Kriza e Alta Bankës, e cila filloi në Serbi dhe u reflektua edhe në Maqedoninë e Veriut, është shndërruar në një tjetër front përplasjesh mes pushtetit dhe opozitës. Përderisa institucionet financiare sigurojnë se stabiliteti i sistemit bankar nuk është i rrezikuar, LSDM-ja opozitare kërkon përgjegjësi penale nga drejtuesit më të lartë shtetërorë, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si është lejuar hyrja dhe funksionimi i kapitalit të bankës serbe në vend.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkoi që Prokuroria Publike të nisë procedurë penale ndaj tyre dhe të gjithë personave që kanë marrë pjesë në proceset lidhur me Alta Bankën. Sipas Filipçes, opozita kishte paralajmëruar që në dhjetor të vitit të kaluar për dyshimet rreth veprimtarisë së kësaj banke, por institucionet kompetente nuk kishin ndërmarrë veprime. “Që në dhjetor të vitit të kaluar u thamë qytetarëve se kjo është një lavanderi parash e Vuçiqit. Deri dje Banka Popullore nuk lëvizi nga vendi. Prej ditësh kërkojmë reagim”, deklaroi Filipçe.
Ai kërkoi nga guvernatori Sllaveski të sqarojë se sa para, sipas pretendimeve të opozitës, janë transferuar nga Serbia në Maqedoninë e Veriut dhe nëse ato kanë mbetur në vend apo kanë vazhduar drejt Moskës.
Nga VMRO-DPMNE i hodhën poshtë akuzat e opozitës, duke theksuar se Alta Banka në Manastir është subjekt juridik i pavarur, i cili funksionon sipas legjislacionit të Maqedonisë së Veriut dhe mbikëqyret nga institucionet vendore. Partia në pushtet akuzoi LSDM-në se me deklaratat e saj po krijon shqetësim të panevojshëm te qytetarët dhe po dëmton besimin në sistemin bankar. “Sistemi bankar në Maqedoni është stabil, ndërsa institucionet kompetente po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e kursimtarëve, investitorëve dhe qytetarëve”, theksuan nga VMRO-DPMNE.
Në kundërpërgjigjen e saj, partia e Mickoskit riktheu në debat falimentimin e Eurostandard Bankës në vitin 2020, gjatë qeverisjes së LSDM-së. VMRO-DPMNE akuzoi ish-ministren e Financave, Nina Angellovska, se kishte tërhequr rreth 250 mijë euro nga banka pak ditë përpara falimentimit të saj, duke pretenduar se kishte shfrytëzuar informacione që lidheshin me pozitën e saj zyrtare. Partia ngriti gjithashtu akuza për kredi të pasiguruara, të cilat, sipas saj, u ishin miratuar kompanive të lidhura me persona të afërt me ish-kryeministrin Zoran Zaev.
Zhvillimet në Maqedoninë e Veriut pasuan vendimin e Bankës Popullore të Serbisë, e cila më 31 tetor ia hoqi licencën për punë Alta Bankës në Beograd, duke u thirrur në përkeqësimin e konsiderueshëm të gjendjes financiare dhe rreziqet për likuiditetin e saj. Vendimi erdhi pas zhvillimeve që përfshinë edhe Prokurorinë serbe për Krim të Organizuar, e cila kishte kërkuar informacione për transaksionet ndërkombëtare të bankës.
Në Serbi, rasti ka nxitur gjithashtu debat politik dhe institucional. Ish-sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave të Serbisë, Veroljub Dugaliq, ngriti pikëpyetje për kohën e ndërhyrjes së autoriteteve, duke pyetur se si problemet u identifikuan menjëherë pas zgjedhjeve të 25 tetorit.
Ai shtroi edhe pyetjen nëse zhvillimet rreth bankës do të kishin qenë të njëjta në rast të një rezultati tjetër zgjedhor. Këto deklarata përfaqësojnë dyshime të shprehura publikisht dhe jo përfundime të vërtetuara të një hetimi.
Ndërkohë, kriza ka marrë përmasa rajonale. Banka Qendrore e Malit të Zi më 1 nëntor vendosi t’ia heqë autorizimin për shërbime pagesash kompanisë Alta Pay Group në Podgoricë, duke konstatuar se nuk plotësoheshin më kushtet e përcaktuara me ligj. Në Mal të Zi, grupi parlamentar i Lëvizjes Evropa Tani ka paralajmëruar iniciativë për seancë kontrolluese parlamentare lidhur me dyshimet për ndikim të huaj përmes lidhjeve financiare, pronësore dhe mediatike të kompanive të caktuara, përfshirë subjektet e lidhura me Alta Bankën.
Në Maqedoninë e Veriut, Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në Alta Banka të Manastirit, duke ua kaluar menaxhimin e bankës tre personave të emëruar nga institucioni rregullator. Guvernatori Trajko Sllaveski deklaroi se masa është e përkohshme dhe lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet te aksionari shumicë, Alta Banka e Beogradit, e cila zotëron 95,17 për qind të aksioneve të bankës në Manastir. Sipas tij, banka në Maqedoninë e Veriut është e kapitalizuar mirë, likuide dhe përmbush standardet mbikëqyrëse.
Megjithatë, për të mbrojtur mjetet e bankës dhe interesat e depozituesve, janë vendosur kufizime të përkohshme për shfrytëzimin e parave nga llogaritë bankare. Qytetarët mund të përdorin deri në 10 mijë denarë në javë përmes kartelave bankare, ndërsa transferimet e brendshme ndërmjet llogarive në të njëjtën bankë mbeten të lejuara pa kufizim të shumës. Ndërkohë, klientë të bankës janë përballur me pamundësi për të tërhequr para nga bankomatet, ku shfaqet njoftimi se është tejkaluar limiti i lejuar. Banka ka mbyllur përkohësisht edhe disa ekspozitura. /Koha/




