Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe, nëse vendi përfshihet në këtë zonë, atëherë qytetarët dhe bizneset do të kursenin para gjatë transfereve.
SEPA është një nismë e Bashkimit Evropian që u mundëson njerëzve dhe bizneseve të kryejnë pagesa në euro në mënyrë të sigurt, të shpejtë dhe me tarifa të barabarta në të gjitha vendet anëtare.
Çfarë përfiton Kosova?
Banka Qendrore e Kosovës tha mbrëmjen e 6 nëntorit se aplikimi për anëtarësim në SEPA përbën një hap të rëndësishëm të integrimit financiar dhe ekonomik të vendit me BE-në – bllok ku Kosova synon që një ditë të bëhet anëtare.
Sipas BQK-së, nëse Kosova përfshihet në hapësirën gjeografike të SEPA-s, një gjë e tillë do të sillte kursime prej rreth 55 milionë eurosh për qytetarët dhe bizneset në vit.
Ekspertët e fushës së financave kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se anëtarësimi në SEPA do të kishte ndikim pozitiv për të gjithë.
“Qytetarët që pranojnë remitenca apo transfere të tjera do t’u nënshtrohen tarifave shumë më të lira. Transferet hyrëse dhe dalëse do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe më të lehta për t’u realizuar”, sipas ekspertit financiar, Nexhat Miftari.
Qytetarët e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit, dërgojnë remitenca për familjarët e tyre dhe vlera e dërgesave arrin deri mbi 1 miliard euro në vit.
Një qytetar i Kosovës, që punon në Gjermani i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se paratë për familjen e tij në Kosovë i dërgon vetëm përmes kompanive të transferimit të parave, e jo bankave, për shkak të tarifave të larta.
Shuma që duhet të paguhet për komisione varet nga vlera e parave të transferuara, nga valuta por edhe nëse dërguesi është individ apo biznes. REL-i raportoi më 2025, se kostot minimale për transfere ndërkombëtare varionin nga 15 deri mbi 500 euro, në varësi të shumës, valutës dhe llojit të klientit.
Kostot e transfereve, por edhe koha, do të uleshin ndjeshëm me përfshirjen eventuale të Kosovës në SEPA.
Një shembull të ndikimit të anëtarësimit të një vendi në këtë zonë e dha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kur vendi i tij u pranua në këtë zonë vitin e kaluar.
Sipas tij, komisionet për transfere bankare u ulën pas pranimit në SEPA në 1 deri në 3 euro për shuma prej 100 deri në 500 euro. Para anëtarësimit, marrësi në Shqipëri merrte 88-90 euro, pasi bankat mbanin deri në 10 për qind të shumës.
“Standardet e harmonizuara në të gjitha vendet e SEPA-s kanë eliminuar dallimet mes pagesave brenda vendit dhe atyre ndërkufitare. Kjo ka ndihmuar në rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë evropiane”, thuhet në ueb-faqen e Bankës Qendrore Evropa lidhur me nismën SEPA.
Tani, aplikimi i Kosovës duhet t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit dhe përputhshmërisë me kornizën ligjore dhe rregullative me kërkesat për përfshirje në hapësirën gjeografike të SEPA-s, dhe sipas BQK-së, pas “një vendimi pozitiv, do të vijojnë procedurat për pjesëmarrjen e institucioneve financiare të Kosovës në skemat përkatëse të pagesave”.
Si erdhi deri tek aplikimi?
Qysh në tetor të vitit 2024, Kosova nisi procedurën për t’u anëtarësuar në SEPA, kur edhe dorëzoi paraaplikimin. Kjo fazë, sipas BQK-së, mundësoi nisjen e konsultimeve dhe vlerësimeve paraprake me institucionet përkatëse evropiane.
“Që nga ajo periudhë, BQK-ja ka vazhduar punën për adresimin e kërkesave, përgatitjen e dokumentacionit dhe përmbushjen e kushteve ligjore, rregullative dhe teknike”, tha BQK-ja në njoftimin për media.
Megjithatë, për të dorëzuar aplikimin, Kosovës iu desh që paraprakisht të përafronte legjislacionin me kërkesat e BE-së.
Në këtë kuadër u kërkuan tri ligje të rëndësishme, ai për bankat, për shërbimet e pagesave dhe të bëheshin ndryshimet në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Ato ligje ishin dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, pas ankesës për shkelje të procedurave gjatë miratimit.
Gjykata kishte shpallur jokushtetuese Ligjin për shërbimet e pagesave – për shkak të shkeljeve procedurale gjatë miratimit të tij. Por, Kushtetuesja vendosi që ai për bankat ishte në përputhje me aktin më të lartë juridik.
Më vonë deputetët miratuan Ligjin për shërbimet e pagesave dhe votuan për ndryshimet në legjislacionin për pastrimin e parave dhe luftimin dhe financimin e terrorizmit, duke i hapur rrugë aplikimit për përfshirje në SEPA.
BQK-ja tha se pas dorëzimit të aplikimit do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet evropiane, me bankat komerciale si dhe me ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave me qëllim që të bëhen përgatitjet teknike dhe operacionale që kërkohen për integrimin e plotë në skemat e SEPA-s.
Në SEPA aktualisht janë 41 vende, përfshirë të gjitha vendet anëtare të BE-së, por edhe vende joanëtare sikurse Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, por edhe vendet fqinje të Kosovës. REL




