Të largohesh nga dhuna bëhet edhe më e vështirë kur nuk ke të ardhura dhe as një vend ku të strehohesh. Me këtë pasiguri përballen shumë gra rome, për të cilat varësia ekonomike, pengesat në arsim dhe vështirësitë për të gjetur punë e bëjnë rrugën drejt një jete të sigurt edhe më të rëndë. Sipas të dhënave të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) për periudhën 2022–2024, vetëm tetë në 100 gra rome janë të punësuara.
Kryetarja e Asociacionit Rom “Rodop”, Sabina Asanova, paralajmëron se mungesa e të ardhurave personale i lë shumë gra dhe vajza ekonomikisht të varura dhe ua kufizon mundësinë për t’u larguar nga një mjedis i dhunshëm. Krahas pasigurisë financiare, ato përballen edhe me diskriminim gjatë kërkimit të punës, në institucionet shëndetësore dhe në sistemin arsimor. Sipas Asanovës, mungesa e mbështetjes dhe e informacionit se ku mund të kërkojnë ndihmë bën që një pjesë e grave të mos e raportojnë dhunën. “Një pjesë e madhe e grave që përjetojnë dhunë tërhiqen dhe nuk kanë guxim ta raportojnë, sepse nuk kanë mbështetje dhe nuk dinë kujt t’i drejtohen. Problemin më të madh e kanë me financat, por edhe me strehimin. Nuk kanë ku të kthehen”, thotë Asanova.
Ajo kërkon që gratë rome të mbështeten në arsimim dhe punësim, duke e konsideruar pavarësinëekonomike si një mundësi të rëndësishme për të dalë nga varësia dhe për të marrë vendime për jetën e tyre.“U bëj thirrje të gjitha grave rome të marrin guxim, ta raportojnë dhunën, të arsimohen, të bëhen pjesë e shoqërisë, të punësohen, të përfshihen në tregun e punës dhe të jenë ekonomikisht të pavarura”, apelon Asanova.
Vështirësitë në këtë drejtim pasqyrohen edhe në nivelin e arsimimit. Sipas një analize të organizatës HERA të publikuar në vitin 2023, 94 për qind e grave rome të regjistruara si të papuna nuk kanë arsimim ose kanë përfunduar vetëm arsimin fillor. Kjo tregon se mungesa e mundësive për arsimim dhe kualifikim profesional vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për përfshirjen e grave rome në tregun e punës dhe për arritjen e pavarësisë ekonomike.
Nga ana tjetër, psikologia Vesna Trajkovska, e përfshirë në projekt, thekson se përgjegjësia për përballimin e dhunës nuk mund të mbetet vetëm te viktimat. Sipas saj, institucionet kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e tyre dhe në krijimin e kushteve që ato të mos përballen të vetme me pasojat. Trajkovska e vlerëson ngritjen e vetëdijes si hap të parë, por thekson se ajo duhet të shoqërohet me ndihmë konkrete.
“Konsiderojmë se, para së gjithash, ngritja e vetëdijes është një hap i parë i rëndësishëm për parandalimin dhe reagimin ndaj rasteve të dhunës në familje. Por është e rëndësishme që të gjithë të ofrojmë mbështetje institucionale dhe jashtëinstitucionale për viktimat, secili në mënyrën e vet dhe sipas mundësive”, deklaroi ajo.
Ndryshe, mes nevojave që dalin në pah janë mbështetja financiare, strehimi, qasja në punë dhe informacioni për shërbimet e mbrojtjes. Për gratë që nuk kanë të ardhura dhe as një vend të sigurt ku të shkojnë, këto janë kushte thelbësore që largimi nga dhuna të bëhet një mundësi reale. /Koha/




