Dimitrievski kërcënon me largim nga Qeveria: provimi i jurisprudencës vetëm në maqedonisht

    Lëvizja ZNAM nuk do të pranojë që provimi i jurisprudencës të jepet në ndonjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Nëse Qeveria merr një vendim të tillë, partia është e gatshme të largohet nga koalicioni qeveritar. Kështu deklaroi kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, në një intervistë për televizionin Sitel, përcjell Nistori.

    Dimitrievski theksoi se kryeministri Hristijan Mickoski është i informuar për qëndrimet e ZNAM-it lidhur me këtë çështje, por shtoi se partia mbetet e hapur për diskutime me partnerët e koalicionit qeveritar.

    “Në takimin e radhës me kryeministrin do të kërkoj mbajtjen e një takimi të liderëve, sepse asnjëherë nuk e kemi diskutuar hapur këtë çështje me partnerët tanë në Qeveri, për të përcaktuar të gjitha vijat e kuqe dhe për të sqaruar se çfarë nënkupton kjo për të ardhmen e shtetit dhe të gjithë sistemit tonë të drejtësisë”, deklaroi Dimitrievski.

    Sipas tij, çështja e gjuhës në të cilën mund të jepet provimi i jurisprudencës nuk është e izoluar, por lidhet me aspekte më të gjera të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe administratës shtetërore.

    Dimitrievski pretendon se pas kërkesave për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë qëndrojnë synime më të gjera politike. Në këtë kontekst, ai vlerësoi se në vend ekzistojnë forca politike që synojnë shndërrimin e shtetit në një konfederatë.

    “Maqedonia është republikë dhe, fatkeqësisht, në vend ka forca që një ditë dëshirojnë ta shohin atë si konfederatë. Vazhdimisht shfaqen individë të caktuar që kërkojnë të drejta më të gjera dhe bashkimin e komuniteteve lokale mbi baza etnike, e jo territoriale”, deklaroi ai.

    Duke iu referuar zhvillimeve politike pas zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, Dimitrievski përmendi edhe deklaratat e një ish-lideri politik shqiptar lidhur me të ashtuquajturën “Iliridë”, të cilat i ndërlidhi me pretendimet e tij për synime të federalizimit apo konfederalizimit të vendit.

    Kreu i ZNAM-it vlerësoi se kërkesat për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po i paraqiten opinionit publik në mënyrë, siç u shpreh ai, shumë naive.

    Sipas Dimitrievskit, këto kërkesa bien ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias të vitit 2019, lidhur me përdorimin e gjuhëve të tjera përveç maqedonishtes në sistemin e drejtësisë. Ai paralajmëroi se zbatimi i tyre mund të ketë pasoja të konsiderueshme për funksionimin e sistemit gjyqësor në vend.

    Megjithëse deklaroi se nuk është kundër përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike, duke përmendur Kumanovën si shembull të përdorimit të disa gjuhëve në punën e Këshillit Komunal, Dimitrievski theksoi se as ai dhe as partia që drejton nuk do të pranojnë, sipas tij, ndërlikimin e mëtejshëm të funksionimit të shtetit.

    Lajmi Paraprak

    Rajonet e varfra ruse përballen me pasojat e shkurtimeve buxhetore në shëndetësi

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është SEPA, ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë