Kur nëna e Verës i humbi ndjenjat teksa po priste të kontrollohej nga një kirurg në një klinikë në rajonin rus të Jarosllavllit, në verilindje të Moskës, autoambulancës u deshën 50 minuta që të arrinte në vendngjarje. Ajo vdiq.
Vera, që jeton në fshatin Grigorjevskoje, i tha Radios Evropa e Lirë se asnjë mjek nuk i doli në ndihmë nënës së saj.
“Në klinikë nuk iu dha asnjë lloj i ndihmës së parë. Ata as nuk i dhanë një injeksion për adrenalinë”, tha Vera, emri i së cilës, sikurse edhe i grave të tjera të intervistuara për këtë artikull, është ndryshuar për shkaqe sigurie.
Sipas saj, fshati dhe vendbanimet fqinje janë rritur, por qendra lokale shëndetësore ende ka vetëm një infermier që trajton si të rriturit ashtu edhe fëmijët. Fshati po ashtu ka vetëm një shkollë dhe një çerdhe.
Por, aty nuk ka pediatër. Vera e dërgon nipin e saj në një klinikë private në kryeqytetin rajonal, Jarosllavll, kur ai ka nevojë për kujdes të specializuar.
Përvoja e saj ilustron se sa e vështirë mund të jetë qasja në shërbimet shëndetësore në rajonet e Rusisë, një gjendje që mund të përkeqësohet edhe më shumë pas propozimeve për shkurtime të fondeve për kujdesin shëndetësore në buxhetin e vitit 2027.
Financimi për Nismën kombëtare për Jetëgjatësi dhe Jetë Aktive, që përfshin 11 programe federale të kujdesit shëndetësor, pritet të ulet nga 181 miliardë rubla (rreth 2.2 miliardë dollarë) sa ishte më 2026 në 146 miliardë rubla (rreth 1.8 miliard dollarë) më 2027.
Këto projekte ndër të tjera mbulojnë kujdesin primar, trajtimet kardiovaskulare dhe ato të kancerit, diabetin, shërbimet e mjekësisë emergjente, rehabilitimin dhe stafin mjekësor.
Shkurtimet e fondeve për sektorin e shëndetësisë vijnë në kohën kur Rusia po rrit shpenzimet për ushtrinë, dhe kjo rritje kryesisht nxitet për shkak të pushtimit të Ukrainës, që Moska nisi pesë vjet më 2022.
Buxheti për ushtrinë pritet të arrijë në 17.1 trilionë rubla (rreth 211 miliardë dollarë) më 2027, apo një rritje prej 27 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar më 2026 përmes së cilit për ushtrinë u ndan 13.5 trilionë rubla, sipas dokumenteve që i ka parë Reuters. Shuma e shpenzuar nga ky buxhet më 2026 konsiderohet sekret.
Qeveria thotë e rritja e shpenzimeve për sigurime të detyrueshme shëndetësore do të mbulojë më shumë shpenzime të kujdesit shëndetësor. Aktivistët që mbrojnë të drejtat e pacientëve paralajmërojnë se ky ndryshim mund të krijojë boshllëqe, veçmas në rajonet më të varfra.

Pabarazitë rajonale
Marina, një tjetër banore e rajonit të Jarosllavllit, tregoi për vështirësitë e sigurimit të morfinës për babanë e sëmurë.
Ajo tha se i është dashur ta lërë vetëm të atin gjithë ditën në mënyrë që të shkonte nëpër klinika të ndryshme për të marrë recetat për këtë ilaç, që iu dhanë në sasi të mjaftueshme vetëm për tri ditë.
“Nisesha në 6:45 të mëngjesit, prisja në radhë për një vulë, më pas me nguti nisesha për në një qytezë tjetër për të marrë një tjetër vulë dhe më pas për të marrë ilaçet. Kthehesha në shtëpi në orën 5 pasdite”, tregoi ajo për Radion Evropa e Lirë.
Nëna e saj ka diabet dhe po has në vështirësi që ta mbajë nën kontroll sëmundjen sepse nuk ka endokrinolog afër. Marina varet në infermierin lokal dhe në mjekët në klinika private kur problemet janë më serioze.
Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në zona të tjera.
Në rajonin e Pskovit, që gjendet në veriperëndim të Rusisë në kufi me Estoninë, një nënë tha se më herët gjatë vitit disa klinika refuzuan që ta trajtonin djalin e saj 2-vjeçar pasi ai lëndoi syrin.
Një spital i dërgoi ata te një klinikë për fëmijë, ku një mjek iu tha se ai nuk ishte oftamolog. Shërbimet e emergjencave sugjeruan që ata të gjenin një mjek privat, ndërkaq një qendër e traumave po ashtu refuzoi ta mjekonte djaloshin, shkroi nëna e tij në një forum në internet.
Sipas saj, as ditën e dytë djali i saj nuk mori kujdes mjekësor.
Në rajonin e Vlladimirit, planet për ndërprerjen e lindjeve në spitalin në Kolçuginos kanë shqetësuar banorët lokalë.
Sipas planit, gratë shtatzëna do të duhet të udhëtojnë rreth 80 kilometra për në qytetin e Vlladimirit për të lindur fëmijët e tyre. Banorët kanë protestuar për këto plane dhe i kanë bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të heqë dorë nga këto ndryshime.
Një prej shkurtimeve më të mëdha të financimit, që ka rritur shqetësimet, është ai për programin për luftën kundër kancerit. Në ndarjet buxhetore për vitin 2026, fillimisht për këtë program ishte paraparë një buxhet prej 144.9 miliardë rublash (1.78 miliardë dollarë), por më vonë buxheti u zvogëlua në 44.9 miliardë rubla (553 milionë dollarë). Draft-buxheti për vitin 2027 parasheh 3.87 miliardë rubla (47.6 milionë dollarë) për këtë program.
Ministria e Shëndetësisë e Rusisë ka thënë se ulja e buxhetit reflekton ndryshimin se si trajtimi po financohet dhe nuk nënkupton tërheqje nga mbështetja e programit. Në deklaratën e saj, të dhënë për të përditshmen Kommersant më 5 tetor, ministria tha se trajtimi i kancerit veçse financohet përmes sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.
Gjatë një diskutimi më 13 tetor në Këshillin e Federatës, dhomën e lartë të Parlamentit rus, pjesëmarrësit përmendën mungesën e onkologëve dhe të ilaçeve. Në disa rajone kishte vetëm pesë deri në shtatë nga 35 deri në 40 ilaçet kundër kancerit që rekomandohen për trajtim.

Zyrtarët premtojnë financim shtesë
Më 15 tetor, ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, i tha Komisionin parlamentar për Buxhet se edhe 6 miliardë rubla (74 milionë dollarë) do të ndahen për ilaçe më 2027.
Ai tha se 113 miliardë rubla (1.39 miliardë dollarë) janë ndarë për furnizimin me ilaçe në rajone dhe 285 miliardë rubla (3.5 miliardë dollarë) për blerjen e centralizuar të barnave, duke shtuar se programet ekzistuese do të vazhdojnë.
Por, më 29 tetor gjatë shqyrtimit në lexim të parë të projektbuxhetit të Fondit Federal të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në dhomën e ulët të Parlamentit rus, kryetari i Komisionit për Buxhetin, Andrei Makarov, përmendi shterimin e kuotave, pritjet e gjata për trajtim me teknologji të avancuar, mungesën e personelit dhe vështirësitë për dërgimin e pacientëve nga disa rajone në qendrat federale mjekësore.
Në qytetin siberian të Krasnojarskut, mijëra kilometra në lindje të kryeqytetit, departamenti rajonal i shëndetësisë planifikon të mbyllë dy maternitete deri në mesin e janarit, duke përmendur si arsye rënien e numrit të lindjeve dhe gjendjen e njërës prej ndërtesave.
Yelena, nënë e tre fëmijëve, e cila ka lindur në njërin prej këtyre materniteteve, tha se e kishte zgjedhur atë sepse ofronte qasje te specialistët në rast të komplikimeve.
“Jam e tronditur që po e mbyllin”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë. REL




