Dy tavolina me dy vakte të ndryshme janë pjesë e një aksioni gueril të organizuar nga grupi “Urban Art Actions” në sheshin përballë qendrës tregtare “Bunjakovec” në Shkup, përcjell Nistori.
Në njërën tavolinë është vendosur një pjatë me një copë bukë të thatë, një konservë tuna, qepë, spec dhe një shishe me lëng.
Në tavolinën tjetër është vendosur një pjatë me një biftek të dekoruar dhe një gotë vere të zbrazët.
Dy tavolinat, siç mund të shihet nga fotografitë, përfaqësojnë vaktin studentor dhe atë parlamentar. Përmes tyre paraqitet kontrasti ndërmjet ushqimit që u ofrohet deputetëve dhe atij që studentët mund të blejnë me 140 denarë, shumë kjo që përfitojnë për një vakt studentor.
Në tavolinën e vaktit studentor është vendosur një menu e shtypur, e cila tregon se çfarë mund të blihet me shumën maksimale prej 140 denarësh. Një byrek me djathë dhe kos kushton 120 denarë, salca e kosit dhe gjysmë buke kushtojnë 90 denarë, ndërsa pudingu me fara çia dhe një porcion grosh pa mish kushtojnë nga 140 denarë.
Ndërkaq, në tavolinën e vaktit parlamentar është vendosur një menu që pasqyron çmimet në bufenë e Kuvendit. Një omëletë me proshutë kushton 85 denarë, buka e thekur me mish nga qafa e derrit dhe djathë kushton 120 denarë, pula e pjekur kushton 115 denarë, ndërsa një hamburger me djathë kushton 210 denarë.
Në të dyja menutë theksohet se ato kanë karakter satirik.
Në publikimin e fotografive në Instagram, grupi “Urban Art Actions” ka përdorur vetëm përshkrimin “Kontraste sociale”.
Përfaqësuesi i Forumit për Ndryshim Arsimor, Blendi Hodai, duke shpërndarë fotografitë në profilin e tij në Facebook, ka parashtruar pyetjen:
“Deri kur do të jetë luksi në kurriz të shtetit për disa dhe një luftë për mbijetesë për të tjerët?”
Para këtij aksioni gueril, Forumi për Ndryshim Arsimor njoftoi se kishte ngritur padi kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Gjykatën Administrative për shkak të mosrespektimit të pretenduar të Ligjit për Ushqimin e Subvencionuar të Studentëve.
Sipas Forumit, gjatë tre viteve të fundit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e ka harmonizuar shumën e subvencionit me normën vjetore të inflacionit, siç parashikohet në nenin 2.1 të këtij ligji.
Me rastin e ngritjes së padisë kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Hodai kërkoi që Qeveria dhe Kuvendi t’ua hapin dyert studentëve, në mënyrë që edhe ata të mund të konsumojnë një biftek për 160 denarë, njësoj si deputetët dhe ministrat.




