmesë. Trotuaret e bllokuara nga automjetet, mungesa e shtigjeve taktile, semaforët pa sinjale zanore dhe institucionet e papërshtatura vazhdojnë të krijojnë pengesa në jetën e përditshme. Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, e cila u shënua edhe me një debat në Kuvend, vëmendja u përqendrua te qasja, arsimi dhe nevoja që të drejtat e personave me shikim të dëmtuar të zbatohen në praktikë.

    Kryesuesi i Grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me nevoja të veçanta, Nikolla Micevski, theksoi se shkopi i bardhë është simbol i lirisë, lëvizshmërisë dhe dinjitetit, por edhe një përkujtues se pavarësia e personave me shikim të dëmtuar varet nga qasja në hapësirat publike, informacionet dhe shërbimet institucionale. Ai theksoi se e drejta për jetë të pavarur nuk duhet të mbetet vetëm në dokumente, por të jetë e zbatueshme në çdo rrugë, institucion publik, shkollë dhe shërbim të destinuar për qytetarët.  “Qasja nuk është një përfitim shtesë, por një parakusht për realizimin e të drejtave të njeriut dhe sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë. Jam i bindur se përmes dialogut të hapur, punës së përbashkët dhe përkushtimit mund të kontribuojmë për një shoqëri në të cilën respektohen llojllojshmëritë”, tha Micevski.

    Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Maqedoni janë evidentuar 12.371 persona me dëmtim të shikimit. Kjo shifër është cituar edhe në analizën “Voting Without Barriers”, të publikuar në tetor të vitit 2025, e cila trajton pjesëmarrjen e personave të verbër në proceset zgjedhore. Megjithatë, të dhënat i referohen regjistrimit të vitit 2021 dhe nuk paraqesin një statistikë të re për vitin 2025 apo 2026. Përtej numrit të personave të prekur, çështja kryesore mbetet se sa mundësi reale kanë ata për të lëvizur, për të marrë shërbime dhe për të marrë vendime pa u varur nga ndihma e të tjerëve.

    Për problemet me të cilat përballen personat me shikim të dëmtuar në hapësirat publike foli edhe kryetarja e Shoqatës së Personave të Verbër dhe Personave me Shikim të Dëmtuar në Shkup, Valentina Gjurçinovska. Ajo theksoi se shkopi i bardhë është ndihmë e rëndësishme për lëvizje, por nuk mund të garantojë siguri në një mjedis ku mungojnë kushtet bazë të qasjes. “Nuk na duhet vetëm shkopi i bardhë. Na duhen shtigje taktile për lëvizje, sinjale zanore në semaforë dhe transport publik i kapshëm. Shkopi i bardhë është ndihma jonë për lëvizje dhe një simbol dinjiteti, por shpesh nuk kemi kushtet se ku dhe si ta përdorim atë në mënyrë të sigurt”, theksoi Gjurçinovska, duke vlerësuar gjithashtu rolin e Grupit parlamentar ndërpartiak në lidhjen e organizatave që përfaqësojnë personat me nevoja të veçanta me deputetët dhe institucionet, në mënyrë që problemet e tyre të marrin vëmendjen e duhur.

    Nga ana tjetër, në debat, përfaqësuesja e Unionit Nacional të Personave të Verbër në Maqedoni, Keti Petreska, ngriti edhe çështjen e njohjes ligjore të nënshkrimit faksimil për personat e verbër dhe personat me aftësi të kufizuara, si një hap drejt pavarësisë më të madhe në kryerjen e procedurave administrative. Ajo kërkoi edhe thjeshtimin e procedurave për sigurimin e shkopinjve të bardhë dhe mjeteve të tjera ndihmëse përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor, si dhe përmirësimin e qasjes në shërbimet digjitale dhe materialet arsimore në formate të përshtatura.

    Megjithatë, përtej debateve dhe mesazheve të përcjella në shënimin e kësaj dite, sfida mbetet zbatimi i tyre në jetën e përditshme. Një trotuar i pakalueshëm, një semafor pa sinjal zanor apo një shërbim digjital i papërshtatur mund ta kufizojnë pavarësinë po aq sa mungesa e një pajisjeje ndihmëse. Për këtë arsye, përfshirja nuk matet vetëm me të drejtat e njohura në dokumente, por edhe me mundësinë reale që personat me shikim të dëmtuar të lëvizin, të arsimohen dhe të marrin shërbime pa u përballur me pengesa që mund të shmangen. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Sofja i shton një tjetër pengesë Shkupit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë