Pikat kryesore të intervistës
- Kandidati për kryeministër do të përcaktohet nga grupi parlamentar i Listës Studentore.
- Përgjegjësia për parandalimin e dhunës dhe ruajtjen e rendit publik aktualisht i takon qeverisë në detyrë.
- Serbia do të vazhdojë përpjekjet për integrimin në Bashkimin Evropian.
- Qytetarët e Serbisë duhet të kenë fjalën vendimtare për marrëdhëniet me Rusinë, përfshirë çështjen e vendosjes së sanksioneve.
- Dialogu për Kosovën do të vazhdojë, ndërsa marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit, mund të rishqyrtohen për të verifikuar përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën e Serbisë.
- Bashkëpunimi me Republikën Sërpska do të vazhdojë, krahas angazhimit për dialog dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura brenda Bosnjë-Hercegovinës.
Lista Studentore do të vazhdojë dialogun për Kosovën, të nisur nga administratat e mëparshme, përfshirë procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të nënshkruar në vitin 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kështu deklaroi Ilija Sërdanoviq, kandidati kryesor i listës që fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Në një intervistë për emisionin „Uvid“ (Vështrim) të Radios Evropa e Lirë (REL), Sërdanoviq theksoi se administrata e re do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit, përcjell Nistori.
Sipas tij, kjo vlen për marrëveshjet politike, ndërsa kontratat e lidhura me kompanitë e huaja për investime në Serbi do të respektohen, me kusht që të jenë në përputhje me legjislacionin serb dhe instrumentet juridike ndërkombëtare.
Ai theksoi gjithashtu se Serbia do ta vazhdojë procesin e integrimit evropian dhe se do të ndërmerren të gjitha përpjekjet për t’i informuar qytetarët mbi përfitimet dhe detyrimet që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Sërdanoviq përsëriti thirrjen për shmangien e çdo forme revanshizmi në Serbi, duke theksuar se qeveria në largim, e cila aktualisht ushtron detyrën me mandat të përkohshëm, mban përgjegjësinë për gjendjen e sigurisë në vend.
Sërdanoviq kryeson Listën Studentore, pas vendimeve të marra nga plenumet e fakulteteve në mbarë Serbinë.
Strategjia e kësaj lëvizjeje, e cila lindi pas dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe në mbështetje të sundimit të ligjit, ishte krijimi i një organizate pa një udhëheqës të vetëm.
Pas fitores vendimtare ndaj forcave politike të Aleksandar Vuçiqit, i cili ka dominuar skenën politike serbe për rreth 14 vjet, shtrohet pyetja se kush do të jetë kandidati i Listës Studentore për kryeministër.
Kush është udhëheqësi?
REL: Si ndiheni që jeni në krye të një liste që nuk ka udhëheqës, nëse mund ta quajmë kështu?
Ilija Sërdanoviq: Ndihem krenar. Mbi të gjitha, jam krenar për qytetarët tanë, të cilët e panë Listën Studentore si një rrugëdalje nga situata në të cilën Serbia ndodhet prej vitesh.
Kemi qenë të ekspozuar ndaj një sistemi represiv dhe një regjimi autoritar, të përqendruar rreth një njeriu që tashmë ka hyrë në historinë politike të vendit, duke lënë pas një gjurmë të pashlyeshme.
Ai ka qenë në pushtet për 15 vjet dhe, në njëfarë kuptimi, vazhdon të jetë ende.
REL: Forcat politike që ai drejtonte humbën vetëm rreth 100 mijë vota. Ai vazhdon të mbetet një faktor i rëndësishëm politik në Serbi. A jeni të vetëdijshëm se problemi, nëse mund ta quajmë kështu, ende nuk është zgjidhur?
Sërdanoviq: Jo, nuk pajtohem me këtë vlerësim.
Duke pasur parasysh kushtet e një shoqërie thellësisht jodemokratike, të karakterizuar nga mungesa e lirisë së medias dhe kontrolli pothuajse absolut i regjimit mbi institucionet, fakti që ne arritëm një epërsi prej gjysmë milioni votash tregon se, në kushte të mirëfillta demokratike, ai nuk do të siguronte as 15 deri në 20 për qind të votave.
Kjo është fuqia reale e regjimit të mëparshëm.
Kush mund të garantojë se nuk do të ketë revanshizëm?
REL: Forcat që fituan zgjedhjet përballen me sfida të mëdha. Si u përgjigjeni shqetësimeve për revanshizëm? Si e trajtoni çështjen e dhunës dhe çfarë hapash keni ndërmarrë për ta parandaluar atë? Pamjet e hyrjes së protestuesve në televizionin „Informer“ janë shqetësuese. A nuk pajtoheni?
Sërdanoviq: Pajtohem me një gjë: Lista Studentore – Studentët Fitojnë e mbështet platformën, planet dhe të gjitha aktivitetet e saj mbi parimet e sundimit të ligjit dhe respektimit të Kushtetutës.
Çdo veprim që do të ndërmarrim në të ardhmen do të udhëhiqet nga këto parime.
Deri më sot, as unë dhe as ndonjë anëtar tjetër i listës sonë nuk kemi bërë thirrje për revanshizëm. Ne kemi kërkuar vetëm respektimin e ligjit dhe të rendit.
Gjatë ditëve të fundit, veçanërisht dje, shumë anëtarë të listës sonë, përfshirë edhe mua, u kemi bërë thirrje qytetarëve që ta përmbyllin procesin zgjedhor në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.
Ngjarjet që ndodhën brenda dhe përreth televizionit proqeveritar „Informer“ nuk janë frymëzuar, nxitur apo mbështetur nga Lista Studentore.
Ne mbështesim sundimin e ligjit dhe duam që Serbia të jetë një shtet ku respektohen ligji dhe rendi.
REL: A mund të garantojë dikush se nuk do të ketë dhunë?
Sërdanoviq: Aktualisht, përgjegjësia për çdo formë dhune, si dhe për parandalimin e saj, i takon qeverisë në detyrë.
Nga ana jonë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë ligjin dhe rendin publik.
Në momentin që do ta marrim zyrtarisht pushtetin, përgjegjësia për zhvillimet brenda vendit do të bjerë edhe mbi ne.
Për momentin, ne kemi vetëm mundësinë të ndikojmë përmes thirrjeve publike, ndërsa kompetencat për garantimin e funksionimit të institucioneve dhe ruajtjen e rendit mbeten në duart e aparatit shtetëror, i cili vazhdon të drejtohet nga administrata e mëparshme.
Kush do të jetë kryeministër?
REL: Kur do të mësojë publiku se kush do të jetë kandidati për kryeministër dhe cilët do të jenë kandidatët për ministra?
Sërdanoviq: Për momentin, mund t’ju them se Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ende nuk i ka shpallur rezultatet përfundimtare.
Rezultatet përfundimtare nuk pritet të ndryshojnë ndjeshëm nga ato të paraqitura deri tani, bazuar në të dhënat e përpunuara dhe në kampionin përfaqësues. Prandaj, edhe numri i mandateve pritet të mbetet pothuajse i njëjtë.
Megjithatë, procesi zgjedhor përfundon zyrtarisht vetëm kur Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i shpall rezultatet në përputhje me ligjin.
Pas kësaj krijohen kushtet për konstituimin e Kuvendit të ri, zgjedhjen e organeve të tij dhe fillimin e procedurave për formimin e qeverisë.
REL: A do të përcaktohet kandidati për kryeministër brenda Listës Studentore, apo do të zhvillohen sërish konsultime me plenumet e fakulteteve?
Sërdanoviq: Procesi i formimit të qeverisë do të zhvillohet në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Serbisë.
Emrat konkretë të kandidatëve për poste qeveritare do të përcaktohen nga shumica e përfaqësuesve parlamentarë të Listës Studentore.
REL: A do të ishit të gatshëm ta pranonit kandidaturën për kryeministër? Duke qenë kandidati kryesor i listës, kjo do të dukej logjike.
Sërdanoviq: Po, por në fillim të bisedës sonë ju përmendët se kjo është një listë pa udhëheqës.
Për çdo post do të zgjedhim kandidatin që, sipas vlerësimit tonë të përbashkët, do të veprojë në interesin më të mirë të qytetarëve të Serbisë.
Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian
REL: Ekziston një interes i madh për drejtimin që do të marrë qeveria e re e Serbisë. A do të vazhdoni rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe a synoni ta përshpejtoni procesin e integrimit?
Sërdanoviq: Ne mbetemi të përkushtuar ndaj integrimit evropian.
Serbia e ka nisur këtë proces që në vitin 2000, pra 26 vjet më parë. Kjo punë do të vazhdojë.
Megjithatë, ajo që mund të premtojmë është se nuk do t’i përsërisim gabimet e qeverisë së mëparshme, politikat e së cilës çuan në një rënie prej 20 për qind të mbështetjes së qytetarëve për integrimin evropian gjatë 15 vjetëve.
Ky është rezultati i qeverisjes së mëparshme.
Ne do ta harmonizojmë plotësisht politikën tonë të brendshme me kërkesat e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian.
Këta kapituj përfshijnë respektimin e të drejtave të njeriut, barazinë, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias.
Pikërisht këto fusha përbëjnë pengesat kryesore për përparimin e mëtejshëm të Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
A do të ndryshojë qëndrimin ndaj Rusisë?
REL: Nëse ekziston një çështje për të cilën Evropa është aktualisht e bashkuar, ajo është qëndrimi ndaj Rusisë. Lista Studentore ka deklaruar se nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës. A pritet të ndryshojë diçka në marrëdhëniet me Rusinë?
Sërdanoviq: Së pari, siç e theksova edhe më herët, pengesa kryesore për integrimin e mëtejshëm evropian lidhet me kapitujt 23 dhe 24, të cilët përfshijnë sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Fatkeqësisht, në Serbi kanë munguar vlerat themelore të demokracisë, lirisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias.
Ka munguar edhe dialogu.
Qytetarët tanë nuk kanë pasur informacion të plotë për atë që u ofron realisht Bashkimi Evropian.
Një pjesë e madhe e tyre kanë jetuar në një mjedis mediatik ku, për më shumë se një dekadë e gjysmë, janë përhapur informacione të pavërteta.
Për këtë arsye, shumë qytetarë nuk janë të informuar siç duhet për procesin e integrimit evropian.
REL: A nënkuptoni se, përmes këtij dialogu, synoni të rishqyrtoni edhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë?
Sërdanoviq: Sigurisht. Ky do të jetë një dialog që do të zhvillohet brenda shoqërisë sonë.
Të gjitha çështjet që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të trajtohen përmes një dialogu të hapur ndërmjet qytetarëve.
Vendime të tilla nuk mund të jenë përgjegjësi e një individi të vetëm.
Ne kemi bërë një përpjekje të përbashkët dhe të suksesshme për të siguruar që në Serbi të mos rikthehet më një sistem ku një njeri i vetëm vendos për drejtimin politik të vendit.
Do të nisim një dialog dhe do t’u japim qytetarëve mundësinë të zgjedhin rrugën që e konsiderojnë më të mirë për të ardhmen e tyre.
Megjithatë, ky dialog duhet të jetë i hapur dhe transparent, jo i kontrolluar dhe i formësuar nga regjimi, siç ka ndodhur gjatë 15 deri në 20 vjetëve të fundit.
REL: Pra, nëse ju kuptoj drejt, qëndrimi për sanksionet ndaj Rusisë mund të rishqyrtohet?
Sërdanoviq: Kjo do të thotë se qytetarët e Serbisë do të jenë ata që, në fund, do të vendosin për këtë çështje.
REL: Në çfarë mënyre? Përmes një referendumi?
Sërdanoviq: Pak a shumë në të njëjtën mënyrë siç duhet të përcaktohen marrëdhëniet tona me çdo shtet tjetër.
Politika e jashtme duhet të formësohet në përputhje me kërkesat dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve, e jo sipas mendimit të një individi apo të një grupi të vogël njerëzish që marrin vendime në emër të të gjithëve.
Kjo nuk është demokraci.
Marrëdhëniet me Kosovën
REL: Lista Studentore ka mbajtur një qëndrim të qartë për çështjen e Kosovës. Megjithatë, a synoni ta vazhdoni dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve?
Sërdanoviq: Vazhdimi i dialogut për Kosovën dhe Metohinë është pjesë thelbësore e programit të studentëve.
I gjithë kuadri i marrëdhënieve të brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë mbështetet në respektimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë.
Rrjedhimisht, edhe qasja ndaj bisedimeve për të ardhmen e Kosovës dhe Metohisë do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.
REL: Pra, mbeteni të përkushtuar ndaj dialogut dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve?
Sërdanoviq: Absolutisht.
Ne mbetemi të hapur për dialog dhe për zgjidhjen e çështjeve në interes të qytetarëve tanë, në radhë të parë, por edhe të komunitetit ndërkombëtar.
REL: A përfshin kjo edhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit?
Sërdanoviq: Kjo do të thotë se, si një shoqëri dhe qeveri e përgjegjshme, ne do t’i respektojmë marrëveshjet dhe protokollet e dakorduara ndërkombëtarisht.
Të gjitha marrëveshjet e negociuara nga përfaqësuesit tanë në emër të Serbisë mund të rishqyrtohen, megjithëse jo domosdoshmërisht, për të përcaktuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë.
REL: A nënkupton kjo edhe gatishmërinë për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti?
Sërdanoviq: Për momentin, ne ende nuk e kemi marrë mandatin dhe nuk jemi në pushtet.
Megjithatë, për çdo çështje me rëndësi strategjike për shtetin, kombin dhe qytetarët tanë, vendimet do të merren pas formimit të qeverisë.
REL: Kush do të vendosë për kërkesën e Kosovës për ekstradimin e Milan Radoiçiqit? A do t’i lihet kjo çështje gjyqësorit dhe a do të iniciohen procedura përkatëse?
Sërdanoviq: Aktualisht nuk mund të jap një vendim apo vlerësim personal për këtë çështje.
Unë jam vetëm njëri prej kandidatëve të një liste që ende nuk e ka formuar qeverinë.
Megjithatë, do të kujdesemi që vendimet për çështje të tilla të merren në përputhje me procedurat ligjore të Republikës së Serbisë.
Marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën
REL: A ju ka kontaktuar dikush nga rrethi i bashkëpunëtorëve të Milorad Dodikut në Bosnjë-Hercegovinë?
Sërdanoviq: Jo, askush.
REL: Çfarë bashkëpunimi prisni në të ardhmen?
Sërdanoviq: Presim vazhdimin e bashkëpunimit me Republikën Sërpska, në interes të qytetarëve të Serbisë dhe të Republikës Sërpska.
REL: A do t’i inkurajojë qeveria e re autoritetet e Republikës Sërpska që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me institucionet qendrore të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë?
Sërdanoviq: Ne do të angazhohemi për të ndihmuar qytetarët e vendeve tona fqinje.
Çështja e Republikës Sërpska është, natyrisht, jashtëzakonisht e rëndësishme.
Do të angazhohemi për një dialog të hapur dhe transparent, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira për të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, përfshirë ata të Republikës Sërpska.
Qëndrimi për Srebrenicën
REL: Çfarë qëndrimi do të mbani lidhur me Srebrenicën?
Sërdanoviq: Qëndrimi për Srebrenicën është përcaktuar nga gjykatat.
Për më tepër, ekzistojnë dokumente të vitit 2010, të njohura ndërkombëtarisht, të cilat janë miratuar nga Kuvendi ynë Kombëtar.
REL: Ekziston edhe një dokument ndërkombëtar me peshë më të madhe juridike. E kam fjalën për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka cilësuar krimin në Srebrenicë si gjenocid.
Sërdanoviq: Shikoni, nuk do të doja ta përqendroja diskutimin te çështje që nuk lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet dhe procesin zgjedhor në Serbi.
Në fund të fundit, nuk mund t’i bëjmë përgjegjës njerëzit e lindur pas vitit 2000 për ngjarje që kanë ndodhur dekada më parë.
Të rinjtë e Serbisë, të lindur pas vitit 2000, kërkuan ndryshime për shkak të problemeve të brendshme të vendit.
Ata na kërkuan neve, një listë prej 250 kandidatësh, t’i ndihmonim në këtë përpjekje.
Ne i ndihmuam të rinjtë tanë të rrëzonin një regjim shtypës dhe autokratik, të drejtuar nga një autokrat që, në fakt, ka qenë një nga nxitësit kryesorë të shumë prej ngjarjeve për të cilat po më pyesni.
Asnjë prej kandidatëve të listës sonë nuk mban përgjegjësi për ngjarjet e viteve 1990. Administrata e mëparshme, megjithatë, mban përgjegjësi.
E ardhmja jonë, e përfaqësuar nga brezat e lindur pas vitit 2000, është e përqendruar te mënyra se si do të duket Serbia në vitet e ardhshme.
Sa i përket së kaluarës, do t’ua lëmë historianëve të japin vlerësimet e tyre.
Gjykatat tashmë i kanë marrë vendimet përkatëse dhe ato ekzistojnë.
Historianët mund t’i trajtojnë më tej çështjet e rëndësishme historike.
E ardhmja e Serbisë është përpara nesh dhe pikërisht aty duam ta përqendrojmë vëmendjen.
A do të bëhen publike marrëveshjet e fshehta?
REL: A do t’i bëni publike kontratat e fshehta ose konfidenciale që kanë mundësuar realizimin e projekteve të mëdha kapitale në Serbi, në bashkëpunim me investitorë të huaj?
Kjo ka qenë një nga shtyllat kryesore të fushatës suaj kundër korrupsionit.
A mund të presin qytetarët që të kenë qasje në kontratat për projektin „Beogradi mbi Ujë“, investimet kineze dhe projektet e tjera të mëdha?
Sërdanoviq: Sigurisht që do të kërkojmë transparencë të plotë për të gjitha këto projekte, veçanërisht për projektet e mëdha infrastrukturore që janë në ndërtim ose që mund të realizohen në të ardhmen.
Pikërisht projektet infrastrukturore që përmendët kanë kontribuar ndjeshëm në pakënaqësinë dhe revoltën e qytetarëve.
Ne do të kërkojmë qasje të plotë në përmbajtjen e këtyre marrëveshjeve, në mënyrë që të vlerësojmë nëse ato janë në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Serbisë.
Vetëm pas një shqyrtimi të tillë do të mund të nxjerrim përfundime për atë që është bërë.
Për momentin, nuk kemi njohuri të plota për atë që është nënshkruar, mënyrën se si janë zbatuar marrëveshjet dhe interesat që u kanë shërbyer ato.
A do të ndryshojë politika editoriale e mediave publike?
REL: Pamë se çfarë ndodhi në Radiotelevizionin e Vojvodinës. Ju ndodheni në Novi Sad. Drejtuesit e këtij transmetuesi kërkuan falje për politikën e tyre të deritanishme editoriale. Çfarë prisni të ndodhë në Radiotelevizionin e Serbisë?
Sërdanoviq: Duhet të them se një kërkimfalje, në mënyrën se si u bë, nuk është e mjaftueshme për të na bindur se politika editoriale në të ardhmen do të jetë e drejtë dhe në përputhje me interesat më të mira të të gjithë qytetarëve të Serbisë.
Është e nevojshme të krijohet një mjedis ku do të ketë kontroll dhe mbikëqyrje të vazhdueshme mbi punën e mediave, veçanërisht të transmetuesit publik.
Në këtë drejtim, rol kyç ka Organi Rregullator për Mediat Elektronike, i cili duhet të fillojë t’i përmbushë detyrimet e tij ligjore.
Këto detyrime përfshijnë monitorimin e mediave elektronike publike, një funksion që, fatkeqësisht, ka munguar gjatë 15 vjetëve të fundit.
A do të miratohet ligji për lustracionin?
REL: A do të miratohet një ligj për lustracionin?
Sërdanoviq: Ligji për lustracionin është parashikuar në programin e studentëve dhe, me shumë gjasë, do të jetë një nga ligjet që do të miratohen në Kuvendin e Serbisë gjatë periudhës së ardhshme.




