Romët në RMV mes papunësisë, dhunës gjinore dhe diskriminimit

    Mungesa e mbështetjes adekuate financiare, vonesat në reformat ligjore dhe thellimi i pabarazive sociale vazhdojnë të jenë sfidat kryesore për inkluzionin e romëve në vend. Kjo bëhet e ditur në Raportin më të fundit për Monitorimin e Strategjisë Kombëtare për Romët. Sipas dokumentit, megjithëse gjatë vitit 2026 është shënuar një rritje e transparencës dhe koordinimit mes institucioneve dhe shoqërisë civile, përkushtimi politik mbetet i pamjaftueshëm për të zgjidhur problemet disa dekadëshe.

    Në shëndetësi, raporti tregon se vdekshmëria e foshnjave dhe mbrojtja e shëndetit të nënave mbeten pika kritike, për shkak të qasjes së kufizuar në shërbime primare mjekësore. Në arsimin parashkollor, nga mbi 37 mijë fëmijë të regjistruar në nivel shtetëror, vetëm 1.47% prej tyre janë romë. Si pikë pozitive veçohet mbështetja me bursa për shkollat e mesme, nga e cila kanë përfituar 1,104 nxënës ndërsa regjistrimi në shkollat e mesme është ulur dukshëm.\

    “Rekomandimet për vitin 2026 janë të ndalohet largimi nga shkollat përmes bursave ose planeve lokale që do të krijohen veçmas për çdo komunë. Kur bëhet fjalë për shëndetësinë, shuma e njëjtë prej 17 milionë denarë është ndarë edhe këtë vit për shëndetësi. Ajo që dallon është se 2.3 milionë denarë janë dedikuar për mbrojtjen direkte të grave të rrezikuara. Fatkeqësisht, 8.7 % vazhdon të mbetet vdekja e foshnjave rome kundrejt asaj kombëtare 2.9”, tha Suad Skenderi nga “Romalitiko”.

    Sipas raportit, shqetësuese është prania e dhunës me bazë gjinore, abuzimit seksual të fëmijëve dhe rrezikut nga trafikimi me qenie njerëzore. Sa i përket ekonomisë, papunësia te romët mbetet shumë e lartë, ndërsa përfshirja e tyre në masat aktive të punësimit është minimale

    “Mendoj se është me rëndësi të mos e lëmë zbatimin e Strategjisë për Inkluzionin e Romëve 2022–2030 vetëm në nivel deklarativ. Për realizimin e saj të suksesshëm nevojitet përfshirje e vazhdueshme e të gjitha ministrive të linjës, vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve të tjera kompetente. Gjithashtu, nevojitet përfshirje më e madhe e organizatave të shoqërisë civile, jo vetëm në proceset e konsultimeve, por edhe në monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të politikave” tha Elvis Shaqiri, drejtor i „Romalitiko”.

    Aktivistët dhe autorët e raportit theksojnë se zgjidhja e këtyre problemeve kërkon veprime konkrete: sigurimin e fondeve të mjaftueshme shtetërore, përshpejtimin e legalizimit të shtëpive dhe krijimin e vendeve të punës për komunitetin rom. Pa këto hapa realë, politikat për integrim do të mbeten thjesht premtime të paplotësuara. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ekonomisti Visar Ademi: revolucioni i IA-së do të jetë më i madh se Revolucioni Industrial

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë