Instituti PRESPA: RMV ngec në reformat kyçe dhe mbetet pas vendeve të tjera në rrugën drejt BE-së

    Maqedonia e Veriut po humbet terren në procesin e integrimit evropian, jo vetëm për shkak të bllokadës politike lidhur me ndryshimet kushtetuese, por edhe si pasojë e ritmit të ngadalshëm të reformave, dobësive në sundimin e ligjit dhe mungesës së rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit. Ky është një nga përfundimet kryesore të analizës së Institutit PRESPA, të titulluar “Kostoja e ngecjes – Maqedonia e Veriut dhe Paketa e Zgjerimit 2026”, të publikuar në nëntor të këtij viti.

    Analiza, e përgatitur nga Andreja Stojkovski, shqyrton raportet e Komisionit Evropian për periudhën 2023–2026 dhe krahason përgatitjen institucionale dhe përparimin vjetor të Maqedonisë me vendet e tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Sipas të dhënave, niveli mesatar i përgatitjes së Maqedonisë në 33 kapitujt e vlerësuar është rritur vetëm nga 3,03 pikë në vitin 2023 në 3,14 pikë në vitin 2026, në shkallën nga 1 deri në 5. Ndërkohë, treguesi i përparimit vjetor ka rënë nga 1,42 në vitin 2023 në 1,36 në vitin 2026.

    Këto rezultate tregojnë se, pavarësisht disa përmirësimeve në fusha të veçanta, vendi nuk ka arritur të sigurojë një ritëm të qëndrueshëm reformash, veçanërisht në sektorët që konsiderohen vendimtarë për avancimin e negociatave.

    Shqetësimi më i madh lidhet me grupkapitullin e parë, që përfshin çështjet themelore, sundimin e ligjit, gjyqësorin, të drejtat themelore dhe kontrollin financiar. Në këtë grup, mesatarja e përparimit vjetor të Maqedonisë ka rënë nga 1,60 pikë në vitin 2023 në vetëm 1,00 pikë në vitin 2026.

    Për krahasim, Mali i Zi dhe Moldavia kanë shënuar nga 2,80 pikë, Shqipëria 2,40 dhe Ukraina 2,00 pikë. Kjo dëshmon se vendet e tjera po ecin me ritëm dukshëm më të shpejtë në reformat që përcaktojnë ecurinë e negociatave.

    Analiza thekson se Maqedonia dhe Shqipëria i nisën formalisht negociatat në korrik të vitit 2022, por rrugëtimi i tyre ka marrë drejtime të ndryshme. Shqipëria, deri në tetor të vitit 2026, kishte hapur të gjashtë grupkapitujt dhe kishte mbyllur përkohësisht katër kapituj, ndërsa Maqedonia ende nuk e ka hapur grupkapitullin e parë.

    Ndërkohë, Mali i Zi ka avancuar deri në fazën e hartimit të traktatit të anëtarësimit, ndërsa Moldavia dhe Ukraina, megjithëse me nivel më të ulët të përgatitjes në disa fusha, kanë shënuar përparim më të shpejtë në reforma dhe në hapjen e grupkapitujve.

    Korrupsioni, gjyqësori dhe Kuvendi mbeten pikat më të dobëta

    Instituti PRESPA vlerëson se dobësitë më serioze të Maqedonisë lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.

    Duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian, analiza thekson se gjatë vitit 2026 nuk është regjistruar përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten në procedura gjyqësore dhe shpesh përfundojnë me parashkrim.

    Gjithashtu, ndryshimet e Kodit Penal të miratuara në janar të vitit 2026 nuk kanë arritur të korrigjojnë në mënyrë të mjaftueshme pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023, duke krijuar pasiguri të mëtejshme juridike.

    Problematike mbetet edhe mungesa e financimit të gjyqësorit. Sipas të dhënave të përfshira në analizë, për gjykatat në vitin 2026 janë ndarë mjete në vlerë prej 0,29% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përkundër nivelit prej 0,8% të parashikuar me ligj. Prokuroria Publike ka marrë 0,24% të buxhetit shtetëror, kundrejt 0,4% të përcaktuar me ligj.

    Kritika adresohen edhe ndaj Kuvendit, i cili përsëri nuk ka miratuar kalendarin vjetor të punës, ndërsa polarizimi politik dhe përdorimi në rritje i procedurave të shkurtuara ligjvënëse vazhdojnë të ndikojnë negativisht në cilësinë e reformave dhe mbikëqyrjen demokratike.

    Pa përparim në lirinë e mediave dhe prokurimet publike

    Analiza evidenton gjithashtu mungesë përparimi në lirinë e shprehjes dhe të mediave. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 40 padi për fyerje dhe shpifje që përfshijnë gazetarë, krahasuar me 15 në vitin 2024.

    Problemet me financimin dhe pavarësinë e transmetuesit publik dhe të rregullatorit audiovizual, si dhe kërcënimet dhe ngacmimet ndaj gazetarëve, vazhdojnë të përbëjnë shqetësim.

    Në prokurimet publike, gjithashtu nuk është shënuar përparim. Gjatë vitit 2025, në 33,9% të tenderëve është paraqitur vetëm një ofertë, ndërsa kriteret që vlerësojnë cilësinë krahas çmimit janë zbatuar në vetëm 6% të kontratave.

    Marrëdhëniet ndëretnike të qëndrueshme, por çështje të pazgjidhura

    Në pjesën që lidhet me marrëdhëniet ndëretnike, analiza i referohet vlerësimit të Komisionit Evropian se ato mbeten të qëndrueshme dhe se zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit vazhdon.

    Megjithatë, ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ende nuk është miratuar pas shfuqizimit të mekanizmit të njohur si Balancuesi, ndërsa debati për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nxjerr në pah çështjet e pazgjidhura që lidhen me të drejtat gjuhësore dhe qasjen në institucione.

    Ndryshimet kushtetuese dhe reformat, dy sfidat kryesore

    Pavarësisht vlerësimeve pozitive për përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe përparimin në digjitalizim, kërkim shkencor dhe disa masa të Agjendës së Reformave, analiza paralajmëron se këto arritje nuk mjaftojnë për të kompensuar ngecjen në fushat themelore.

    Maqedonia ka përmbushur 22 nga 136 masat e Agjendës së Reformave, ose 16,2%, ndërsa deri në maj të vitit 2026 i janë liruar 142,1 milionë euro nga gjithsej 750,4 milionë euro të parashikuara në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.

    Instituti PRESPA vlerëson se ndryshimet kushtetuese, përfshirë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, janë kusht i domosdoshëm për kalimin në fazën e ardhshme të negociatave. Megjithatë, theksohet se tejkalimi i kësaj pengese politike nuk do të mjaftonte pa rezultate konkrete në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave.

    Kostoja e ngecjes po bëhet gjithnjë e më e dukshme: ndërsa vendet e tjera kandidate hapin grupkapituj, mbyllin kapituj dhe avancojnë drejt anëtarësimit, Maqedonia vazhdon të mbetet në prag të fazës së parë të negociatave, duke rrezikuar të humbasë mundësi të rëndësishme për integrim më të thellë institucional dhe ekonomik me Bashkimin Evropian.

    Lajmi Paraprak

    Milionat që trazojnë politikën në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë