Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një intervistë për televizionin Sitel, ka folur për humbjen e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet në Bërvenicë dhe deklaratën e tij për “trojanët”, duke theksuar se bëhet fjalë për njerëz që kanë tradhtuar besimin e partisë.
I pyetur drejtpërdrejt nëse me termin “trojanë” u referohej partnerëve të koalicionit qeveritar, VLEN-it, për shkak të mbështetjes që i dhanë kandidatit të BDI-së në Bërvenicë, Mickoski shmangu një përgjigje konkrete, përcjell Nistori.
“Kur flasim për trojanët, flasim për njerëz që e kanë tradhtuar besimin e VMRO-DPMNE-së. Nuk kemi përmendur individualisht se për kë bëhet fjalë. Bëhet fjalë për njerëz që premtuan, por nuk i përmbushën premtimet. Kjo mbetet në kujtesën tonë si VMRO-DPMNE dhe ne do ta mbajmë mend”, deklaroi Mickoski.
Në insistimin e gazetares për të sqaruar nëse këta persona janë nga partnerët e koalicionit qeveritar, kryeministri u përgjigj shkurt: “E thashë atë që kisha për të thënë”.
Mickoski bëri të ditur se menjëherë pas intervistës në televizionin Sitel, mbrëmë, do të zhvillonte një takim me udhëheqësinë e VLEN-it, ku do të diskutoheshin disa çështje aktuale, përfshirë edhe rezultatin e zgjedhjeve në Bërvenicë.
“Kur përfundojnë zgjedhjet, në këtë rast ato në Bërvenicë, është normale të bëjmë një analizë”, tha Mickoski.
Megjithëse nuk e identifikoi VLEN-in si subjektin të cilit i referohej me termin “trojanë”, Mickoski as nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke e lënë të hapur çështjen e përgjegjësisë së partnerëve të koalicionit për humbjen e VMRO DPMNE-së në Bërvenicë. /Nistori/





